Kritika Kusari-Lilës edhe për shkurtimin e pushimit të lehonisë

0
50

Çështja e pagesës dhe e kohëzgjatjes së pushimit të lehonisë, edhe pas fillimit të implementimit të Ligjit të Punës po vazhdon të vlerësohet si problematike nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ekonomike si dhe atyre që mbrojnë interesat e grave. Ata kanë dhënë vërejtje dhe qëndrime të ndryshme lidhur me amendamentimin e këtij ligji e disa kanë rekomanduar që të shkurtohet pushimi i lehonisë nga dymbëdhjetë në nëntë muaj.

Në seancën plenare të së enjtes, në Kuvendin e Kosovës, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari – Lila, pati thënë se asociacionet e biznesit nga sektori privat kanë ngritur si çështje mundësinë e shkurtimit të pushimit të lehonisë me qëllim që të mos rritet numri i femra të papuna në Kosovë.

Deklarimet e ministres i ka vlerësuar si “të pabaza” dhe “të turpshme”, kryesuesja e Këshillit ekonomik social (KES), Zeneta Daci, sipas të cilës bizneset më të mëdha në Kosovë, përkrahin tjetër ide dhe jo atë të shkurtimit të pushimit të lehonisë.

“Ministrisë së Punës duhet t’i preferojmë dhe kërkojmë që të nisë procedurën e amendamentimit të Ligjit të Punës dhe t’i kërkohet reciprocitet Qeverisë, që katër muaj e gjysmë të pushimit të paguhen nga Qeveria dhe katër muaj e gjysmë nga punëdhënësit. Po ashtu nga të dyja palët të paguhet 70 përqindëshi i rrogës së lehonës”, ka shtuar Daci.

E tërë kjo ide për shkurtim të pushimit, sipas Dacit, ka rrjedhur nga Oda Ekonomike Amerikane.

Ajo e ka porositur ministren e Tregtisë, Kusari – Lila që të angazhohet në investime prodhuese që mund të punësohen të dy gjinitë dhe të mos e shohë zhvillimin ekonomik përmes shkurtimit të pushimit të lehonisë.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar i ministrit për Punë dhe Mirëqenie Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, ka thënë se Ligji i Punës me nenin 49 e ka përcaktuar pushimin e lehonisë në të cilin thuhet se femra e punësuar gëzon të drejtën të ketë 12 muaj pushim të lehonisë.

“Për gjashtë muajt e parë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70 për qind të pagës bazë, kurse për tre muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës, me kompensim 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë, konkretisht nga MPMS-ja”, ka thënë Gaxhiqi.

Ai ka potencuar se në vitin 2013 do të parashihet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit të Punës me ç’rast do të merret parasysh edhe pushimi i lehonisë.

Ndërsa, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka potencuar se “OEAK propozon që pushimi 9-mujor i lehonisë të strukturohet ashtu që të jenë 3 muaj pushim të paguar me pagesë prej 70 për qind të pagës së punëtorit, të bërë nga punëdhënësi, 3 muaj pushim me pagesë prej 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë, të bërë nga Qeveria si dhe 3 muaj pushim pa pagesë”, thuhet në propozimin e OEAK-së.koha/kohaislame