7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Kryeimami i Klinës, Blerim Musliu: të shërbesh në qytetin shembull për tolerancën fetare

Më të lexuarat

Është i lumtur që qyteti i tij Klina (komunë në pjesën qendrore të Kosovës), edhe pse një vend i vogël, ka arritur të prodhojë lajme pozitive sa i përket tolerancës fetare.

Fjala është për Blerim Musliun, kryeimamin 34 vjeçar që është një shembull i kultivimit të tolerancës dhe mirëkuptimit.

Ai në një intervistë për tesheshi.com tregon si ja del të ju ndihmojë të gjithëve pa dallim, qofshin muslimanë apo katolikë, ndërsa tregon edhe për kohën e studimeve në Medinë, për gjendjen e jetës fetare në fshatrat e Klinës, e objekteve fetare – xhamive dhe tema tjera.

 Intervistoi: Blendi Gashi

Jeni kryeimam i Klinës, një komune ku toleranca fetare respektohet. Si është të jesh imam ditët e sotme? Na tërhiqni një paralele në mes gjeneratës së hoxhallarëve të vjetër dhe gjeneratës tuaj?

Në të dy gjeneratat, misioni i hoxhës i ka të mirat por edhe sfidat. Si do që të jetë, ai që e ka për zemër këtë pune ja del në çfarëdo kohe.
Nuk ka privilegj më të madh se me kanë trashëgimtarë i pejgamerëve, ngase e bartë të njëjtin mision dhe i thërret njerëzit në të njëjtin mision, pra në misionin e ndershëm që njerëzit me i ofruar te Zoti, me i mësuar të mirën, me iu afruar ushqimin shpirtëror, pra s’ka ndjenjë më të mirë se njeriu me qenë i bereqetshëm në shoqëri.

Si ju shkoj Ramazani sivjet? Po iftaret që organizuar për këtë muaj të Shenjtë?

Prej vitit 1999 agjëroi Ramazanin. Si edhe çdo vit tjetër edhe sivjet falë Zotit më ka shkuar mirë. Është prej me të mirëve, edhe pse disa Ramazane i kam kaluar në Medine të cilët nuk mund t’i harroj asnjëherë.

Vetëm iftarin e parë e kam bërë në shtëpi, kurse tjerët me popull, ku jam njohur me njerëz të ri, në një atmosferë të mirë.

Na tregoni pak si është të jetosh në Medine dhe dallimet e iftareve atje dhe në Kosovë?

Për mua ka qenë ëndërr të studioj ku e ka varrin Pejgameri, pra në Medine, ku kam jetuar gjashtë vjet.

Në përgjithësi jeta atje është shumë e mirë. E ndjen ngrohtësinë të qenit afër Pejgamerit. Është një atmosferë e papërshkrueshme. Në xhaminë e Pejagemerit mblidhen miliona njerëz në sofër.

Unë si hoxhë e ndiej mungesën e atyre iftareve, megjithatë puna e hoxhës që bëjë ku ju ofroj njerëzve ushqim shpirtëror, ma mbush të them atë zbrazëtirë.

A kanë marrë pjesë në ndonjë iftarë edhe miqtë tuaj katolik, konkretisht prifti Lorenc Sopi? Ç’marrëdhënie keni me të, sa shpesh takoheni?

Në iftarin që e ka organizuar kryetari i komunës ka marrë pjesë edhe prifti Lorenc.

Dua të them se Klina është vend i vogël, mirëpo ka arritur të prodhojë lajme pozitive sa i përket tolerancës fetare edhe në kohën kur bota në përgjithësi flet për probleme ndërfetare.

Ne vazhdimësi nga mediat është pasqyrë e vogël ne realitetin e madh qe ekziston.

Realiteti i bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërfetar është element i rrënjosur në zemrat e njerëzve, në karakterin e tyre, edukatën e tyre, ai që jeton në Klinë mundet me qenë dëshmitarë i një realiteti të tillë, duke filluar nga njerëzit që kanë fqinjësi të mirë, s’ka fyerje, nxitje ose diç tjetër.

Kjo shihet në lokale e rrugë, ku katoliku e muslimani rrinë bashkë, si dhe hoxhallarët dhe priftërinjtë kanë takime të vazhdueshme, qoftë në organizime të caktuara apo në ndeja private, ku ulën për të pirë kafe, luajnë futboll së bashku, por realiteti i tolerancës fetare pasqyrohet edhe në ndihmat reciproke ndaj njëri-tjetrit.

Dua ta ceku se në një nga Kurban Bajramet kam bërë thirrje që mishi i Kurbanit të ndahet edhe me fqinjët e besimit katolikë.

Po, ç’bashkëpunim keni me hoxhallarët, konkretisht me kryeimamët e komunave tjera?

Si kryeimam kam raporte të mira sidomos me hoxhallarët te komunave që na rrethojnë. Bashkësia Lokale në Klinë zhvillon takime të përbashkëta në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, bëjmë shkëmbime të imamëve me lejen e BIK-it si dhe në raste të caktuara ofrojmë edhe ndihma, qoftë edhe në aspektin e resurseve njerëzore apo humanitare.

Të flasin për familjet nevojtare. Sa po arrini t’i ndihmoni ato?

Çështja humanitare është pjesë e vazhdueshme e punës sonë. Falë njerëzve të vullnetit të mirë, qoftë atyre nga mërgata apo të shoqatave të ndryshme, arrijmë që qytetarëve t’iu ofrojmë ndihma.

Si Bashkësi Islame në Klinë ndihma përveç muslimanëve ju ofrojmë edhe katolikëve, dhe të gjithëve pa dallim feje.

Disa ndihma që na janë dhënë prej disa djemve nga Zvicra si BIK i kemi dërguar një pjesë edhe në Kishë te Don Lorenci, por ka ndodh edhe e kundërta.

Ditën e fundit të Ramazanit personalisht kam shkuar te dy familje të besimit katolik dhe i kam shpërnda disa pako me gjëra ushqimore, për çka më kanë falënderuar.

Si është gjendja e jetës fetare në fshatra, gjendja e objekteve fetare – xhamive?

Është pozitive pasi edukimi i rinisë për fenë ka arritur nëpër fshatra dhe ka shumë banorë që kanë arrit me u bërë praktikues të fesë. Një sfidë që kemi është mungesa e objekteve fetare, pra xhamive, pasi banorët e pesë apo gjashtë fshatrave frekuentojnë një xhami, por shpresoj që kjo gjendje të ndryshojë në të ardhmen.

Na thoni sa jeni të kënaqur me xhematin – gjeneratën e re, si e shihni perspektivën e të rinjve të Klinës por edhe rinisë kosovare në përgjithësi?

Një prej fokuseve të mija është puna me të rinjtë ngase edukimi i mirëfilltë i tyre është garancë për një shoqëri të shëndoshë.

Me një pjesë të gjeneratës që më ka rënë të punoj jam ndarë shume i kënaqur.

Një djalë i ri i edukuar në aspektin fetar është i mirë si nxënës, si anëtar i familjes, nesër si punëtor dhe është i frytshëm edhe për shoqërinë.

Shpresoj shumë dhe lus Zotin e madh që rininë tonë ta kthej vetëm nga e mbara.

Hoxhë, a ka ndonjë rast kur ndonjë i ri që të themi ka hyrë në ndonjë “rrugë pa krye” ka kërkuar ndihmë nga ju që ta udhëzoni?

Rastet janë të shumta qoftë të atyre që më shkruajnë dhe falënderojnë që kanë nisur të falen pasi e ndjejnë vetën besimtarë, por edhe atyre që përmes ligjëratave dhe mësimeve kanë arrit me u ngrit në vetëdijen dhe besimin e tyre.

Por dua ta përmendi një rast konkret kur një prind më ka falënderuar pasi kur djali i tij erdhi në xhami ju kthye normalitetit të jetës, pasi veç kishte hyrë të them në një rrugë qorre.

Hoxhë sot shqiptarët e besimit islam festojnë Bajramin. Mesazhet e Bashkësisë Islame çdo herë janë që të shtrihet dora e pajtimit me njëri-tjetrin. Cili është mesazhi juaj drejtuar muslimanëve?

Pas një muaji agjërim, falje, edukim, mendoj se kemi arrit me fisnikëru shpirtin, kemi arrit falje prej Zotit dhe kjo duhet të na shoqëroi në jetën tonë të përditshme dhe të reflektojë fillimisht te çështjet e besimit e pastaj në edukatën dhe moralin tonë.

Fisnikërimi i shpirtit që kemi bërë duhet të na bëjë të tillë ku i falim dhe duam të tjerët, jemi afër nevojtarit, afër familjeve tona sepse vetëm në këtë mënyrë e arsyetojmë faljen që na ka bërë Zoti.

Përmes medias suaj, ju uroj gjithë besimtarëve muslimanë festën e Bajramit. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit