20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Kuadratet boshe të fjalëkryqit politik

Më të lexuarat

Redi SHEHU

Mënyra se si po rrjedhin ngjarjet politike të kohëve të fundit në mjedisin shqiptar, është jo vetëm e veçantë por edhe intriguese, sepse mbart me vetë kërshërinë që të shkakton një fjalëkryq për të gjetur shprehjen e duhur brenda kuadrateve boshe. Në të njëjtën mënyrë, fjalëkryqi i politikës shqiptare, bëhet akoma më i ndërlikuar, pikërisht për shkak të kuadrateve bosh të cilat thuajse nuk marrin kuptim nga asnjë nga gërmat që secili prej nesh orvatet të vendosë në brendësi. Termat politike standarte të ofruara nga politika botërore, apo eksperiencat e mëparshme, edhe pse qëndrojnë në fund të fjalëkryqit si kërkesë për zgjidhjen e tij, përsëri nuk kombinojnë me asnjë nga kuadratet boshe të tij, sado të ndërfuten tek njëra-tjetra. Duken si fjalë të huaja që nuk i rrinë mirë këtyre kuadrateve të mangëta të ofruara nga panorama aktuale politike.

Sot, ne ndodhemi në një moment që duket po aq i pashpresë dhe pa zgjidhje sa duket një fjalëkryq jo i duhur me termat e gabuara në të. Parlamenti shqiptar, i ngjan fjalëkryqit ku karriget e tij ngjajnë me kuadratet boshe të cilat mbushen me gërma (lexo njerëz) “jo legjitim” dhe njerëzit legjitim që qëndrojnë si gërma jashtë fjalëkryqit. Një fjalëkryq i cili që në dukje është i destinuar të mos përmbushet, për shkak se kuptimi dhe domethënia e tij është e rrënuar nga brënda pikërisht si pasojë e keqkombinimit të gërmave si kuptim i tij.

Po po, rrënimi i kuptimit parlamentar tek ne ka ardhur pikërisht nga brënda. Edhe kur kuadratet e parlamentit ishin te mbushura me njerëz, kombinimet e tyre të interesave, si shprehje e kuptimit të vet, kalonion herë nga njëri krah dhe herë nga krahu tjetër. Kulisat, marrëveshjet, paktet, dështimet e përbashkëta, përfaqësonin ndërfutjen e gabuar të gërmave të mbrapshta në kuadratet boshe parlamentare duke shkaktuar një katraurë. Një rrënim tërësor të kuptimit parlamentar dhe politik shqiptar, aq sa jo vetëm që gërmat nuk përputhen më me kuadratet tashmë, por disa nga gërmat kanë ikur fare nga kuadratet që u rrinë më ngushtë seç duhet.

Fjalë të kryqëzuara në fakt nuk janë tjetër veçse njerëz të kryqëzuar me njëri-tjetrin në një pakt kushtetues, i cili si një çark me dhëmbëza ka futur në grackë të zotët e vet. Në grackë ka rënë preja më e dobët pë momentin. Të zënë ngusht, tani kërkohet nga viktima e radhës një fjalëkryq i ri më kuadrate të reja por me fjalë të vjetra. Fjalëkryqi i ri duhet të ketë po ashtu kuptim të ri ngashëm me një republikë të re, me fjalë kyçe si Ndoka, Mediu, Shehi, Dule, Duka dhe Kryemadhi, që duhet të rendinten në një skemë të re kuadratesh boshe pa fjalën kyç Rama. Prej këtu, do fillojë të ngrihet e reja mbi të vjetrën e shembur nga revolucioni i fjalëve të vjetra.

Nuk mund të ndërtojmë të renë nga arkitektët e të shëmtuarës. Ne duhet të refuzojmë të jemi kavie politike ku eksperimentet nga më të çuditshmet bëhen përditë e për çdo stinë elektorale, jo vetëm me fizikun tone, por edhe me ndërgjegjet, besimet, ajrin që thithim, dashurinë që japim e marrim, hitorinë dhe kujtimet që në gëlojnë në vetëdijet tona. Nuk mundet një shoqëri e përgjegjshme ta lejojë një gjë të tillë.

Opozita e bashkuar tashmë ndodhet në një situatë jo të lehtë politike. Në kohën që parlamenti po mbushet me njerëz të rinj, të cilët juridikisht janë të vlefshëm, por moralisht janë në proçesin e marrjes së titullit opozitar, aksioni opozitar tashmë sa vjen dhe reduktohet brënda një mundësie të vetme. Pyetja që ngrihet është se deri ku është kufiri i logjikshëm me të cilin opozita vlerëson veten dhe raportet që ajo ka me vendin? Për të shembur regjimin e Ramës dhe sistemin e diktaturës së krimit, të blerjes së votave etj, a do ishte e logjikshme që kjo të bëhej duke shkaktuar një tronditje më të madhe sa ajo çfarë këto fenomene shkaktojnë aktualisht në shoqëri? Pra, a do dilet nga tranzicioni i stërzgjatur duke shkuar me shpejtësi drejt një tranzicioni të vetë tranzicionit, pra në pikën zero?

Mundësitë e pozitës duket se kanë ngelur dy: ose të bëjë një marrëveshje politike pa Ramën si kryeministër, për të cilën duket se ka të gjithë botën kundër, ose të përdorë dhunën si i vetmi mjet për ta ricikluar dhe faktorizuar veten ndërkombëtarisht dhe politikisht. Mundësia e parë ka të gjitha gjasat që të mos realizohet, për shkak të frikës së preçedentit në rajon dhe për shkak të vendosmërisë po aq të papreçedent që ndërkombëtarët po tregojnë në kundërshtim të saj. Mundësia e dytë, është edhe mundësia e vetme e cila po kristalizohet dhe që filloi që me ditën e djeshme me bllokimin akseve kyçe të rrugëve tona kombëtare. Por ama, ka një pikë deri ku përplasja kuptohet brenda një sfere logjike. Pas kësaj pike logjika nuk funksionon më dhe kuptimi si dhe domethënia e gjithëgjësë i kthehet shembullit të fjalëkryqit që orvatet me kuadrate bosh dhe me gërma të cilat nuk mund dhe nuk kanë se si t’i japin kuptim atij. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit