7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Kriza politike në Maqedoni synon zgjidhjen në Bruksel

Më të lexuarat

Në Bruksel, të hënën (30.04), pritet të fillojnë negociatat midis dy partive kryesore në Maqedoni VMRO-DPMNE dhe LSDM për daljen e vendit nga kriza politike.
 
Këto negociata do të zhvillohen me ndërmjetësim të eurodeputetëve të PE-se, demokristianit Eduard Kukan, liberalit Ivan Vajgëll, dhe socialistit Riçard Houit. Treshja e europarlamentarëve do të ketë një mision të vështirë për të negociuar me përfaqësuesit e partive politike nga Maqedonia, meqë pas skandalit të përgjimeve, dy partitë më të mëdha maqedonase kanë qëndrim diametralisht të kundërt për tejkalimin e krizës politike në vend. Derisa partia në pushtet VMRO-DPMNE, kërkon zgjidhjen e krizës përmes instancave gjyqësore, LSDM-ja opozitare kërkon formimin e qeverisë kalimtare dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, kërkesë kjo që fillimisht është rrefuzuar nga VMRO-DPMNE, raporton DW.
 
BDI pro ndërmjetësimit ndërkombëtar
 
Në fillimin e negociatave në Bruksel për tejkalimin e krizës në Maqedoni nuk është ftuar partia shqiptare në qeveri BDI. Nga kjo parti thonë se ata do të inkuadrohen në bisedimet e mëtejshme. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdylaqim Ademi thotë se nga fillimi i krizës politike në vend, BDI me këmbëngulësi ka kërkuar ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.
 
“ Ne kemi kërkuar kyçjen e faktorit ndërkombëtar për tejkalimin e krizës me vendosjen e një dialogu të mirfilltë. Ne përshëndesim fillimin e negociatave të paralajmëruara mes subjekteve politike të Maqedonisë në Bruksel. BDI duhet të jetë pjesë e dialogut dhe pjesë e zgjidhjes dhe tejkalimit të kësaj situate të ndërlikuar politike në vend”, shprehet Abdylaqim Ademi.
 
Kriza është serioze – duhen negociatorë të guximshëm
 
Iniciativa e ndërmjetësimit të Parlamentit Evropian përbën një fillim të mirë për t’i ulur në tryezë palët dhe për t’u njohur me qëndrimet e tyre, por zgjidhja e krizës kërkon angazhimin e të gjithë institucioneve të BE-së përfshirë këtu nivelin më të lartë të saj, vlerësojnë analistët.
 
Analisti Petar Arsovski thotë se me vetë faktin që negociatat fillojnë në Bruksel e jo në Shkup, tregon se institucionet e Maqedonisë dukshëm kanë humbur kredibilitetin e vet.
 
“Edhe partia në pushtet pranon faktin se institucionet dhe ambienti në Maqedoni nuk kanë kapacitet për të realizuar një dialog korrekt, andaj ata udhëtojnë për në Bruksel. Vlerësoj se niveli i negociatorëve është i ulët dhe nuk mund të ketë efektin e pritur. Kriza në Maqedoni ka eskaluar dhe aty duhet të ndërmerren hapa të guximshëm”, vlerëson Arsovski.
 
Bojan Mariqiq, nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian, është i mendimit se për tejkalimin e krizës në Maqedoni kërkohen ndërmjetësues të kalibrit të Karl Bild, Kethrin Eshton, apo Mirosllav Lajçak.
 
“Këto personalitete kanë përvojë në zgjidhjen e krizave në Ballkan. Marrëveshjet, që arrihen në Bruksel, duhet të zbatohen në Maqedoni, por nga përvoja e deritanishme një gjë e tillë shumë vështirë arrihet tek ne“, vlerëson Mariqiq.
 
Malevski: Mossuksesi i bisedimeve do të thellojë krizën
 
Negociatat mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-se në Bruksel janë thikë me dy teha, thotë profesori universitar Denko Malevski. Mossuksesi i tyre mund të ndikojë që konflikti të zgjerohet edhe në anën shqiptare, që do të mund të bëhej edhe më i ndërlikuar. Roli i lehtësuesve ndërkombëtarë është i dobishëm, por nga një herë ai duket të jetë edhe si ”blerje kohe”.
 
“Pas këtyre ndërmjetësuesve duhet të qëndrojë ndonjë forcë kredibile, e cila do të bënte presione për gjetjen e zgjidhjes, gjë që është e nevojshme në të tilla situata. Sepse po të ishte ndryshe, këto konflikte në botë do t’i zgjidhnin priftërinjtë, ose fituesit e çmimeve për paqë”, thotë Denko Malevski, ish ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë.
 
Në dialogun politik në Bruksel partitë nga Maqedonia do të përfaqësohen nga zyrtartë të nivelit të ulët, ndërsa ndërmejtësues do të jenë eurodeputetët. Në këtë situatë zgjidhja nuk është e mundur, thotë ish kryeparlamentari Stojan Andov. Gjithnjë sipas tij, përfaqësuesit nga Maqedonia, që shkojnë në Bruksel, nuk kanë asnjë autorizim, që do të mundësonte fillimin e zgjidhjes së krizës.
 
“Me përfaqësues të partive vështirë se mund të tejkalohet kriza. Në Bruksel duhet të udhëtojë kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i opozitës, Zoran Zaev. Vetë prezenca e tyre atje, mund t’i obligojë ata që marrëveshjet e arritura, në përpikshmëri të zbatohen në Maqedoni”, thotë Andov.
 
Se bisedat, që do të zhvillohen në Bruksel, duhet të jenë të një niveli më të lartë, është e mendimit edhe Simonida Kacarska nga Instituti për Demokraci Evropiane. Eurodeputetët edhe në të kaluarën kanë pasur rolin e ndërmjetësimit për kriza të ndryshme në Maqedoni, por epilogu i këtyre ndërmjetësimeve nuk ka qenë çdo herë i suksesshëm. Maqedonia tani është përfshirë në një krizë akoma më të thellë politike, prandaj Kacarska nuk është shumë optimiste se fillimi i bisedimeve në Bruksel do të mund ta zgjidhë krizën në Maqedoni.
 
“Shpresoj se në periudhën e ardhshme do të ketë një përfshirje në nivel më të lartë nga BE-ja, por edhe nga përfaqësues eminentë të organizatave të tjera ndërkombëtare. Çdo marrëveshje e arritur në bisedime duhet të ketë monitoruesin e fortë, i cili do të ndjekë zbatimin e saj në praktikë. Çdo lëvizje nga ky koncept hap rrugën e thellimit të krizës në Maqedoni”, vlerëson Kacarska.
 
Në takimin e së hënës në Bruksel partinë në pushtet VMRO-DPMNE pritet ta përfaqësojë ministri i jashtëm, Nikolla Popovski, ndërsa opozitën maqedonase, Radmilla Sheqerinska./DW 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit