Krasniqi Qeverisë: Kujdes me politikën serbe

0
49

Qeveria e Kosovës është në përpjekje të një zgjidhjeje pozitive të çështjes së veriut dhe ka marrë iniciativë për formimin e një zyre ekzekutive në përpjekje që hap pas hapi të realizohet zbatimi i dokumentit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisarit. Kështu deklaroi kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e vlerësoi sot pozitivisht largimin e barrikadave nga ana e paqëruajtësve të KFOR-it nëpër rrugët në veri të vendit . Ai tha se të gjithë qytetarëve të vendit duhet t’u garantohet liria e lëvizjës. Sipas Krasniqit, Qeveria e Kosovës ka marrë një iniciativ pozitive për formimin e një zyreje ekzekutive në përpjekje që hap pas hapi të realizohet zbatimi i dokumentit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisarit.

“Qeveria, realisht ka marë një iniciativë për formimin e një zgjidhjeje pozitive dhe është në përpjekje që hap pas hapi të zbatohet dokumenti gjithëpërfshirës i dokumentit të Ahtisarit. Kosova duhet të bisedoj me të gjithë qytetarët dhe të përpiqet me ngrit kualitetin e jestës së tyre në cilëndo pjesë të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur se a është kundër përfshirjes së Beogradit në dialogun e Qeverisë së Kosovës me serbët e veriut, Krasniqi tha se nuk ka ndonjë informacion të tillë, përveç asaj që është shkruar në media. Ai sygjeroi edhe politikën kosovare që të ketë kujdes me politikën serbe, sepse ajo serbe, gjithnjë ka prodhuar dhunë:

“Ne e dimë që politika serbe është përpjekur me dekada në mënyrë selektive të krijojë shqiptarë të ndershëm dhe të pandershëm, dhe ne i dimë rezultatet e asaj politike. Politika shqiptare në asnjë formë nuk duhet të jetë në gjurmët e politikës së serbëve, e cila ka prodhuar vetëm dhunë”.

Gjithashtu, Krasniqi, ka thënë se komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë Brukseli, duhet të ketë një komunikim më të ashpër në mënyrë që të detyrojë Beogradin t’i shpërbëjë strukturat e saj paralele në veri të Kosovës. Pas takimit të Kryesisë , u vendos që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 7 qershor./zhurnal/kohaislame