16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Kur e keqja kthehet në traditë

Më të lexuarat

Justinian Topulli

Nga Abdullah ibn Mesudi (r.a) përcillet se ka thënë:
“Si do të jetë halli juaj, kur një fitne t’iu jetë pështjellë si rrobë, sa që me të do të rritet i vogli dhe do të plaket i rrituri dhe ajo do të shndërrohet në sunnet. Nëse ajo ndryshohet një ditë, do të thuhet: Kjo është e keqe!
– Kur do të ndodh kjo? – u pyet.
– Kur të pakësohen besnikët, shtohen prijësit, pakësohen dijetarët dhe të shtohen lexuesit tuaj; kur të marrin dije jofetare dhe me veprat e ahiretit të përfitohet dynjaja.”
(Darimi 1/75, Tergib ue Terhib 1/94 etj.)

Edhe pse kjo thënie nuk i atribuohet Profetit (alejhi salatu ue selam), por për nga përmbajtja ajo ka të bëjë me gjëra të cilat nuk mund të bazohen vetëm në opinionin njerëzor të Ibn Mesudit, por duhet të kenë edhe burim hyjnor nga shpallja, pra se ai duhet të ketë dëgjuar dhe kuptuar diçka nga Profeti në këtë drejtim.
Në këtë thënie, Ibn Mesudi, duke iu drejtuar njerëzve të kohës së tij, u tregon atyre se do të përballen në të ardhmen me ndonjë sprovë, ku diçka e gabuar do të kthehet në zakon e traditë, saqë njerëzit do të jetojnë aq gjatë me të, aq sa do ta konsiderojnë atë si pjesë e fesë. Dhe nëse kjo praktikë do të ndryshohet një ditë apo do të tentohet të ndryshohet, ky ndryshim do të kontestohet si i keq. Kjo tregon se edhe e gabuara dhe e keqja kur zgjaten në praktikën e njerëzve kthehen në diçka të pranuar tek ta, ndaj dhe kjo na tërheq vëmendjen se praktikat fetare nuk duhet të lidhen vetëm me zakonin e njerëzve dhe traditën e tyre, por mbi të gjitha me argumentet bazë të fesë, sepse tradita e njerëzve jo gjithmonë është argument për saktësinë e saj fetare. Tradita e vërtetë fetare është ajo që lidhet gjithmonë me origjinën, me burimin e fesë dhe rrjedh në mënyrë të pandërprerë prej saj dhe jo diçka e cila praktikohet për një kohë të gjatë, sado qoftë ajo, ndërkohë që në krahasim me traditën burimore ajo është më re.
Më pas Ibn Mesudi shpjegon se ky fenomen do të ndodhë kur njerëzit të kenë humbur besën, dhe praktikisht ata që mbajnë fjalën dhe janë besnik të parimeve të jenë më të pakët. Kur të shtohen si rezultat i përçarjes prijësit dhe udhëheqësit politik apo edhe për shkak të zgjerimit të territoreve nën sundimin e muslimanëve. Kur të pakësohen dijetarët e fesë, ata që kuptojnë më së miri atë, thelbin dhe dispozitat e saj, dhe krahas kësaj veprojnë me këtë dije. Por, ndërkohë do të shtohen njohësit sipërfaqësorë të dijes fetare që janë kënduesit e Kuranit, apo edhe lexuesit e shumtë të dijes, por kjo megjithatë nuk i bën ata dijetarë, sidomos nëse ata nuk praktikojnë atë që dinë. Në të njëjtën kohë do të dominojë mësimi me rigorozitet dhe përqendrimi tek dijet jofetare, dhe e gjitha kjo padyshim, do të sjellë për njerëzit ndryshim në praktikën e tyre fetare, sepse ata do t’i japin përparësi jetës së kësaj bote duke përfituar të mirat e saj madje edhe me adhurime dhe punët e mira që bëhen për hir të Zotit.
Ajo që duhet vënë theksi këtu dhe lexohet qartë nga kjo thënie është se: mungesa e dijes fetare dhe e thellimit të në dhe sidomos sipërfaqësia e njohjes së saj, shton gjasat e shtimit të mediokritetit dhe sharlatanizmit, për të mos folur pastaj për mungesën e sinqeritetit dhe prirjeve egoiste njerëzore, që marrin hov në një situatë të tillë.
Kjo situatë nuk vlen vetëm për kohën e sotme, por për çdo kohë të ngjashme, të cilat nuk kanë qenë të rralla në historinë e myslimanëve. Edhe pse duket sikur kjo fjalë të jetë thënë posaçërisht për epokën tonë, por ndërkohë është fakt se historia riciklon veten në një mënyrë ose tjetrën, sepse në thelb njeriu është apo ai, ndaj dhe gjendjet dhe situata nëpër të cilat ai kalon janë të ngjashme. Kjo na shpie në një konkluzion tjetër tashmë, që edhe kurimi për të njëjtat sëmundje është i ngjashëm. Dhe dihet që është rruga e profetëve. Kështu që nga kjo kuptojmë se pse shpesh vonohet kurimi i një problemi social e fetar, kur ndërkohë për të bëhen përpjekje nga shumë drejtime dhe shumë njerëz me nijet të mirë. Fakti është se shpesh ajo që mendohet si kurë, nuk është e tillë, e shpesh mund të rezultojë dëmtuese ose edhe minuese e kurës së vërtetë. Dhe kura e sëmundjeve sociale e fetare, ashtu si ato të shëndetit trupor, nuk shpiket, por kërkohet. E gjen ai që di ku ta kërkojë dhe e pranon ai që nuk harron kurrë burimin e së vërtetës, që na ka folur për sëmundjen dhe ilaçin njëkohësisht.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit