15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kujtime nga ndjenjat fetare gjatë periudhës komuniste

Më të lexuarat

Faik Miftari

Periudhën gati gjysmë shekullore të jetës fetare myslimane gjatë periudhës komuniste do të ndajë në dy etapa: etapa e parë ka përfshirë periudhën prej vitit 1945-1970, e cila periudhë ishte shumë e vështirë për ushtrimin e ndjenjave fetare myslimane. Edhe pse ka pas liri të kufizuar të shprehjes fetare, në realitet zbatimi i saj ishte i vështirësuar, për shkak të propagandës së ashpër komuniste kundër fesë islame dhe myslimanëve, ashtu që ka pas raste të ndalimit të agjërimit, të prishjes së agjërimit, ndalimi i synetisë së fëmijëve, ndërsa imamët apo hoxhallarët ishin në shënjestër të propagandës si armiqtë të ideologjisë komuniste etj.

Etapa e dytë ka përfshirë periudhën prej vitit 1970-1990, e cila ishte më relaksuese, më e lehtë, gjatë së cilës periudhë myslimanët mund të kryenin obligimet e tyre fetare pa ndonjë vështirësi të madhe, por se nënkuptohet gjithmonë vetëm brenda katër mureve të xhamisë, ndërsa aktivitetet tjera fetare në opinionin publik nuk lejoheshin, do të thotë kishte një liri fetare të kufizuar vetëm brenda objekteve fetare: xhamive, medreseve dhe teqeve.
Sistemi i atëhershëm komunist luftën më të madhe kundër doktrinës dhe ideologjisë fetare e ka zhvilluar nëpërmjet sistemit arsimor shkollor duke predikuar haptas moton “feja është opium i popullit” dhe se ishte në kundërshtim me teorinë e evolucionit të Darvinit se “njeriu e ka prejardhjen prej majmunit”, e jo prej Zotit ashtu sikurse parashihej me doktrinën fetare islame. Mësuesit, arsimtarët dhe profesorët në shkollat fillore, të mesme dhe në fakultete ishin prijës apo “bajraktarët” më të mëdhenj të propagandës komuniste kundër besimit dhe ushtrimit të fesë islame.
Si sot më kujtohet çasti i hidhur në fëmijërinë time, që kurrë nuk e kam harruar, pasi ka lënë ndjenja emocionale të pashlyeshme në mendjen time. Isha atë kohë duke vijuar klasën e pestë në shkollë fillore (në moshën 12 vjeçare), gjatë së cilës isha edhe në pozitën e kryetarit të klasës si nxënës shembullor, me ç’rast qëlloi muaji i agjërimit të Ramazanit, dhe isha i vetmi në klasë që agjëroja. Një shoqe e klasës e kishte ditëlindjen dhe i kishte sjellë bonbona për shokët dhe shoqet e klasës. Rregulli shkollor parashihte, pasi që isha në pozitën e kryetarit të klasës t’i shpërndaja unë, atë edhe e bëra, dhe bonbonën time e futa në çantë. Kur më vërejti kujdestari i klasës që bonbonën nuk e hëngra, pa një pa dy e zbrazi tërë “arsenalin” e tij mbi meje kundër agjërimit të Ramazanit, duke më qortuar se agjërimi më pengon në mësime dhe më le mbrapa, ndërsa përkundrazi unë isha nxënës i shkëlqyeshëm dhe me sjellje shembullore, bile edhe në pozitën e kryetarit të zgjedhur të klasës. Vetëm një Zot e di se si jam ndier atëherë në lëkurën time në atë çast në moshën 12 vjeçare përball qortimeve nga kujdestari i klasës dhe si i tillë i vetmuar në mesin e të gjithë shokëve dhe shoqeve të klasës që nuk agjëronin.
Çasti i dytë i hidhur i përjetuar, ka ndodhur gjatë kohës së studimeve, në vitin 1985, ishte prapë muaji i agjërimit të Ramazanit, dhe një ditë prej ditësh isha vonuar në ligjëratë të mëngjesit. Një koleg student (spiun) më denoncoi tek profesoresha se faji i vonesës sime në ligjërata, ishte agjërimi i Ramazanit. Profesoresha me të marr vesh, si e tërbuar me gjithë vrerin e saj m’u drejtua me fjalët më të hidhura që binte ndesh me titullin e saj akademik, duke m’u drejtuar se jemi duke jetuar në shekullin XX-të, e jo në mesjetë, në periudhën më të ndritshme të sistemit shoqëror socialist vetëqeverisës, me ç’rast feja ishte një gjë e prapambetur dhe e tejkaluar. Por, kjo teori e profesoreshës sime, ra në ujë pas 5 vitesh, gjegjësisht në vitin 1990 kur ra sistemi komunist.
Qysh në fëmijërinë tim të hershme, nga vitet e shtatëdhjeta të shek. XX-të, isha në kontakt të përafërt, me ulemanë e Prizrenit, pasi që gravitojë pranë xhamisë kryesore të Prizrenit, atë të Gazi Mehmet Pashës (Bajraklisë) në të cilin gjendet edhe selia e Vakëfit të Prizrenit (Këshillit të Bashkësisë Islame), e në mënyrë tërthore kam qenë i njoftuar edhe me ulemanë e Kosovës si dhe të ish Jugosllavi në saje të përcjelljes së rregullt të shtypit islam të atëhershëm ekzistues në ish Jugosllavi.
Edhe pse kanë jetuar dhe vepruar gati gjysmë shekull nën sundimin e sistemit komunist i cili ka qenë kryekëput antifetar, ulemaja e atëhershme e Kosovës ishte përpjekur me gjithë shpirt, në kushtet dhe rrethanat ekzistuese, ta ruajë dhe ta mbajë gjallë frymën islame në Kosovë. Me atë dije dhe njohuri që kishin, falë prezencës së tyre aktive nëpër mevlude, qelime, syneti, dasma, vdekje, t’pame, dhe derseve (ligjëratave) në xhamia kanë arritur ta mbajnë gjallë fenë islame. Edhe pse shumica e imamëve të asaj kohe kanë ndjekur mësimet në medresetë e atëhershme me trashëgimi osmane, vetëm një pjesë e atyre kanë arritur të pajisen me ixhazetname (diplomë) pas tetë vjet të ndjekjes së ligjëratave dhe kryerjes së të gjitha provimeve me sukses.
Ulemaja e atëhershme e Kosovës ishte karakterizuar me modestin e duhur gjatë kohës në të cilën kanë vepruar dhe jetuar, pasi që gjendja ekonomiko financiare e tyre ka qenë shumë e vështirë përkundër standardit ekonomik që ka qenë në atë kohë. Raportet e shkëlqyera ndër njerëzore e ndër kolegjiale ne mes tyre, respekti ndaj imamëve më të vjetër si dhe zbatimi me plot përkushtim i hierarkisë fetare kanë qenë vetëm disa nga tiparet e tyre karakteristike. Përkushtimi ndaj uniformës fetare (xhybes dhe sarëkut) ka qenë i tillë, sa rrallë kanë qenë ata imam të cilët nuk e kanë mbajtur uniformën fetare. Edhe kur kanë qenë në detyrë, por edhe në jetën e tyre të përditshme, jashtë detyrës dhe obligimeve fetare, nuk kanë hequr uniformën, bile të paktën sarëkun (kapelën fetare) e mbanin gjithmonë në kokë. Ulemaja e atëhershme ka gëzuar autoritet dhe respekt të veçantë në mesin e xhematit, por dhe qytetarëve tjerë të cilët kanë pasur mirësjellje ndaj hoxhallarëve, edhe gjatë kohës të sistemit komunist. Ulemaja e dikurshme ishte plot vullnet dhe kishte dashuri të madhe për fenë Islame, në zbatimin e parimeve islame, ndërsa me respekt të plotë i kanë kryer detyrat e caktuara në xhami dhe obligimeve që kishin ndaj xhematit.
Ka pas ulema të veçantë të asaj kohe, ndër ta do të kisha veçuar, myftiun, myderrizin, dijetarin më të shquar islam të asaj kohe në Kosovë, haxhi Sherif ef.Ahmeti, për të cilin lirisht mund të them se ka qenë alim më me zë i ulemasë së Kosovës gjatë kohës së periudhës komuniste. Atë që ka qenë Hysein ef. Gjoza për Bosnjën, ka qenë mulla Sherif ef.Ahmeti për Kosovën. Si i ri dhe student në atë kohë që isha, kur gjeja kohë të lirë udhëtoja nga Mitrovica, ku kam studiuar, të fal xhumanë në Prishtinë dhe për të ndjekur derset (ligjëratat) e haxhi Sherif ef.Ahmeti që i mbante para namazit të xhumasë në xhamin e sulltan Fatihut (Madhe) të Prishtinës. Ka qenë profesor, ligjërues, dhe mbi të gjitha komentues i rrallë i Kur’anit në atë kohë, si dhe njeri largpamës, i cili, para se të shfaqeshin këto dukuri apo trende aktuale që sollën këto valët e reja demokratike në Kosovë, qysh atëherë ka paralajmëruar këtë fenomen, duke thënë se: “Mjedisit tonë nuk është i nevojshëm as shiizmi ekstrem e as vehabizmi konservativ”.
I dyti ka qenë, ish myftiu i Kosovës hafëz Ismail Hakiu i cili kishte një zë shumë të bukur të këndimit të Kur’anit, si një zë bilbili, zë të tillë më nuk kam pas rast të dëgjojë, ishte në të vërtetë i mrekullueshëm për këndim të Kur’anit. Viteve 70-ta gjatë një vizite Malajzisë së bashku me Reisin e atëhershëm të ish Jugosllavisë haxhi Sylejman ef. Kemurën, nga nikoqirët ishin ftuar të marrin pjesë në garën e këndimit të Kur’anit që mbahej në Kuala Lampur në stadion para 50.000 shikuesve. Në atë rast Reisi iu drejtua mbretit nikoqir që të lejojë që edhe hafëz Ismailhakiu të merr pjesë në garë, të cilin e pranuan nikoqirët. Hafëz Ismailhakiu i nderuar, shpirti i tij rahmet pastë, lexoi një ashere të bukur me ç’rast i la pa frymë të gjithë të pranishmit në stadion, të cilët me përshëndetje frenetike e përcollën këtë bilbil të bukur të këndimit të Kur’anit i cili vinte nga ish Jugosllavia. Juria e pranishme e shpërbleu me renditje të parë dhe si shpërblim mori një kopje të Kur’anit me kopertina të praruara.
Në aspektin fetar sistemi komunist ka sjell dëme të paparashikueshme gjatë tërë historisë së civilizimit njerëzor, por në këtë aspekt për dallim nga shtetet tjera ish komuniste, në ish Jugosllavi sadopak ishte lejuar aktiviteti fetar në një masë të konsiderueshme, por i kontrolluar dhe nën mbikëqyrje të pushtetit komunist. Në ish Jugosllavinë e atëhershme popujt me përkatësi shumicë myslimane kanë qen vetëm shqiptarët dhe boshnjakët me një numër të popullsisë gati të barabartë, ndërsa në numër shumë të vogël edhe turqit dhe romët. Shqiptarët kryesisht kanë qenë të përqendruar në trojet e veta etnike, në Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa boshnjakët kryesisht ishin të përqendruar në Bosnjë e Hercegovinë, Sanxhak, dhe në një masë shumë të vogël edhe në viset tjera të ish Jugosllavisë.
Jeta fetare kryesisht ishte zhvilluar të themi”brenda 4 mureve”, që do të thotë vetëm në kuadër të xhamive, medreseve dhe teqeve, jashtë kësaj hapësire nuk ka pas fare qasje dhe se i tërë aktiviteti fetar ka qenë nën përcjellje të sigurimit të brendshëm shtetëror (UDB-ës) jugosllave. Përveç xhamive ekzistuese në hapësirën e ish Jugosllavisë, kanë qenë aktive vetëm 2 medrese ku ishte mundësuar shkollimi dhe aftësimi i kuadrove fetar në kohëzgjatje 5 vjeçare, e që ishin në rangun e shkollave të mesme.
Medreseja e Gazi Husrevbeut në Sarajevë ishte me mësim në gjuhën serbokroate (boshnjake) ku kanë ndjekur mësimet nxënësit kryesisht nga Bosnja e Hercegovina e Sanxhaku, dhe medreseja “Alauddin” në Prishtinë me mësim në gjuhën shqipe ku kanë ndjekur mësimet nxënësit jo vetëm nga Kosova, por edhe Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe nga Sanxhaku. Shumë vonë, aty kah vitet tetëdhjeta u hap edhe medreseja tretë, ajo e Isa beut në Shkupit. I vetmi fakultet i studimeve islame gjatë sistemit komunist në hapësirën e ish Jugosllavisë u hap shumë vonë dhe atë tek në vitin 1976 në Sarajevë.
Mësimbesimi gjatë sistemit komunist pothuajse u mbante në gjysmë ilegalitet dhe atë vetëm gjatë pushimeve verore kur nxënësit ishin në pushime verore, dhe shumë pak edhe gjatë pushimeve dimërore. Hafëz Maksud ef. Spahiu ka qenë mësues im i parë i shkronjave të Kur’anit dhe i sharteve të imanit dhe islamit, tek e i cili ndjeknim mësim besimin në xhamin e Bajraklisë. Gjatë pushimeve verore ky numër ndonjëherë arrinte deri në 200 nxënës që kemi ndjekur mësim besimin tek hafëz.Maksut Spahiu në xhaminë e Bajraklisë.
Publicistika islame gjatë sistemit komunist ka qenë kryesisht e përhapur në Bosnjë e Hercegovinë, e fare pak në Kosovë e Maqedoni. Në Bosnjë e Hercegovinë, botoheshin gazeta fetare islame dyjavore ”Preporod”, revista mujore”Islamska Misao” buletini dymujor “Gllasnik”, dhe “Takvimi” vjetor si dhe libra tjera me tematikë islame. Ndërsa në Kosovë përveç “Takvimit” vjetor ka qenë revista tre mujore ”Edukata Islame” nga viti 1971, si dhe botimi i revistës në fillim tre mujore, e pastaj mujore”Dituria Islame” në vitin 1986, e më vonë në vitin 1988 doli edhe botimi i revistës islame “Hëna e re” në Shkup. Libra me tematika islame në gjuhën shqipe mund të them fare pak ka pas, aty këtu sikurse që ish “Ilmihali i vogël” i Fejzullah Haxhibajriqit i përkthyer nga mulla Sherif ef.Ahmeti. Tek në vitin 1985 doli përkthimi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe i përkthyer nga akademik Feti Mehdiu. Ne shqiptarët mysliman mungesën e publicistikës islame dhe librave me tematikë islame në gjuhën shqipe, e kompensonim me përcjelljen dhe leximin e literaturës islame në gjuhën boshnjake e cila në atë kohë, ishte shumë më e avancuar.
Një ngjarje e rëndësishme që ka mbet në kujtimet nga ndjenjat fetare myslimane gjatë sistemit komunist, ishte edhe takimi i parë, por edhe i fundit, i të rinjve mysliman të ish Jugosllavisë. Në Sarajevë me 29 dhe 30 nëntor të vitit 1990 u mbajtën takimet e para rinore të rinisë myslimane nga hapësira e ish Jugosllavisë. Për dy ditë rresht në një vend janë takuar të rinj e të rejat mysliman nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Sanxhaku, Kosova dhe Maqedonia. Edhe nga Prizreni mori pjesë një delegacion prej 5 të rinjsh, në mesin e të cilëve isha edhe unë. Gjatë dy ditëve sa zgjatën takimet e para rinore, programi ishte i ngjeshur me takime, ligjërata, sesione të veçanta, mbrëmje poezish, mbrëmje shoqërore etj. Ligjëruan ligjëruesit më eminentë boshnjak rreth temave dhe problemeve me të cilët do të ballafaqohen të rinj dhe të rejat gjatë jetës së tyre. Ligjëratat dhe sesionet mbaheshin në amfiteatrin e fakultetit të studimeve islame, ku edhe në sesione të veçanta u kumtuan referatet në emër të delegacioneve nga të gjitha viset e ish Jugosllavisë. Pas referateve pasonin pyetje dhe përgjigje, debate dhe polemika të ndryshme me problemet me të cilët ballafaqoheshin të rinj dhe të rejat myslimane. Në hapjen e takimeve rinore në atë kohë mori pjesë edhe kryetari i sapozgjedhur boshnjak Alia Izetbegoviqi i cili me një fjalim rasti i përshëndeti të pranishmit të rinj, duke dëshiruar që dëshirat tona rinore të realizohen dhe gjithmonë të qëndronim stoik dhe ballëhapur në rrugën e fesë Islame dhe me besim të përkushtuar në Zotin e Madhëruar.
Në përfundim të këtyre kujtimeve të ndjenjave fetare myslimane gjatë ish periudhës komuniste, do të konkludojë se edhe pse me të vërtetë ishin vitet e vështira për zbatimin e ndjenjave fetare islame, sado kudo arritëm të mbajmë të gjallë ndjenjat tona fetare në rrethanat e atëhershme ekzistuese shoqërore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit