10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Kripa me mikroplastikë: Ja si helmohemi çdo ditë nga ndotja e oqeaneve

Më të lexuarat

Tashmë mikroplastika, ka mbërritur edhe në tenxheret e kuzhinës tonë, dhe ka ndotur edhe kripën që përdorim për t’u dhënë shije gjellëve, apo kur e hedhin në ujin e valë para gatimit të makaronave. Kjo është zbuluar nga një studim i organizatës Greenpeace, që analizoi 39 mostra nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Italinë.

Hulumtimi, fryt i një bashkëpunimi mes shoqatës ambjentaliste dhe Universitetit të Inçeonit

në Korenë e Jugut, u botua në revistën ndërkombëtare “Environmental Science & Technology”. Dhe kjo tregon se si gati 90 për qind e mostrave të testuara (36 nga 39), përmbanin mikroplastikë, ose fragmente më pak se 5 milimetra të gjatë polietileni, polipropileni dhe polietileni tereftalati (PET), të cilat janë llojet më të përdorura për të prodhuar ambalazhet njëpërdorimshe. Në praktikë, duke marrë parasysh mesataren ditore prej 10 gramë kripë, që mund të konsumojë një i rritur, vetëm përmes konsumit të kripës së kuzhinës, ai fut në orhanizëm edhe rreth 2 mijë copa mikroplastike në vit.

Më e keqja? Kripa e detit

Analiza shqyrtoi kripën e detit, që vjen nga liqenet e kripura dhe minierat. Në përgjithësi, në mostrat e kripës në det u vu re një prani më të madhe e mikroplastikës (ndërmjet 0-1674 mikroplastikë për kg), pasuar nga mostrat e kripës së liqeneve të kripura (28-462 mikroplastikë për kg), dhe minierave (0-148 copë mikroplastike për kg).

Më shumë plastikë në det, më shumë plastike në kripën e kuzhinës

Hulumtimi tregoi gjithashtu, se sa e fortë është lidhja midis niveleve të ndotjes së mjedisit dhe ndotjes së mostrave të marra në shqyrtim:në fakt duke analizuar të gjitha mostrat, ato nga Azia kanë shënuar nivelin më të lartë mesatar të ndotjes, me nivele deri në 13 mijë copë mikroplastikë në një mostër në ujërat e Indonezisë, e cila sipas studimeve të fundit, është e dyta për kontributin global të plastikës së hedhur në dete.

Angazhimi i kompanive

Që mikroplastika është e pranishme në shumë produkte ushqimore (peshku dhe frutat e detit, uji i rubinetit) nuk është diçka e re. Dhe ky studim, vetëm sa e konfirmon situatën dramatike të ndotjes plastike, dhe se si tani është e pamundur që ne të shpëtojmë, pa u dëmtuar nga një ndotje e tillë.

“Është e domosdoshme që kjo ndotje të ndalet që në burimet e saj – thotë Xhuzepe Ungereze, menaxheri i fushatës së Greenpeace në Itali – dhe është e rëndësishme që korporatat e mëdha të bëjnë pjesën e tyre, duke reduktuar në mënyrë drastike përdorimin e plastikës se disponueshme për paketimin e produkteve të tyre”.

Kjo është arsyeja se përse në muajt e fundit, Greenpeace ka ndërmarrë një peticion, të nënshkruar nga gati 2 milionë njerëz në mbarë botën, e cila i kërkon kompanive të mëdha si Coca-Cola, Pepsi, Nestle, Ferrero, Unilever, San Benedetto, Procter & Gamble dhe McDonald-së të marrin përgjegjësinë e tyre, duke filluar të reduktojnë përdorimin e ambalazheve plastike në treg.

Menaxhimi i mbeturinave

“Rezultatet sugjerojnë se gëlltitja e mikroplastikës nga njerëzit, mund të ndodhë edhe përmes produkteve detare, të tilla si kripa e tavolinës, si dhe nga ekspozimi i njeriut, që mund të varet nga nivelet e ndotjes në zona të ndryshme gjeografike”- thotë Kim Seung -Kyu, profesor i Universitetit të Inçeonit në Korenë e Jugut, dhe autor i artikullit studimor.

“Për të kufizuar ekspozimin tonë ndaj mikroplastikës – përfundon profesori – janë të nevojshme masat parandaluese përsa i përket hedhjes së plastikës në det, menaxhimit më të mirë të mbetjeve në tokë, dhe mbi të gjitha të reduktimit të prodhimit të mbeturinave plastike”.

Burimi: Galileonet – Bota.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit