9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Ku ta dijë se ti je e ndershme!?

Më të lexuarat

Me Emrin e Allahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Ku ta dijë se ti je e ndershme!?
Mendova rreth një çështje, për të cilën besoj se është bërë preokupim i dukshëm për shumë meshkuj të rinjë muslimanë të vendit tonë: sa janë të moralshme në të vërtetë femrat tona që i shohim nëpër rrugët e qyteteve tona?!
Ajo që të shkon në mendje fillimisht është se nuk ka mbetur më moral tek populli ynë e as njerëz që e vlerësojnë atë. Morali është bërë një çështje me të cilën janë marrë pleqtë e odave ndërsa sot kjo është një çështje me të cilën nuk ia vlen të mirresh. Apo dikush mund të thotë se padyshim se morali është vlerë e një populli, si mund ta vësh në diskutim se femrat tona janë të moralshme, apo dëshiron ta nënçmosh vlerën e moralit te populli shqiptar ndër shekuj! Dhe atje në njërën prej gazetave ditore përmendet një rast dhunimi, dhe i sheh njerëzit vërdallë nëpër lokalet e kryeqytetit duke diskutuar se vallë a ka qenë viktima në fjalë e moralshme, apo ndoshta mos është ndonjë ambalazh i gjithë asaj që ka ndodhur për të arritur në qëllime të caktuara individuale! E shumë ideologji e mendime të tjera dëgjohen nga gojët e atyre njerëzve që e lodhin sadopak mendjen e tyre për të përmirësuar diçka nga kjo gjendje që po na rrethon.
Por, … “ku ta dijë unë se ti je e ndershme?!”
Nuk besoj që dikujt prej nesh i ka ikur tregimi i një gruaje të huaj (joshqiptare) e cila vizitoi për herë të parë kryeqytetin, … apo ndoshta se keni dëgjuar. Dhe thanë se erdhi dhe kaloi nëpër njërën nga rrugët e ngushta të kryeqytetit tonë, por jo … nuk ecte me ecjen tonë, por filloi të shikonte me bisht ty syrit përreth dhe e kaploi një lloj skuqje e fytyrës dhe ndrojtje, e pastaj u tha atyre që e rrethonin: “Vallë, a në lagje prostitutash më sollët?!”
Apo, ndoshta nuk është e tepërt të tregoj ngjarjen time të famshme, të cilën ua dëftova shumë prej shokëve të mi, kur isha në udhëtim me dy punëtorë italian që punonin në Kosovë. Ishin zhytur në një bisedë për të cilën unë s’kisha dijeni dhe as nuk i kuptoja e pastaj njëri prej tyre ktheu kokën nga unë e më tha në gjuhën angleze: “Po e diskutonim me këtë shokun tim çështjen e femrave tuaja, dhe po habitemi me faktin se çdo femër që po e shohim në rrugë veçohet me veshjen e takave kërcitëse (apo siç i thonë në gjuhën tonë popullore “shtikllave”).” Vallë, thashë me vete, a u bë ky italian të vijë nga atje ku vjen, e të më tregojë mua për veshjen e femrave tona!?
Apo, ndoshta ja vlen të përmendim edhe faktin se gjatë shkuarjeve dhe ardhjeve tona në xhami gjatë namazeve të errëta si namazi i jacisë (i pas mbrëmjes) dhe sabahut (agimit) na ndodhë shpesh të shohim femra të lakuriquara si mos më keq duke daluar nga taksitë apo duke hipur në ta për të vizituar lokalet e tyre të dashura të cilat nuk hapen vetëm se pas orës njëmbëdhjetë para mesnate apo edhe më vonë. Ndoshta do të thuash: Çfarë po na tregon?!!! Thua se ne nuk po shohim gjë vetëm ti po shihke. S’do mend, edhe ti edhe unë po i shohim edhe ato që gjatë çdo periudhe të ditës, në ditët e nxehta të verës, po i heqin shumicën e rrobave të tyre sepse vapa “po i mundon shumë dhe po ua ngushton frymëmarrjen”. Po mirë, a të zhvishemi edhe ne meshkujt ashtu siç u zhveshët ju dhe të garojmë se kush më mirë po arrin ti shfrytëzojë ditët e ngrohta të verës e të tregojë muskulaturën dhe gjenialitetin e trupit të vet!? Jo, sepse kafshët janë ato që Zoti ynë të zhveshura i krijoi, e po kam frikë se pastaj ato po i imitoj.
Padyshim se emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre që i ceka më lart nuk është tjetër vetëm se një:
Nuk po vërejmë më asnjë dallim në mes dukjes së një femre shqiptare që ecë nëpër qytetet tona dhe një të pamoralshmeje që del nga shtëpitë e ndyera të atyre që shiten me para. Prandaj, ku je o baba e burrë i shtëpisë? Ku je o vëlla e ku je ti o gjysh? O zoti i shtëpisë, o përgjegjësi për nderin e bijave dhe bijëve tuaj! Me familjen tënde çfarë po ndodh a po e sheh? O mik i ri, që sapo u miqasove dhe në shtëpinë tënde nuse të re solle! Ju lutem dëgjojeni një person që të mirën ua dëshiron, dhe për moralin e çmueshëm e të shtrenjtë të familjes tënde po u këshillon! A mos vallë ke dëshirë që të abortohen fëmijë e të hudhen nëpër kontenjerë të mbeturinave; të martohen të rinjë e të divorcohen për shkak të “befasirave”; të lindin kopilë e të bredhin rrugëve të qytetit tënd; të vetëvriten të rinjtë për shkak të tradhëtive bashkëshortore; të strehohen tek droga e alkoholi ata që nga këto pamje të femrave të zhveshura u hutuan; të theren e të rrihen për një femër të cilën për vete s’mund ta bënin; të lakmon burri tek ajo që s’është e tij duke bërë kështu padrejtësi?! E kjo listë mund të vazhdojë gjoxha gjatë me pasojat e paparashikueshme të këqija që mund të vijnë mu nga i njëjti burim.
Prandaj, … “ku ta di se ti je e ndershme, oj femra shqiptare!? Ashtu që pa asnjë dyshim të të martojë, dhe familje me ty të krijoi!?” Tregoje këtë me veshjen tënde. Me petkun tënd duke e vendosur mbi ato vende të turpshme të cilat Zoti yt ti zbulosh ti ndaloi për të mirën tënde, për të gjitha ato arsye që i cekëm më lart e për shumë të tjera për të cilat vetëm Ai që në formën më të mirë të krijoi është në dijeni. Mbuloje trupin tënd e mos e tundos atë që nderin e vet mundohet ta ruajë, kokën e tij ndaj të ndaluarave duke e ulur. Mbuloje trupin tënd sepse është më afër nderit e moralit, e që të dallohesh se nuk je prej atyre që trupin e tyre e shesin. Mbuloje trupin tënd ashtu që Allahu të të furnizoi me një burrë të mirë e të ndershëm! Mbuloje trupin tënd ashtu që të këqinjtë mos të të shfrytëzojnë për qëllimet e tyre të ulëta! A nuk u binde ende se çdo përpjekje e atyre që ta duan të keqen është që ty oj femër shqiptare e muslimane të të bëjnë robëreshë të qëllimeve të tyre të ulëta dhe shikimeve të tyre epshore!? Mbuloje trupin tënd me sinqeritet e me bindje se nëse ti vetëm për Zotin tënd e bën këtë do të furnizohesh me një begati që mendja s’ta pret! Mbuloje trupin tënd, e lëri ata që në emër të zhveshjes në liri të shprehjes thërrasin! Mbuloje trupin tënd, urdhërin e Zotit tënd zbatoje; urdhërin e Atij që prej një pike uji të krijoi, të formësoi, të rriti e të zhvilloi! Dhe një fjalë të Zotit tënd asnjëherë mos e harro: në librin e Tij Fisnik e të bekuar, Kur’anin Famëlartë, Allahu i Lartësuar tha:
“Thuaj (O Muhamed): “O robërit e Mi të cilët e keni tepruar në gjynahe! Mos e humbni shpresën nga Mëshira e Allahut, se vërtetë Allahu i falë të gjitha gjynahet! Vërtetë Ai është Falësi i Madh dhe Mëshiruesi!”
Prandaj, lexues i nderuar dhe lexuese, për hir të Zotit tënd, a po na premton, a po na gëzon dhe lumturon, a po na tregon se pasi këtë shkrim ta lexosh, çdo kënd për këtë çështje do ta këshillosh, atë që afër vetes apo larg e ke me mësimet e Zotit tënd do ta mësosh!? E nëse prej atyre që veshjen e keqe e ke, atëherë zgjidhjen shumë të lehtë e ke: te Zoti yt që pendimin lehtë e pranon, kthehesh një herë dhe këtë rrugë më nuk e lëshon!
Dhe falenderimi i takon Atij, që mua më bëri të shkruaj, e që ta lexosh këtë ta mundësoi ty!
Dhe Paqja dhe Mëshira e Allahut qofshin mbi mëshirën e dërguar për njerëzimin, Muhamedin, rob dhe i dërguar i Tij, dhe familjen e tij të pastër e të ndershme!

Autor:
Hekuran Helshani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit