7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Kthimi i Turqisë në Ballkan

Më të lexuarat

Shkruan: Nexhmedin Ademi

“Na kan lënë të presim në dyert e Bashkimit Evropian 54 vite a po jo”.
Rexhep Tajjip Erdogan

Kjo ishte një nga deklaratat e para të presidentit Erdogan pas fitores së ngusht në referendumin e organizuar për ndryshime kushtetuese, ne prillin e vitit 2017. Presidenti turk aludon në qasjen jo parimore që ka mbajtur me vite komuniteti evropian në raport me popullin dhe shtetin turk. Liderët evropian projektin politik të Turqisë nën drejtimin e Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi (AKP), në krye me presidentin Erdogan vazhdojnë ta shikojnë me mosbesim ndaj orientimit pro perëndimorë. Me tendenca për të rrëshqitur drejt një diktature të kontrolluar e karakterizuar me fuqizimin e figurës së liderit. Thënë ndryshe një lloj ’’putinizimi’’ i Truqisë. Mendësi e cila rëndë e rrezikon modelin qeverisës të demokracisë ku në ekzekutimin e pushtetit politik në proces përfshihet edhe vullneti i popullit. Qëndrimet e vijës së fortë nga perëndimi ndaj proceseve të brendshme politike në Turqi, nga brenda janë shikuar si orvatje për të frenuar dinamikën e progresit të gjithëanshëm me tendencë për ta mbajtuar nën kontrollë sovranitetin e shtetit turk, i cili është anëtar i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë NATO, por jo edhe anëtar i Bashkimit Evropian. Kjo marrëdhënie e rezervuar, e njëanshme, përbrenda opinionit publik turk po interpretohet si diçka që i ka shërbyer më tepër kontekstit politik dhe gjeostrategjik të aleatëve perëndimor në rajon, se sa interesave të vet shtetit turk. Kjo strategji e marrjes shumë dhe dhënies pak, për politikën e re turke nën presidentin Erdogan është qartësuar se është e papranueshme.

Forcimi i sovranitetit shtetërorë

Në periudhën e globalizmit, në diplomacinë moderne nuk mundë të flitet për sovranitet të plotë të shteteve. Mbështetja për dinamikën e re politike nën qeverisjen e AKP – së, nga elektorati përbrenda opinionit turk është parë si një mundësi nga kalimi i sovranitetit të kushtëzuar drejt një vendimmarrje me më shumë vetëvendosje që e fuqizon sovranitein shtetëror të shtetit turk. Kjo ka rezultuar me poltika që kanë prekur jetën e qytetarit në përmirësimin e jetës sociale e kulturore dhe ngritjen e cilësis së jetës dhe mirëqenies në përgjithësi. Pozita gjeostrategjike, potenciali ekonomik, gjenerimi i të ardhurave nga turizmi, zona lidhëse e Evropës me Azinë, diaspora e fuqishme, resurset e pasurive mbi dhe nëntokësore janë të dhëna premtuese që i lexojmë në librin e Ahmet Davutogllus: “Thellësia strategjike”, një nga arkitektët dhe ideologët e doktrinës diplomatike të Turqisë post moderne. Pozita gjeostrategjike e Turqisë në zonën e mesme aziatike e rikthen Turqinë e sodit në kërkim të thellësisë historike nga e kaluara me gjithë potencialin e mundshëm të dominimit ekonomik dhe shtrirjes së pushtetit politik. Ka mendime se këtij pretendimi të Davutogllus, politika e jashtme turke iu ka shmangur duke e promovuar vizionin e ri politik, Turqia e vitit 2023.

Turqia dhe regjioni ballkanik – shqiptarët

Deklarativisht ka një konsenzus shoqërorë nga të gjitha komunitetet në shtetet ballkanike (për shqiptarët thuhet se janë populli më proevropian), për integrimin në familjen e madhe evropiane. Ideja e integrimit në Bashkimin Evropian është shndrruar në mendim pothuajse programatik. Komisioni për zgjerim pranë Bashkimit Evropian, ka paralajmëruar vendet e Ballkanit Perëndimorë se deri në vitin 2025 duhet t`i evitojn të gjitha pengesat për të përfituar nga rasti historik për integrim në valën e re të zgjerimit të BE – së. Në fund të dokumentit përmendet edhe fakti për rrezikun e aktiviteteve të Moskës: “…ku Rusija vërshon në planin mediatik me fushatën anti – EU, duke nxitur nacionalizmin serb me marrëveshjen e realizuar për furnizim me armatim”, në mes tjerash, theksohet në raportin e presidentit te Komisionit Evropian Jean Claudea Juncker.

Procesi i kushtëzuar integrues me reforma në drejtësi, forcimi i instiucioneve shtetërore, pushtetet e ndara, përafrimi i legjislacionit vendore me atë të shteteve të Evropës, lufta e pakompromis ndaj korrupsionit, standarde të kërkuara për anëtarsim, janë zotime që liderët e shteteve ballkanike e kanë të vështirë t´i përmbushin. Liderët politik në Ballkan më shumë kujdesen për vokabularin për t´dukur evropian, se sa për të sjellur mendësin e modelit qeverisës të shtetit funksional. Në dukje paraqiten oksidental, por politikbërjen e drejtojnë me mendësi despotiste e tribaliste orientale.
Në një situatë të këtillë të pritjes, fuqizimi i Turqisë në rajon është i dukshëm. Turqia në raport me shqiptarët, pavarësisht se cila qeveri ka qenë në pushtet, historikisht ka ndërtuar marrëdhënie të mira. Shqipëria dhe Kosova për nga interesimi i diplomacisë turke, janë prioritet i interesit nacional turk. Kjo është dëshmuar me rastin e pranimit të pavarësisë dhe lobimit për rritjen e numrit të shteteve që do ta njohin shtetin e Kosovës. Kurdo që është tensionuar situata politike herë pas here me grekët, Turqia gjithmonë është rradhitur në anën e interesave shtetërore të Shqipërisë. Bashkëpunimin shtetëror me shqiptarët, së paku deri tani, pala turke asnjëherë nuk e ka kushtëzuar me zhvillimet politike në vend. Shqiptarët janë shikuar si aleat historik, me miqësi të ndërtuar edhe për shkak të trashëgimisë kulturore dhe historike. Ndihma e ofruar nuk është se është kushtëzuar me procese në llogari të ndryshimeve të orientimeve politike e kulturore, f. v. me ndryshimin e diskursit integrues nga Bashkimi Evropian. Gjë që nuk mund të pohohet e njëjta gjë edhe për involvimin e Rusisë në politikën e Ballkanit. Disa e mbrojnë mendimin se Turqia nuk ka pse kthehet në Ballkan, sepse gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht është pjesë e Ballkanit. Madje hulumtuesja e njohur bullgare Marija N. Todorave në librin e saj “Ballkani imagjinarë”, thotë se vetëm pas ardhjes së osmanëve në Ballkan, regjioni filloi të thirret me emrin Ballkan apo ballkanasit.

Papërgjegjësia e elitave politike e kulturore shqiptare në raport me Turqinë

Kujtesa historike te shqiptarët e intepreton periudhën e sundimit osman si pushtuese e dhunuese. Ky kualifikim për periudhën e sundimit osman është formulim i historografisë studimore zyrtare gjat periudhës komuniste në Shqipëri. Edhe pse i ideologjizuar, në qarqet akademike e shkencore shqiptare vazhdon të mbetet e vërteta e vetme shkencore. Ky refleksion historik bëhet probleamtik pasi tenton ta përcaktoj bashkëpunimin politik e gjeostrategjik me Turqinë edhe në kontekstin aktualitetit bashkëkohorë. Shoqëritë dhe kombet e zhvilluara ka kohë që papajtueshmërit historike ia kan adresuar shkencës së historisë. Me qëllim që pengesat historike mos të ndikojnë në formimin aleancave të reja të bashkëpunimit ekonomik, kulturorë e ushtarak, f. v. ngrehina e Unionit Evropian është bërë në një truall ku janë zhvilluar luftëra të përgjakshme apo edhe lindja e aleancës së fuqishme anglo amerikane ka lindur pas një periudhe të gjatë të konfliktit dhe luftërave të ndërsjella. Në qarqet shkencore akademike serbe, roli i Turqisë shikohet si orvatje për rikthimin e një neoosmanizmi të ri në Ballkan. Mbrojtës i kësaj hipoteze është sudijuesi i njohur serb, filologu, orientalisti, diplomati, ish – ambasadori në Vatikan e Ankara, dr. Darko Tanaskoviq, i vlerësuar lart në Serbi, për kontributin e madh që Kosova mos të pranohet në UNESCO. Paralel kësaj fryme anti – osmane, anti – turke me nacionalizmin serb, mirëkupton në të njëjtën frymë të mendimit edhe nacionalizmi shqiptarë. Pika përbashkuese e këtyre nacionalizmave edhe pse historikisht armiqësorë, është qëndrimi i përbashkët anti – osman, anti – turk etj. Për dallim nga nacionalizmi dhe elitat politike shqiptare, elitat politike serbe për shkak të interesit ekonomik po tregohen shumë më pragramtike në raport me Turqinë. Kujtojm rastin kur ministri i jashtëm serb performon aftësit e tij prej këngëtari duke i kënduar këngën e Osmon Agës presidentit turk. Neoosmanizmi si nocion shkencërisht ende i palëvruar, politikisht është i ekzagjeruar. Neoosmanizmi si term gjeopolitik për shkencat sociale mundë të ketë kuptim vetëm për nga perspektiva komperative. Do të ishte në rregull vetëm nëse do të flisnim ngjashëm edhe për neogjermanizëm, neoanglizëm, neorusizëm e të ngjashme. Përderisa për vendet tjera që tentojnë fuqishmë ta zgjerojnë ndikimin politik në regjion, nuk hasim në neologjizma të tillë, sigurisht se përdorimi i nocionit noosmanizëm është i tepruar. Ata që i bëjnë vërejtje kësaj teorie mendojnë se nuk bëhet fjalë as për neoosmanizëm, as për rikthim spektakularë të Turqisë në Ballkan, por bëhet fjalë për eksplorimin e zonave të reja të interesit ekonomik në strategjinë e re të politikës turke, ku nuk bënë përjashtim as Ballkani.

Shkenca shqiptare si duket ende nuk e ka filozofuar çështjen shqiptare sa duhet. Nuk kemi një studim serioz, shkencërisht bindës për pamundësinë që shqiptarët ta shkruajnë historinë. Në mungesë të kësaj, është historia me dinamikën e saj ajo që e ka shkruajtur shqiptarinë. Është bërë i rëndom konkluzioni se fajtori kujdestar për gjithë këtë dështim është qëndrimi armiqësor i të huajave ndaj neve, e në veçanti pushtimi pesë shekullorë turk në hapësirat shqiptare. “Prandaj duket se grupi social që ka përfituar më së shumti nga pushtimi osman janë historianët shqiptarë. Për çdo pyetje e kanë përgjigjen e gatshme, pa nevojën për të menduar: na ka lënë prapa Perandoria Osmane dhe fajin e ka pushtimi i gjatë osman!” (faq. 10, 2011. Feraj. H)

Një shtet nëse forcohet apo jo, nuk varet vetëm nga faktorët e jashtëm. Jan politikat progresive të brendshme që faktorizojnë rolin dhe zgjerimin e ndikimit politik të një shteti, kombi apo shoqërie. Në dukje është e qartë se Turqia është duke u forcuar dhe dëshiron ndikimin e vet ta zgjeroj edhe në rajon. Shqiptarët duhet të mendojnë edhe për aleanca më të fuqishme kombëtare, regjionale, përveç atyre ndërkombëtare EU – SHBA. Turqia është dëshmuar si aleat besnik edhe në historinë moderne të shqiptarëve pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Shqiptarët nuk duhet t`i shmangen rregullit të artë në diplomaci për t´u treguar të padenjë në ndërtimin e aleancave ndërshtetërore. Ngritja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërshtetëror nuk njeh miqësi të përhershme, por njeh interesa te përhershme që operojnë në marrëdhëniet mes shteteve.

Në këtë drejtim përderisa respektohet sovraniteti i ndërsjellë mes dy popujve miqë, shqiptarë dhe turk, miqësia dhe aleanca në planin politik, strategjik e ekonomik me shtetin Turk, duhet të forcohet edhe më shumë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit