1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Kur besimtarëve u dalin ëndërrat, prite Kijametin

Më të lexuarat

Shenja e njëzet e katërt e afrimit të orës së fundit të dynjasë.
Vërtetësia e ëndrrave të besimtarëve.
Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Kur të afrohet koha e fundit ëndrra e besimtarit nuk ka për të gënjyer. Ëndrrën më të vërtetë prej jush e ka ai i cili i ka fjalët e vërteta. Ëndrra e besimtarit është një e dyzet e gjashta pjesë e profetësisë. Ëndrra është tre llojesh: ëndërr e mirë përgëzim prej Allahut, ëndërr e keqe mërzitje prej shejtanit dhe ëndërr prej gjërave që preokupojnë mendjen e njeriut. Nëse dikush prej jush sheh diçka të keqe le të ngrihet për tu falur dhe të mos jua tregojë atë njerëzve” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ibn Battal (komentues i haditheve profetike i vdekur në vitin 449 H) thotë: Kuptimi i këtij hadithi –Allahu e di më së miri- është se kur të afrohet ora e fundit dhe të kenë vdekur njerëzit e dijes dhe të jenë fshirë shenjat dalluese të fesë me sprova dhe rrëmuja dhe të kenë mbetur pa gjurmë profetike atëherë ata kanë nevojë për përkujtues dhe rinovues të gjërave të harruara nga feja siç përkujtoheshin ymetet e tjera me profetësi dhe meqenëse profeti ynë Muhamed është profeti i fundit dhe koha pas tij i ngjan kohës mes profetëve, ju zëvendësohet atyre ndalimi i profetësisë me ëndrra të vërteta të cilat janë një e dyzet e gjashta pjesë e profetësisë dhe që vijnë me përgëzim ose qortim.
Ëndrrat dhe trajtimi i tyre sipas kuranit dhe synetit.
Allahu i madhëruar na ka njoftuar në kuran se i merr shpirtrat kur janë në gjumë:
“Thuaj: Ai (Allahu) është ai i cili jua merr shpirtrat gjatë natës dhe di se çfarë bëni gjatë ditës” El-En’am: 60.
“Allahu i merr shpirtrat kur vdesin dhe ata të cilët nuk kanë vdekur në gjumë. E mban atë që ia ka caktuar vdekjen dhe i lëshon të tjerët deri në një afat të caktuar” suratu Ez-Zumer: 42.
Marrja e shpirtrave të njerëzve në gjumë nuk do të thotë vdekje dhe kjo për njërën prej tre arsyeve të mëposhtme:
1- Allahu gjatë gjumit kap ndjesinë e shpirtit sepse çdo shpirt ka dy cilësi: gjallëria dhe ndjesia. Kështu që largimi i ndjesisë nuk është vdekje sepse gjallëria e trupit vazhdon të jetë.
2- Çdo njeri në trupin e tij ka shpirt dhe frymë; shpirti për gjallëri kurse fryma për ndjesi dhe Allahu gjatë gjumit kap frymën siç tregohet se Ibn Abasi radiallahu anhu ka thënë në shpjegimin e ajeteve të lartpërmendura: “Njeriu ka frymë dhe shpirt mes tyre janë rrezet e dritës. Allahu ia merr frymën njeriut në gjumë dhe i le shpirtin në trupin dhe brendësinë e tij, ku me të rrotullohet dhe jeton. Atëherë, Allahu nëse do ia merr edhe shpirtin dhe vdes ose ia vonon atë për në një afat tjetër dhe ia kthen frymën te vendi i saj (te trupi)” e transmeton Ibn Ebi Hatim.
Sipas këtij mendimi shpirti dhe fryma janë dy gjëra të ndryshme shpirti është për gjallëri dhe fryma për ndjesi.
3- Allahu e merr shpirtin gjatë gjumit por ngelet ndikimi i saj në trup si rrezet e dritës dhe gjatë kohës që është te Allahu shihen ëndrrat e vërteta siç transmetohet se Omeri radiallahu anhu ka thënë: [Çudi me ëndrrat e njeriut! Bie në gjumë dhe sheh gjëra që nuk i ka ndërmend dhe është e vërtetë sikur e merr me dorë dhe sheh ëndrra të tjera dhe ato nuk janë gjë. Aliu radiallahu anhu i thotë: a të tregoj se pse, o prijësi i besimtarëve? Allahu i madhëruar thotë: “Allahu i merr shpirtrat kur vdesin dhe ata të cilët nuk kanë vdekur në gjumë. E mban atë që ia ka caktuar vdekjen dhe i lëshon të tjerët deri në një afat të caktuar” suratu Ez-Zumer: 42. Allahu i merr të gjithë shpirtrat dhe atë që shohin kur janë te ai në qiell është ëndërr e vërtetë dhe atë që shohin kur lëshohen për te trupat e tyre i presin shejtanët në ajër dhe i gënjejnë duke i njoftuar me lajme të rreme është ëndërr e pavërtetë.] e transmeton Ibn Ebi Hatim.
Pra, Allahu i kap shpirtrat e robëve gjatë gjumit dhe kjo kapje nuk do të thotë vdekje për ta dhe gjatë kësaj kohe formohen ëndrrat qofshin këto të mira apo të këqija.
Ndikimi i vërtetësisë së fjalëve në vërtetësinë e ëndrrave.
Fjala e profetit alejhi selam në hadithin e lartpërmendur [Ëndrrën më të vërtetë prej jush e ka ai i cili i ka fjalët e vërteta] do të thotë se sa më shumë të shtohen vërtetësia e fjalëve aq më shumë shtohet vërtetësia e ëndrrave.
Ibn Haxher thotë: Kujt i shtohet vërtetësia e fjalëve, i shtohet drita e zemrës së tij, i forcohet logjika dhe gdhendën në të arsyetimet e drejta. Atëherë vërtetësia e tij gjatë ditës e shoqëron atë edhe natën dhe nuk sheh veçse gjëra të vërteta kurse gënjeshtari e prish zemrën e tij gjatë ditës dhe nuk sheh gjatë natës veçse ëndrra të ngatërruara dhe të pakuptimta dhe në raste të rralla mund të shohë gjëra të vërteta.

Llojet e ëndrrave.
Ëndrrat ndahen në tre lloje:
1- Ëndrra të vërteta përgëzim prej Allahut.
Këto ëndrra nëse shihen prej profetëve janë profetësi siç thotë Ibn Abasi radiallahu anhu: Ëndrrat e profetëve janë shpallje. E transmeton Hakimi dhe e saktëson imam Dhehebiu. Bile profetët nuk shohin veçse ëndrra të vërteta se shejtani nuk loz dot me ta.
Dhe nëse shihen prej një njeriu të mirë, janë një pjesë e profetësisë siç tregon Enes bin Malik radiallahu se profeti alejhi selam ka thënë: “Ëndrra e mirë prej njeriut të mirë është një e dyzet e gjashta pjesë e profetësisë” e transmeton Buhariu.
Ëndrrat e vërteta janë e vetmja gjë që ka ngelë prej profetësisë pas largimit të profetit të fundit Muhamedit alejhi selam siç tregon Ibn Abasi radiallahu anhu se profeti alejhi selam hap perden që e ndante nga xhamia kur ishte i sëmurë para vdekjes ndërkohë që njerëzit ishin rreshtuar pas Ebu Bekrit radiallahu anhu dhe u thotë: “O ju njerëz, nuk ka mbetur prej përgëzimeve profetike veçse ëndrra e mirë që e sheh myslimani ose e shohin të tjerët për të” e transmeton Muslimi.
Ibn Haxheri thotë: Ëndrra nuk është pjesë e profetësisë veçse nëse është e mirë dhe shihet prej një myslimani të sinqertë prandaj dhe në disa hadithe kufizohet me fjalën [ëndërr e mirë], në disa hadithe [ëndërra e njeriut të mirë] dhe në disa hadithe [ëndrra e myslimanit]. Këto kufizime i shkojnë përshtat gjendjes profetike dhe prandaj dhe nderohet me gjëra që nderohen profetët që është dhënia e mundësisë për të njohur një pjesë të gajbit (fshehtësisë).
Ëndrra e vërtetë nëse shihet nga jobesimtari, munafiku dhe gënjeshtari të cilat për të këtillë njerëz janë të rralla, është vetëm lajm i vërtetë dhe nuk është profetësi siç thotë Ibn Haxheri në vazhdim të fjalës së tij të mësipërme: Kurse kafiri, munafiku, gënjeshtari edhe nëse ëndrra e tyre mund të dalë ndonjëherë e vërtetë nuk është pjesë e profetësisë sepse jo çdo kush që lajmëron diçka të vërtetë lajmi i tij është profetësi siç nuk është fjala e fallxhorit kur del e vërtetë profetësi.
Gjashtë ëndrra të vërteta janë përmendur në kuran:
Tre janë parë prej profetëve: Ibrahimit alejhi selam kur u urdhërua për flijimin e birit të tij Ismailit, Jusufit alejhi selam kur pa yjet, diellin dhe hënën duke i bërë atij sexhde dhe Muhamedit alejhi selam kur pa hyrjen në Meke.
Tre të tjera janë parë prej jobesimtarëve: Mbreti të Egjiptit kur pa shtatë kallinjtë e njomë dhe shtatë të tjerë të thatë dhe shtatë lopë të majme dhe shtatë të tjera të dobëta. Dhe dy shokët e Jusufit ku njëri prej tyre pa duke mbajtur mbi kokë bukë dhe shpendët duke ngrënë prej saj kurse tjetri duke shtrydhur verë.
2- Ëndrra të këqija prej shejtanit.
Shejtani ka ndikim te njeriu në gjumë sikurse ka kur është zgjuar dhe prej ndikimeve të shejtanit në gjumë janë ëndrrat frikësuese dhe ëndrrat eksituese.
Ebu Katade El-Ensari radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Ëndrrat e mira janë prej Allahut dhe ëndrrat e këqija janë prej shejtanit” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Në hadithin e lartpërmendur të Ebu Hurejrës, profeti alejhi selam e quan ëndrrën e keqe mërzitje prej shejtanit.
Xhabiri radiallahu anhu tregon se një burrë erdhi te profeti alejhi selam dhe i tha: o i dërguari i Allahut, kam parë në ëndërr sikur mu këput koka dhe filloi të rrokullisej mbi tokë dhe unë ndoqa nga mbrapa. Profeti alejhi selam e qorton atë dhe i thotë: “Mos u trego njerëzve për lojën e shejtanit me ty në gjumë” e transmeton Muslimi.
Shejtani mund të ndikoj edhe me ëndrra eksituese të cilat janë ose nxitje nga ana e tij për punë të këqija ose mundim prej tij sepse eksitimi në ëndërr kërkon gusl siç tregohet se Ummu Sulejm e ka pyetur profetin alejhi selam: A duhet gusl për gruan kur ajo sheh ëndrra eksituese? Profeti alejhi selam i thotë: “Po, nëse ajo gjen lëng (pas zgjimit)” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
3- Ëndrra që janë nga biseda e njeriut me vetën e tij.
Njeriun, Allahu i madhëruar e ka dalluar nga krijesat e tjera me logjikë dhe arsyetim gjë që ia mundëson të analizojë në vetën e tij ato gjëra që e preokupojnë gjatë ditës derisa më pas ato mund ti shohë edhe natën.
Komentimi i ëndrrave.
Ëndrrat në lidhje me komentimin e tyre ndahen në dy lloje:
1- Ëndrra që nuk kanë nevojë për komentim sepse vërtetimi i tyre përputhet me atë që është parë dmth: siç shihen ashtu ndodhin si ëndrra e Ibrahimit dhe ëndrra e profetit alejhi selam për hyrjen Qabe për umre siç është përmendur në suren El-Fet’h. Profeti alejhi selam ka parë gjithashtu edhe Aishen në ëndërr para se të martohej me të siç tregon Aisha radiallahu anha se profeti alejhi selam i ka thënë: “Më ke dalë dy herë në ëndërr. Të kam parë të mbështjellë me një copë pëlhure mëndafshi dhe më thanë: Kjo është gruaja jote, zbuloje atë! Pasi e hapa pëlhurën pashë që ishe ti. Unë çdo herë thoja: nëse është prej Allahut do ta bëjë realitet” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
2- Ëndrra që kanë nevojë për komentim, vërtetimi i të cilave nuk përputhet nga ana e jashtme me atë që është parë dmth: vërtetohen ndryshe nga ç’janë parë si ëndrra e Jusufit alejhi selam, ëndrrat e dy shokëve të tij në burg dhe ëndrra e mbretit të Egjiptit.
Disa ëndrra të komentuara nga profeti alejhi selam:
1- Ibn Umri radiallahu anhu tregon se ka dëgjuar profetin alejhi selam duke thënë: “Isha në gjumë dhe pashë në ëndërr sikur më sollën një kupë me qumësht dhe piva derisa ngopja po më dilte nga thonjtë, pastaj pjesën e mbetur ia dhashë Umer bin El-Khatabit. E pyetën: si e komenton këtë gjë o i dërguari i Allahut? Ai u tha: Dija” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
2- Ebu Said El-Khudri radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Isha në gjumë dhe pashë në ëndërr se njerëz me këmisha kalonin para meje. Këmishët disa u vinin deri në kraharor, disave deri poshtë, pastaj mu shfaq Umr bin El-Khatabi dhe mbante një këmishë që e tërhiqte zvarrë. E pyetën: si e komenton këtë, o I dërguari I Allahut? Ai tha: Feja” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
3- Abdullah bin Selami radiallahu anhu tregon: “Pashë në ëndërr sikur isha në një kopsht dhe në mes të kopshtit ishte një shtyllë dhe në majë të shtyllës ishte një nyje. Më thanë: ngjitu në të! U thashë: Nuk mundem. Ndërkohë me vjen dikush dhe më ngriti dhe unë u ngjita dhe u kapa pas nyjës. Pastaj u zgjova dhe i tregova atë profetit alejhi selam dhe ai më tha: ai kopshti është kopshti i islamit dhe ajo shtyllë është shtylla e islamit dhe ajo nyje është nyja e fortë e besimit dhe do të vazhdosh të jesh i kapur pas islamit deri sa të vdesësh” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
4- Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: [“Isha në gjumë dhe pashë në ëndërr sikur në dy duart kisha dy byzylykë floriri. Më preokupoi puna e tyre dhe ndërkohe më vjen shpallja në gjumë që ti fryj dhe unë i fryva dhe ato fluturuan. I ka komentuar se dy gënjeshtarë do të dalin pas meje” kështu ndodhi: njëri prej tyre ishte El-Ansij nga Sana’aja dhe tjetri ishte Musejlemja nga Jemamja] e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
5- Abdullah bin Umr radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Kam parë në ëndërr një grua të zezë me flokë të shpërndarë doli nga Medina dhe u vendos në Mehjea (emër vendi 183 km larg Medines) dhe e kam komentuar se epidemia e Medines është zhvendosur atje” e transmeton Buhariu.
Rregullat e komentimit.
Në hadithet e lartpërmendura pamë që profeti alejhi selam ka komentuar disa ëndrra dhe jo vetëm kaq por edhe por edhe pas çdo namazi të sabahut pyeste njerëzit: “Kush ka parë këtë natë ëndërr (që t’jua komentonte ato)” e transmeton Buhariu dhe Muslimi. Kjo do të thotë se lejohet komentimi i tyre por në komentimin e ëndrrave duhet të ruhen disa rregulla prej tyre:
1- Nuk duhet ti komentojë ëndrrat veçse ai që di të komentojë sepse ëndrrat ndikohen nga komentimi.
Ebu Razin radiallahu anhu tregon se ka dëgjuar profetin alejhi selam se ka thënë: ‘Ëndrra është në këmbën e zogut (i cili nga momenti në moment mund të ulet) përderisa nuk është komentuar dhe kur të komentohet ndodh” e transmeton Ebu Daudi, Termidhiu, Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.
2- Ai që komenton ëndrrat duhet ta zgjedh kuptimet më të mira përderisa ëndrra mund ti përmbajë ato.
Aisha radiallahu anha tregon: Një grua nga banorët e Medinës e kishte burrin tregtar i cili shpesh herë udhëtonte. Ajo sa herë që i shoqi mungonte në shumicën e rasteve e linte edhe shtatzënë dhe vinte te i dërguari i Allahut dhe i thoshte: Im shoq ka dalë për tregti dhe më ka lënë shtatzënë dhe kam parë në ëndërr sikur një direk i shtëpisë u thye dhe linda një djalë me një sy. Profeti alejhi selam i thoshte: “Hajër! Do të kthehet yt shoq dhe do të lindësh një djalë të hajrit”. Ajo e pa këtë ëndërr dy apo tre herë dhe secilën herë vinte te profeti alejhi selam dhe ai thoshte të njëjtën fjalë dhe i shoqi kthehej e ajo lindte djalë. Një herë vjen dhe siç vinte gjithmonë te profeti alejhi selam pasi kishte parë atë ëndërr dhe profeti alejhi selam nuk ishte aty. Unë i thash asaj se për çfarë e pyet profetin alejhi selam? Ajo më tha: një ëndërr që e kam pas parë dhe vija te profeti alejhi selam për ta pyetur për të dhe ai më thoshte: Hajër! Dhe ndodhte siç më thoshte. I thashë: Më trego se çfarë ëndrre është ajo? Ajo më tha: jo, derisa të vijë profeti alejhi selam që t’ia tregoj siç ja kam pas treguar? Vallahi nuk e lash atë derisa sa ma tregoi ëndrrën dhe i thash: nëse ëndrra jote është e vërtetë ka për të vdekur yt shoq dhe ke për të lindur një djalë të poshtër. Ajo filloi të qajë dhe tha: Ç’pata unë që ta tregova ty ëndrrën?! Ndërkohë vjen profeti alejhi selam dhe ajo po qante dhe i thotë: “Ç’ka kjo grua, o Aishe?” Unë ia tregova atij ëndrrën dhe komentimin tim dhe i dërguari i Allahut më tha: “Jo, o Aishe! Kur t’ia komentoni ëndrrën myslimanit, komentojani atë me të mira sepse ëndrra është sipas komentimit”. Kështu asaj i vdiq pasha Allahun i shoqi dhe mendoj se ka lind një djalë të poshtër. E transmeton Ed-Darimiu dhe e saktëson Ibn Haxher.
Disa rregulla për atë që sheh ëndrra.
1- Ëndrra e mirë nuk i tregohet veçse atij që ta do të mirën.
Profeti alejhi selam thotë: “Ëndrra e mirë është prej Allahut dhe nëse dikush prej jush sheh një ëndërr diçka të mirë të mos ia tregojë veçse atij që ta do të mirën” e transmeton Buhariu dhe Muslimi. Kjo, sepse tregimi i saj mund të bëhet shkak për zili dhe hased prandaj edhe Jakupi alejhi selam po për të njëjtën gjë e porositi birin e tij Jusufin alejhi selam.
2- Ëndrra e frikshme nuk i tregohet askujt dhe profeti alejhi selam na mëson si të ruhemi prej të keqes së saj.
Ebu Seleme radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Nëse dikush sheh një ëndërr të frikshme, të pështyjë tre herë nga e majta, të thotë: O Allah më ruaj prej shejtanit dhe sherrit të saj (ëndrrës) dhe të mos ia tregojë askujt se kështu nuk i bën dëm” e transmeton Muslimi.
Në një hadith tjetër profeti alejhi selam thotë: “Të ngrihet për tu falur dhe të mos ia tregojë atë njerëzve” e transmeton Muslimi.
Në një hadith tjetër thotë: “të ndërrojë anën në të cilën ka qenë” e transmeton Muslimi
Pra, ai që sheh ëndrra të frikshme duhet të bëjë pesë gjëra për tu ruajtur prej saj:
a- Të pështyjë tre herë nga e majta.
b- Të thotë: O Allah më ruaj prej shejtanit dhe të keqes së ëndrrës.
c- Të ndërrojë anë.
d- Të ngrihet për tu falur.
e- Të mos ia tregojë atë njerëzve.
3- Nuk lejohet të sajosh ëndrra të pa para.
Ibn Abasi radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Kush sajon një ëndërr që nuk e ka parë do ti kërkohet atij ditën e kiametit të lidhë nyje mes dy kokrrave elbi dhe nuk do ta bëjë dot” e transmeton Buhariu.

Abdullah Nabolli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit