Kthimi i kufirit detar me Greqinë, i menjëhershëm

0
33

Tiranë, 19 maj – Komisioni parlamen tar i Sigurisë Kombëtare miratoi të premten me konsensus propozimin e deputetëve të Partisë Socialiste për rikthimin e ligjit “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror” të vitit 2001, ku përcaktohet qartësisht kufijtë shqiptarë, që u shfuqizua para miratimit të paktit detar me Greqinë. 

Ligji aktual i miratuar në parlament në vitin 2008, nuk ka asnjë nen që të lidhet me ujrat territoriale, ndërsa lidhur me kufirin në përgjithësi ka vetëm një nen (neni 3), sipas të cilit “kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi, si dhe të traktateve dypalëshe apo shumëpalëshe të lidhura me vendet e tjera”. 

Në gjykimin e deputetëve që kërkonin ndryshimin e këtij ligji një përcaktim i tillë krijon pasoja të rënda për integritetin territorial të Shqipërisë. 

“Ne mendojmë dhe e kemi shprehur disa herë se ndryshimet që i janë bërë ligjit kanë cënuar integritetin realisht. Pra, nuk e ka pasur të përcaktuar qartë se deri ku i kemi ne ujërat tona dhe unë po them një gjë që është pak e dhimbshme por e vërtetë që njerëzit tanë kur futin këmbët në ujërat e detit Adriatik dhe Jon nuk kanë përcaktuar asnjë nga parametrat e përcaktimit ligjor që ka hapësira ujore. Po njerëzit tanë futen dhe notojnë në hapësirat ujore ndërkombëtare”, tha deputeti socialist, Pirro Lutaj. 

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kreu I FRD-së, Gazmend Oketa, i cili deklaroi se “janë disa pika, njëra nga të cilat thotë se Shqipëria ka humbur vijën ndarëse të ujerave territoriale, kordinatat e të cilës përcaktohen nga ky nen. Gjykoj se në rast se këto konstatime janë të vërteta dhe nuk i vë në dyshim, besoj se hyrja në fuqi e ligjit, duhet të jetë e menjëhershme”, – tha Oketa. 


Nga ana tjetër ministri i Brendshëm Bujar Nishani konfirmoi se “marrëveshja, që u arrit me Greqinë është shfrytëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe deri në negocimin e një marrëveshje tjetër, ne jemi plotësisht dakord, që të rikthehet ai parashikim i kufirit kryesisht detar, që ka qenë në ligjin e 2001”, – tha Nishani