Kuçi: ‘Frikë për ata që kanë fituar pasurinë në mënyrë të paligjshme’

0
44

Sot, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, pas miratimit të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, është takuar me stafin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar. Në këtë takim është folur për hapat e nevojshëm që duhet të ndërmarrë kjo Agjenci, së bashku me pjesë tjera të Ministrisë së Drejtësisë në ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e saj për të mundësuar administrimin sa më të mirë të pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Pas takimit zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, para mediave shprehu vlerësimin e tij për punën e deritanishme të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar si dhe mbështetjen e plotë në të ardhmen, sidomos pas hyrjes në fuqi të Ligjit i cili pritet ta rritë dukshëm volumin e punës së kësaj Agjencie. Në këtë mënyrë, ministri Kuçi shprehu përkrahjen e tij maksimale për mobilizimin e mëtutjeshëm të Agjencisë në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore.

Kuçi shprehu bindjen e tij që ky ligj pas hyrjes në fuqi do të shërbejë si një armë shumë e mirë e gjyqësorit dhe prokurorive në vend për të luftuar krimin e organizuar.

Ndërsa kryeshefi i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Rrahim Rama, njoftoi për aktivitetet e deritanishme të kësaj agjencie. Ai u përqendrua në aktivitetet e Agjencisë për sensibilizim të bashkëpunëtorëve të tyre, përfshirë këtu Gjykatat në vend, e cila ka rezultuar me ngritje drastike prej 93% në pasurinë që tani administrohet nga kjo Agjenci.

Kuçi duke folur për ligjin tha se “ky projektligj nuk është frikë për qytetarët, është frikë për ata që kanë fituar pasurinë në mënyrë të paligjshme dhe në këtë drejtim mos ta marrim si ndonjë veprim i cili do të krijojë një ambient të pasigurt për njerëzit tonë përkundrazi do të krijojë siguri edhe më të madhe. E kam thënë edhe dje në mbledhjen e Qeverisë, është projektligji i 20-të që Ministria e Drejtësisë procedon në kuvend që nga koha që unë jam ministër, që i bie më shumë se një ligj në muaj dhe shumica janë bazike që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Kuçi.kohaislame