21.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Kultura e frikës

Më të lexuarat

AGIM BAÇI 

A është e mjaftueshme për një qeveri që ta konsiderojë çdo veprim të saj si të ligjshëm vetëm prej faktit se është zgjedhur me votat e shumicës, apo duhet bërë diçka më shumë për ta bërë legjitimitetin e saj të pranueshëm nga qytetarët? Politologu dhe esteti britanik Roger Scruton është i idesë se , përveç rezultatit zgjedhor, për publikun një qeveri duhet të bëhet e pranueshme nga funksionimi i saj përmes një shpirti publik dhe përveç rezultatit zgjedhor, për publikun një qeveri duhet të bëhet e pranueshme nga funksionimi i saj përmes një shpirti publik dhe një komunikimi me qytetarët, ku të mos synohet që ndaj tyre të krijohet vetëm bindja apo që ndaj tyre të funksionojë demagogjia. Sipas Scruton-it, qeveria duhet të rrëfehet për gjithçka që ajo dëshiron vërtet për qytetarët e vendit dhe për atë çka bën ligjërisht në punën e saj.

Por idetë e Scruton-it për një qeverisje të tillë janë të kërcënuara sot fuqimisht nga makiavelistët në pushtet apo edhe nga ata që dëshirojnë pushtetin, të cilët, në vend të dashurisë apo në vend të marrëveshjes me qytetarët, aplikojnë frikësimin dhe bindjen. Po të shohim me vëmendje, ngado pushtetet e kanë fokusuar komunikimin e tyre në ligjet frikësuese dhe ndëshkimet, duke lënë mënjanë atë që u duhet qytetarëve për të jetuar në mënyrë dinjitoze. Madje, gati në mënyrë të hapur, politika sot, në vend të paraqitjes së alternativave, është munduar t’i zhdukë ato. Për të arritur zhdukjen e alternativave është përdorur zëvendësimi i informacionit me bindjen, duke e bërë të vërtetën gjithnjë e më të pavend në debat. Për pasojë, në vend të përpjekjes për ndryshim, shumica e qytetarëve mbeten peng vetëm i gjendjes së pakënaqësisë, pa provuar se mund të ndryshojnë. Në Shqipëri, fatkeqësisht të parët që ngurrojnë për të kundërshtuar një politikë të ushtrimit të frikës dhe bindjes, një politikë pa llogaridhënie dhe alternativa, janë ata pjesëtarë të shoqërisë që njihen me emrin “intelektualë”. P.sh., në këto 29 vite të ndryshimit të sistemit politik, shumica e atyre që janë të njohur në Shqipëri si intelektualë publikë, janë shfaqur duke komunikuar në vetën e parë shumës “ne”, vetëm në ato raste kur janë ankuar për pamundësitë e ndryshmeve shoqërore (“Ne nuk bëhemi”, “ne nuk dimë”, “ne jemi të paaftë”, “ne nuk ndryshojmë”). Kështu, nën pushtetin e kulturës së frikës, intelektualët kanë shmangur përgjegjësitë individuale për të kërkuar rrugëzgjidhje më të mirë politike dhe sociale, duke nisur nga kuraja e tyre për të ngritur zërin për gjendjen në shoqëri dhe qeverisje. Madje edhe më keq, intelektualët prej kohësh janë kthyer në një skelet ideologjik të pushteteve, duke shtuar edhe më shumë frikën se shoqëria shqiptare nuk ka arritur të shkëputet nga amullia njerëzore e dehumanizimit nën diktaturë, ku për mbijetesë askush nuk e kishte problem t’i thoshte së bardhës të zezë e së zezës të bardhë.

Ky kompromis i vazhdueshëm i qytetarëve me kulturën e frikës dhe të bindjes tashmë rrezikon të rrëzojë çdo hap që është bërë lidhur me kërkimin e të drejtave, të cilat u takojnë njerëzve përballë atyre që votojnë. Një rrëzim i tillë i vlerave të demokracisë përballë forcës së pushtetit ka shtuar njëkohësisht edhe nostalgjikët e diktaturës, që prej disa kohësh nuk fshihen më për të theksuar “të mirat” gjatë kohës së sistemit diktatorial të Hoxhës. Vlerësimi i disa figurave në disa qytete, si rasti i Mehmet Shehut në Mallakastër, i Manxhar Binajt në Tepelenë, apo Teki Kolanecit në Maliq, si dhe klithmat në mbrojtje të figurës së diktatorit Hoxha çdo 11 prill apo 5 maj, janë vetëm maja e ajsbergut për të keqen që rikthejnë në shoqërinë shqiptare nostalgjikët e diktaturës, duke na dhënë si zgjidhje të përditshme vetëm bindjen dhe jo kurajën. Zëri i shtuar i tyre e zmadhon djerrinën mendore në shoqëri, duke i kthyer pasuesit e tyre jo në individë, por në trupa ku gjithçka mund të kalojë mbi ta, pasi për ta arti i bindjes është arti i vetëm që mund t’i japë siguri njeriut.

Në një situatë të bindjes dhe të frikës, njerëzit e paguar si intelektualë, si akademikë kanë harruar përgjegjësinë e tyre për të përçuar një edukim te të rinjtë, që do të bartte më së pari kurajën për të kërkuar të vërtetën dhe për të kritikuar të keqen. Mjafton të shohim se zëra si profesori Artan Fuga janë thuajse të vetëm kur kërkojnë që të mos squllet edhe më tej mendimi akademik shqiptar e të mos kemi profesorët e bindjes, apo edhe më keq, hajdutët e mendimit si ligjërues të së ardhmes dhe të së mirës.

Ne kemi nevojë për shpirtin publik të atyre që na drejtojnë. Për këtë nevojitet që, më së pari, të mos ia hapim krahët frikës, por ta refuzojmë atë nëse ende dëshirojmë që të rrisim fëmijët me dashurinë për këtë vend.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit