Kreu i BFI-së: Medresetë të pranohen si shkolla shtetërore

0

Rexhepi apeloi për themelimin e një iniciative për ngritjen e zërit fetar dhe kombëtar deri te qeveritë aktuale për ta pranuar si domosdoshmërisht të patjetërsuar nevojën e akreditimit të medreseve si shkolla të mesme shtetërore

OHËR (AA) – Këto dy ditë në Ohër profesorë, akademikë, punonjës të arsimit islam, si dhe përfaqësues të bashkësive islame nga Maqedonia dhe rajoni, do të debatojnë në konferencën e tretë ndërkombëtare me temë “Medresetë shqiptare në kohën e sotme: Kurrikulat dhe tekstet shkollore”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo konferencë ndërkombëtare organizohet nga Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam (IIIT) dhe Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC), në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara (CNS) – Sarajevë dhe Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup.

Synimet e konferencës janë përpjekjet për të studiuar, analizuar dhe evidentuar zhvillimet e aspekteve të ndryshme të mendimit islam te shqiptarët, gjendjen aktuale, sfidat me të cilat përballet dhe perspektivat e saj. Në këtë konferencë po ashtu do të prezantohen e modele të arsimit islam nga bashkësitë islame fqinje, siç janë Sanxhaku dhe Bosnja.

Drejtor i AIITC-së, Ramiz Zekaj, në hapjen e konferencës tha se këto takime organizohen për ndërgjegjësimin e studiuesve, akademikëve, intelektualëve dhe i të gjithë atyre që kujdesen, punojnë dhe kontribuojnë në fushën e dijes, kulturës dhe arsimit islam, për produktin dituror, intelektual dhe edukativ që i ofrojnë shoqërive të hapësirës shqiptare.

“Konferenca e Ohrit ka objektiv të trajtojë dhe analizojë në mënyrë shkencore dhe të zgjeruar kurrikulat dhe tekstet shkollore në medresetë e hapësirës shqipfolëse, por edhe më gjerë në rajonin e Ballkanit. Medresetë kanë qenë, janë dhe mbeten institucionet arsimore islame me traditën më të gjatë të mësimdhënies së rregullt në planin fetar e kombëtar dhe që mbajnë në bankat e tyre numrin më të madh të nxënësve e studentëve të interesuar për edukim islam”, deklaroi Zekaj.

“Medresetë në hapësirat shqiptare kanë luajtur rolin e kalitjes së personaliteve”

Ndërkaq, kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) i Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, deklaroi se medresetë në hapësirat shqiptare të Ballkanit kanë luajtur veç të tjerash edhe rolin e kalitjes së personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme fetare dhe kombëtare.

Rexhepi apeloi për themelimin e një iniciative për ngritjen e zërit fetar dhe kombëtar deri te qeveritë aktuale për ta pranuar si domosdoshmërisht të patjetërsuar nevojën e akreditimit të medreseve si shkolla të mesme shtetërore. “Ne si shoqëri nuk guxojmë që edhe më tej të veprojmë si shoqëri private. Akreditimi i shkollave tona të mesme, me të gjitha specifikat e veta, dallimet dhe lëndët e veçanta, duhet të konceptohen si vlera të pamohueshme në sistemin e gjithmbarshëm arsimor. Kjo është sfida prioritare, kujtoj unë, që urgjentisht duhet ta tejkalojmë”, deklaroi Rexhepi.

“Ndër pak aspekte pozitive që zhvillohen në Ballkan është edhe arsimi islam”

Nga ana tjetër, kryetari i CNS-së, Sarajevë, Ahmet Alibashiq, deklaroi se në Ballkan ka shumë pak aspekte pozitive që janë duke u zhvilluar dhe një ndër ato pak aspekte është edhe arsimi islam. “Në përgjithësi imazhi i Ballkanit në Evropë nuk është aq i madh apo i vlerësuar dhe nëse flasim në këndvështrimin intelektual shumë pak njerëz presin që gjërat e rëndësishme të dalin nga Ballkani. Megjithatë, ka një gjë që këto ditë në Bruksel flitet me një lloj respekti dhe kjo ka të bëjë për arsimin islam në Ballkan”, deklaroi Alibashiq.

Alibashiq apeloi që të bashkëpunohet së bashku dhe të krijohet sinergji, sepse siç tha ai, individualisht të gjithë janë të vegjël, por nëse burimet bashkohen mund të bëhet një ndryshim i madh.

Ndryshe, kjo konferencë dy ditore është e ndarë në gjashtë sesione në të cilat njohës dhe profesorë universitar të shkencave islame nga vendi dhe rajoni do të debatojnë mbi medresetë midis së kaluarës dhe të sotmes, metodat e mësimdhënies në medresetë shqiptare, si dhe çështje të tjera të kurrikulave të lëndëve fetare islame.