10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Krahasimi i forcave, Shqipëria nuk është gjëkundi në raport me shtetet e Ballkanit

Më të lexuarat

Shtetet baltike ngrenë alarmin për rrezikun rus, Franca dhe Gjermania kanë filluar të mendojnë për mbrojtje të veçantë.

Gjithë kjo për shkak se Evropa druhet nga mundësia që Presidenti Trump mund të vendosë në favor të dobësimit të NATO-së. Në rast të një skenari të tillë, çfarë mund të bëjë Shqipëria?

Ditë me parë revista prestigjioze “Spiegel” ka shkruar se samiti i ardhshëm i liderëve të vendeve të NATO-së, i paraparë që të mbahet pak javë pas inaugurimit të Presidentit të ri amerikan, është shtyrë për më vonë.

Sipas “Spiegel” kjo ka ndodhur për shkak se aleanca druhet nga ndryshimet e mundshme të qasjes amerikane përballë Rusisë dhe NATO-së dhe konsiderojnë se samiti nuk ka ndonjë kuptim nëse më parë nuk qartësohen politikat e Trump.

Gjatë fushatës së vet, Trump disa herë ka folur për nevojën e ndryshimit të NATO-së dhe se ai nuk do të mund të garantonte sigurinë e anëtarëve të NATO-së që janë në kufi me Rusinë.

Sipas “Spiegel”, përballë mundësisë për një prani më të vogël amerikane në Evropë dhe tërheqjen e Amerikës nga programi i mbrojtjes raketore, shtetet e Evropës kanë filluar të mendojnë për fuqizimin e kapaciteteve të veta të mbrojtjes si dhe për një program të veçantë nuklear, si mbrojtje alternative për Evropën. Disa shtete të NATO-së veç kanë filluar planifikimin për rritje të ndjeshme të buxhetit të paraparë për mbrojtje.

Në kushte anonimiteti, zyrtarë të NATO-së i kanë thënë Opinion.al se një reagim i vakët nga Uashingtoni do të inkurajonte Rusinë për të shtrirë ndikimin e vet në shtetet përreth kufijve të vet, në Lindjen e Mesme si dhe në Ballkan.

Sipas këtyre burimeve, shtetet e Baltikut tashmë janë duke u përgatitur për çfarëdo formë ndërhyrjesh nga ana e Rusisë, përfshirë edhe një invazion të mundshëm ushtarak, ndërkaq në Ballkan pritet një ndërhyrje më e madhe e Rusisë në Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoni dhe sidomos në Kosovë, duke inkurajuar elemente radikale.

Po sipas këtyre burimeve, një zbehje e rolit udhëheqës të Amerikës në NATO do të detyronte shtetet si Gjermania dhe Franca t’i rikthehen projektit për një mbrojtje të përbashkët evropiane.

Pas zgjedhjes së papritur të Trump, në Evropë më ka nuk asgjë që konsiderohet si skenar i pamundshëm. Me fjalë të tjera, Evropa po përgatitet për të gjithë skenarët e mundshëm, përfshirë edhe mundësinë e shpërbërjes së NATO-së.

Nuk duhet harruar se pikërisht NATO garanton paqen në rajonin tonë dhe një tërheqje e mundshme e NATO-së do të fuqizonte elementet radikale në rajon dhe do të nxiste konflikte të reja.

Në rast të një skenari të tillë, çfarë është pozita e Shqipërisë? Nëse marrim për bazë raportin e forcave në rajon, në rast të një konflikti të ri në rajon, Shqipëria do të ishte pothuajse e pambrojtur.

Pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria mbrojtjen e vet ia ka besuar tërësisht NATO-së, duke bërë shumë pak investime në forca e veta të mbrojtjes. Aktualisht, Shqipëria, në total, ka 14.500 trupa aktive, kryesisht në reparte këmbësorie, ndërkaq të deklaruara janë deri në 5000 trupa rezervë, por nuk ekziston ndonjë program i veçantë për organizimin e tyre.

Sot, ushtria shqiptare ka kapacitete të lehta artilerie, asnjë tank dhe asnjë avion, ndërkaq hapësira ajrore shqiptare mbrohet nga avionë italian dhe grek.

Në rajon, situata është krejtësisht e pafavorshme për palën shqiptare. Serbia ka rreth 40000 trupa aktive si dhe 170.000 trupa rezervë si dhe 4500 trupa të specializuara të xhandarmerisë, ndërkaq në arsenalin e vetë ka 39 avionë, sisteme raketore, përfshirë edhe sistemin e avancuar rus “Buk 2”, 215 tanke si dhe 733 mjete të blinduara dhe me mijëra copë artilerie. Maqedonia ka 8000 trupa aktive dhe 4500 rezervë, ndërkaq në arsenalin e vet ka 31 tanke dhe trefish më shumë mjete luftarake të blinduara.

Greqia i ka 143.500 trupa aktive dhe dyfish më shumë rezervë, ndërkaq në arsenalin e vet ka 1345 tanke të tipave të ndryshëm si dhe 245 avionë luftarakë. Kroacia ka 15000 trupa aktive dhe 3000 rezervë, ndërkaq në arsenalin e vet ka tanket moderne M-84 si dhe avionë luftarakë F-14. Bullgaria ka 31000 trupa aktive dhe dhjetëfish më shumë trupa rezervë, ndërkaq në arsenalin e vet ka të gjitha pajisjet e nevojshme ushtarake. Kosova ka gjithsej 3000 trupa të armatosura lehtë.

Siç shihet nga raporti i forcave, në rast se Presidenti Trump zgjedh një politikë izolacioniste, duke zbehur rolin e Amerikës në Evropë, që do të çonte deri te dobësimi i NATO-së, si organizëm i mbrojtjes së përbashkët, që më pas do të nxiste rritjen e ndikimit rus dhe rrjedhimisht edhe konflikte të reja.

Përballë fqinjëve, historikisht me qëndrim armiqësor ndaj nesh, Shqipëria do të gjendej në një pozitë mjaft të vështirë. Me kapacitetet aktuale, pothuajse të papërfillshme, Shqipëria nuk mund të mbrojë as veten dhe as shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të saj. /Opinion.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit