13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kryqëzata e materialistëve shqiptarë

Më të lexuarat

Çelo Hoxha

 

Harmonia fetare e shqiptarëve është kthyer, në dy dekadat e fundit, nga fakt në klishe. Të huajt e përdorin në ndonjë situatë kortezie, ndërsa janë duke folur për një vend që e njohin në mënyrë të sipërfaqshme (nga ndonjë manual turistik) ose, ndoshta, nuk e njohin hiç. Shqiptarët që e përdorin këtë klishe, nuk është se nuk e njohin vendin e tyre, por ata janë zakonisht njerëz që kanë kontribut në krijimin e një demokracie të deformuar në Shqipëri, ndërsa nuk kanë shumë qejf të flasin sinqerisht për diktaturën komuniste dhe konfliktin 50-vjeçar që ajo dominoi.

E vërteta është diçka e ndërmjetme: harmonia fetare ekziston, por glorifikohet e nxjerrë nga konteksti. Evidentimi i saj, duke pasur parasysh çfarë ka ndodhur gjatë 50 viteve diktaturë, është njësoj si të përpiqesh të fshehësh rrënimin e shkaktuar nga një stuhi, për shkak se nja dy-tri pemë vazhdojnë të qëndrojnë ende në këmbë, aty ku para furtunës gjendej një pyll.

Në një shekull histori të shtetit shqiptar, gjysma e tij ka qenë një konflikt i dhunshëm, ku, në anën e viktimës, kanë qenë besimet fetare; të gjitha pa përjashtim. Në anën tjetër kanë qenë të pafetë dhe banditët e të gjitha llojeve. Me një fjalë: komunistët.

Harmonia fetare, dhe kjo duhet thënë pa frikë, ka qenë më së shumti – dhe është – atribut i komunitetit mysliman. Ata janë shumica. Por, dhe kjo meriton të thuhet për t’i shërbyer të vërtetës me korrektësi, edhe besimet e tjera – katolikë dhe ortodoksë – kanë qenë pjesë konstruktive e shtetit (dhe kombit) shqiptar dhe kanë kontribut të pamohueshëm në këtë harmoni.

Dëshmitë e tolerancës së myslimanëve janë të një niveli historik. Qeveria e parë shqiptare u krijua, qëllimshëm, me gjysmën e ministrave të besimit mysliman dhe gjysmën të krishterë (ortodoksë e katolikë). Në këtë përfundim nuk nisemi nga emrat e anëtarëve të kabinetit të Ismail Bej Vlorës, por nga përmbajtja e debatit që i parapriu krijimit të qeverisë. Në fillim Ismail Beu propozoi një kabinet me ministra myslimanë. Një nga anëtarët e pleqësisë (i besimit ortodoks) shprehu keqardhjen që në kabinet nuk kishte asnjë ortodoks dhe menjëherë Kryeministri bëri propozimin që të votohej një kabinet i ndarë fetarisht përgjysmë. Asnjë mysliman nuk kundërshtoi, të thoshte, të paktën, që përfaqësimi fetar të bëhej në bazë të përqindjes së popullsisë që besimet përfaqësonin. Kjo tolerancë e myslimanëve është vërejtur dhe më vonë. Më 1920 dhe 1943, Regjenca (institucioni që përfaqësonte mbretin në mungesë të tij) u formua njësoj: me dy myslimanë dhe dy të krishterë. Myslimanët, po të kishin qenë tendenciozë, mund të kishin kërkuar kuotën tre me një dhe katolikët e ortodoksët ta bënin me rrotacion një vend që u përkiste.

Pastaj harmonisë i erdhi fundi, se në pushtet erdhën barabarët. Komunistët nuk ishin kurrë shumicë, por ata ishin të dhunshëm përtej imagjinatës dhe gjithçka e rrëmbyen me forcë, duke ia arritur ta nënshtrojnë shumicën, e për pasojë, vuajtën të gjithë, jo vetëm myslimanët. Krimet e komunistëve ndaj fesë nisën me vrasjen e një kleriku bektashian në tetor 1943 dhe përfunduan me ndalimin e besimit fetar, mbylljen e objekteve të kultit dhe dënimin e klerikëve më 1967. Aq të dhunshëm ishin komunistët, saqë nuk e çanë kryet as ta ndalonin me ligj fillimisht besimin e pastaj në terren, por bënë të kundërtën. Nga kushtetuta e drejta e besimit u hoq më 1976.

Pas 1967-ës, marrëdhënia e besimeve fetare në Shqipëri (burimi i harmonisë) me pushtetin e të pafeve ishte e tillë: pushteti ishte ruli, besimet ishin asfalti që ai u kalonte sipër. Në dy dekadat e fundit, pasi marrëzia mori fund, kanë filluar të dëgjohen zërat e përgëzimit të tolerancës fetare në Shqipëri, por askush nuk merr mundimin të flasë për dhunën e ateistëve shqiptarë dhe dëmet që ata i kanë shkaktuar shoqërisë. Kujtimi i asaj çfarë i ka ndodhur në Shqipëri në dëm të besimeve fetare do të kishte mjaftuar që ateizmi në Shqipëri të ishte fjalë me konotacion negativ dhe njerëzit të kërkonin distancim prej një etiketimi të tillë, si diçka e turpshme.

Glorifikimi i harmonisë fetare nga njëra anë dhe heshtja kundrejt dhunës së ateizmit nga ana tjetër është një sjellje cinike, me rrënjët në komunizëm, e cila përdoret vetëm për ruajtjen e status quo-së: pushtetin ta mbajë pakica ateiste, kurse shumica besimtare të vazhdojë të jetojë në harmoni (të nënshtrohet).

Një mesazh i tillë gjendet në disa poezi të Ismail Kadaresë, të shkruara në kohën e zhvillimit të revolucionit kulturor maoist në Shqipëri. Po veçoj vetëm vjershën “Mësueset e fshatit”.

Objekti i vëzhgimit të poetit janë disa vajza qyteti, të cilat punojnë si mësuese në fshat. Çdo të shtunë, ato zbresin në xhade (rruga kombëtare, që lidh qytetet) dhe u bëjnë shenjë me dorë makinave, me shpresën t’i marrin. Më shumë makinat nuk ndalen, por ato, sipas poetit, presin makinën tjetër, pa bërë zhurmë, pa u ankuar “në komitet, në ministri”, ndryshe nga ata që janë brenda makinave dhe “që kanë për vete dyzetë gojë”, nëse iu mungon, siç thotë poeti, “një kuzhinë”. Këto krijesa të përulura janë modeli i qytetarit për poetin zyrtar të regjimit ateist komunist. Mesazhi i tij është se ato janë shembulli i qytetarit. Dhe diktatura kishte nevojë për promovimin e vlerave të nënshtruara si model për t’u ndjekur. Skllavi ishte njeriu që duhej ekspozuar si shembull i qytetarit model.

Realiteti, në të vërtetë, ishte ndryshe. Në krye të hierarkisë shoqërore ishte një grup i pandryshueshëm njerëzish, të cilët e kishin zaptuar pushtetin (politik apo kulturor) me dhunë dhe nuk kurseheshin të godisnin – edhe duke eliminuar fizikisht – këdo që do të synonte ndryshimin e rendit të gjërave. Harmonia mes mësueseve të fshatit ishte, pak a shumë, si harmonia e besimeve fetare në Shqipëri sot. Ata që mburren me të si vlerë e shoqërisë përcjellin thuajse të njëjtin mesazh me Kadarenë gjatë revolucionit kulturor. Revolucioni ishte dhunë ndaj kulturës.

Në dekadën e fundit, veç të tjerave, është vënë re edhe një qëndrim shtesë: harmonia fetare në Shqipëri është shembullore, por ajo është e kërcënuar nga “ekstremizmi islamik”. Këto akuza nuk vijnë nga komunitetet e fetare jomyslimane, por nga politikanë, shkrimtarë e personazhe nga fusha të tjera, të njohur si ateistë. Kadareja është mes tyre.

Të gjithë këta, secili në mënyrën e vet, janë në një kryqëzatë për fajësimin e Islamit për të gjitha ngjarjet historike që ata i mendojnë si negative. Jo gjithmonë e bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për shembull, fajësojnë Perandorinë Osmane se nuk hapi shkolla shqipe, sikur ajo e kishte për detyrë ta bënte këtë, kur, në fakt, nuk e kishte. Një qeveri, një shtet, perandori e kushdo qoftë tjetër nuk gjykohet për atë që nuk bën, por për atë që bën. Në qoftë se do të kërkojmë përgjegjësitë e të shkuarës (për sjellje që ne i konsiderojmë gabime ose faje sot), atëherë këtë nuk mund ta bëjmë në mënyrë përzgjedhëse. Edhe Perandoria Bizantine nuk hapi shkolla shqipe në trojet shqiptare, edhe Perandoria Romake nuk hapi, edhe Britania e Madhe nuk na ndihmoi gjatë Luftës së Dytë Botërore (siç ndihmoi Greqinë e kam fjalën), e kështu me radhë. Megjithatë, s’ka në Shqipëri njeri të ulërasë për të këqijat që Krishtërimi i ka bërë botës shqiptare, duke mos i ndërtuar, 70 vjet apo disa shekuj më parë, një Shqipëri që ekziston në imagjinatën e disa shqiptarëve të sotëm.

Myslimanët shqiptarë, po të duan, kanë shumë për të thënë për Evropën dhe, pa gabuar hiç, mund ta identifikojnë atë me Krishtërimin. Ata mund ta gjykojnë atë për ato që ka bërë dhe jo për ata që do të donin myslimanët e sotëm të bënte. Madje, myslimanët shqiptarë, si shumicë, mund të kishin ndikuar që në aeroportin e Rinasit (i vetmi aeroport në Shqipëri) të ishte vendosur një pllakat me përkufizimin e një prifti françeskan, Gjergj Fishtës, për Evropën, të skalitur në të: “Uh! Evropë, ti kurva e motit / Qi i rae mohit besës së Zotit / Po á ky a sheji i gjytetnis / Me da token e Shqypnis / Per me mbajt klysht e Rusis?” Por nuk e kanë bërë e s’kanë ndërmend ta bëjnë, madje ata s’kanë kundërshtuar as që në aeroport ateistët servilë të politikës së Tiranës ngritën shtatoren e një murgeshe të krishterë, e cila, si misionare e krishterë, nuk ka punuar asnjë ditë në Shqipëri.

Disa të tjerë mundohen t’i fajësojnë myslimanët shqiptarë për krimet e komunizmit, ngaqë Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj., kishin origjinë myslimane. E para, kjo akuzë është qesharake, sepse komunizmi kishte një platformë të qartë ideologjike pa asnjë lidhje me mësimet e shenjta të Islamit; e dyta, viktimat më të mëdha të komunizmit ishin vetë myslimanët.

Sulmet e ateistëve ndaj Islamit në Shqipëri kanë disa arsye. Një pjesë mendojnë se Krishtërimi është feja e preferuar e BE-së (ku Shqipëria synon anëtarësimin) dhe gjejnë rastin të hedhin ndonjë gur kundër Islamit si shenjë devotshmërie ndaj “integrimit”, një pjesë ngaqë lulëzojnë në konflikte dhe orientohen në dynja vetëm duke përcaktuar qartë armikun, një pjesë ngaqë janë idiotë dhe, pjesa më e dëmshme, ngaqë janë politikanë.

Besimtarët myslimanë kanë dy cilësi që bien ndesh me demokracinë shqiptare, në gjendjen që ajo është: një konstrukt moral të fortë dhe përbëjnë shumicën e elektoratit. Në demokraci fitohet me shumicë, por, kur nuk i përmbahesh moralit të saj, atëherë mundësia e humbjes është serioze. Në vend të përmirësojnë veten, politikanët sulmojnë fenë islame, me synimin për t’u imponuar myslimanëve një ndjenjë inferioriteti dhe, duke i detyruar kështu, të pranojnë të tërhiqen prej hunde, në kryqëzatën e botës materiale ndaj asaj transcendentale.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit