7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Kostoja psikologjike dhe emocionale e shkaktuar nga COVID-19

Më të lexuarat

Ndërsa Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po rihapen me hapa të kujdesshëm, pas masave shtrënguese të izolimit në përgjigje të koronavirusit, ekspertët thonë se pasojat emocionale dhe psikologjike të krizës do të ndjehen për një kohë të gjatë. Kombet e Bashkuara u kanë rënë kambanave të alarmit për mundësinë e rritjes së rasteve të vetëvrasjeve dhe abuzimit me drogën dhe alkoolin duke u bërë thirrje vendeve të investojnë për shëndetin mendor. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me psikologen Earta Norwood dhe neuropsikiatrin Bashkim Kadriu.

Që nga frika për shëndetin tonë dhe të të dashurve tanë, tek pasiguria për të ardhmen, pyetjet ende pa përgjgje dhe tek ndryshimet dramatike në mënyrën e jetesës, kriza e koronavirusit ka sjellë ankth dhe stres të jashtëzakonshëm. Dr. Earta Norwood, është psikologe me praktikë në Nju Xhersi dhe Virxhinia.

“Kur mendojmë për ngjarje që shpesh janë zanafilla e stresit, depresionit apo stresit pas traumatik, këto janë ngjarje të pazakonta, janë shqetësuese, të frikshme, janë ngjarje në të cilat ne ndjehemi të pafuqishëm dhe nuk kemi rrugëdalje. Pandemia i plotëson të gjitha këto kushte”, thotë ajo.

“Ne presim të ketë impakt, numër të madh sëmundjesh mendore. Ajo që njihet si psikiatria e krizava këtu në Shtetet e Bashkuara, tregon që çdo krizë e madhe globale, qoftë kriza (financiare) e vitit 2008, apo pandemitë e mëhershme, kanë ndikuar që frekuenca e sëmundjeve neuropsikiatrike të rritet proporcionalisht me krizën”, thotë Dr. Bashkim Kadriu, neuropsikiatër dhe hulumtues shkencor në Institutin Kombëtar të Shendetit Mendor, në Bethesda të Merilendit.

Ai shton se grupe që përpara pandemisë kanë qenë në një pozitë të brishtë psikologjikisht apo fizikisht janë më të rrezikuar nga sëmundjet mendore, përfshirë ata që kanë prirje për abuzim me alkool dhe substanca të ndryshme.

“Në kohë krize, një pjesë e madhe njerëzish tentojnë të gjejnë mekanizma kompensatorë që të tejkalojnë këtë gjendje të rënduar psikologjike dhe shpeshherë këta mekanizma kompensatorë, mund të jenë mekanizma keqadaptues, të cilat mund të kenë pasoja tek personi edhe në të ardhmen.”

Shkencëtarët thonë se ndikimet në shëndetin mendor të COVID-19s mund të zgjasin edhe pasi të ketë mbaruar pandemia, jo vetëm për ata që kanë qenë të sëmurë por edhe për publikun e gjerë.

“Sa më i pafuqishëm ndjehet një person i ballafaquar, i përballur me këto kushte, aq më të rënda dhe më jetëgjata do të jenë pasojat që do të kenë muaj dhe vite më pas”, thotë Dr. Norwood.

Ajo shton se njerëzit po privohen nga kënaqësitë e vogla të jetës dhe nga ritet e traditat të rëndësishme, si lindjet, martesat, vdekjet. Dhe mbi të gjitha është mungesa e kthimit në ritmin normal të jetës.

“Kur do rikthehet ritmi normal? Nuk e dimë. Ritmi normal do të jetë njësoj si dikur apo do të na duhet të mësohemi me një normale të re? Të gjithë këta faktorë do të ndikojnë në aftësinë e njerëzve për t’u rehabilituar”.

Punonjësit e shëndetësisë janë më të ekspozuar se grupet e tjera dhe stresi i tyre është i shumëfishtë. Dr. Kadriu thotë se ai dhe kolegët e tij në Instituti i tij, po bën një studim pikërisht për pasojat tek ky grup.

“Studimet e mëparshme në Wuhan të Kinës ose në Evropë, tregojnë që mjekët ose infermierët që kanë punuar direkt me njerëz që vuajnë nga COVID-19, kanë shfaqur pasoja të rënda të shëndetit mental, ose shenja të rëndimit të gjendjes emocionale”.

Sipas një publikimi në Lancet Pschyciatric deri në 15 për qind e tyre ka shfaqur simptoma të rënda depresionit, ankthit ose çrregullimit me gjumë dhe deri 50-60 për qind e këtij grupi shfaqi simptoma të lehta, mesatare të depresionit dhe ankthit.

Dr. Norwood, thotë se sipas studimeve, 50 për qind e pacientëve të shtruar në njësitë e kujdesit intensiv, vuajnë nga stresi post-traumatik. Me pacientët e koronavirusit pasojat janë edhe më të rënda:

“Është ndërprerja e lidhjeve miqësore dhe izolimi që ndodh pas daljes nga spitali, është mungesa e stabilitetit, apo pasiguria ekonomike që gjithashtu ndjek daljen nga spitali”.

Ndërsa disa njerëz do t’i provojnë simptomat e ankthit, stresit post-traumatik dhe depresionit për herë, të parë, Dr. Norwood thotë se për ata që kanë vuajtur që më parë nga sëmundje mendore do të jetë më e vështirë.

“Nga një anë shpesh këta njerëz ose janë mësuar, ose përvoja i ka mësuar që të kërkojnë ndihmë të drejtohen tek mjeku, tek profesionisti. Por nga ana tjetër, në këtë situatë, edhe familjarët që shpesh janë burim mbështetjeje, tani edhe ata janë duke përjetuar depresion dhe stres për veten e tyre, kështuqë njerëzit që ndërkohë kanë pasur depresion janë të privuar edhe prej ndihmës së të afërmve”, thotë dr. Norwood.

Dr. Kadriu ka kryer disa studime për vetëvrasjen dhe mënyrat e parandalimit. Ai thotë se në 20 vitet e fundit, numri i vetëvrasjeve në Amerikë, është rritur me rreth 30 për qind.

“Për njerëz që e gjejnë veten në këtë krizë, në këtë ankth emocional, këtë mungesë të shpresës, trajtimi i përshtatshëm, trajtimi me kohë dhe bisedat që ne si individë zhvillojmë me njëri-tjetrin, mund të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e gjendjes emocionale të tyre, por edhe në ndryshimin e kahjes së vetëvrasjeve.”

Sëmundjet mendore kanë edhe një kosto të lartë ekonomike, duke kapur në Shtetet e Bashkuara shifrën 1 trilion dollarë, pasojë direkte e mungesave në punë, rënies së produktivitit, si dhe kostoja financiare e trajtimit të këtyre semndjeve.

Dr. Kadriu, thotë se simptomat që njerëzit ndjejnë në këto momente, nuk janë shumë të ndryshme nga ato që kanë përjetuar njerëz në shoqëri me konflikte dhe trazira sociale si Kosova dhe Shqipëria.

“Për shembull për ne në Kosovë, vetëizolimi gjatë bombardimeve të NATO-s është jashtëzakonisht i freskët dhe për shumë vetë ky izolim, karantinim, ka ngjallur përafërsisht një ndjenjë të njëjtë edhe pse ambjenti i jashtëm ka qenë komplet tjetër”.

Por ai thotë gjithashtu se kriza të mëdha kur të gjithë kanë nevojë për mbështetje psikologjike, mund të ndihmojnë në uljen e stigmës ashtu siç ndodhi në Kosovë, thotë ai kur pothuajse të gjithë vuanin pas luftës nga stresi post-traumatik.

“Në këto lloj rastesh ekziston një ndjenjë e normalizimit të stigmës që është një mundësi shumë e mirë për neve si mjekë dhe për fushën në përgjithësi që ne në mënyrë më të mirë t’i qasemi njerëzve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe të gjejmë mënyra se si t’i ndihmojmë këta njerëz”, thotë ai.

Dhe Dr. Norwood, thotë se nëse ka një gjë të mirë që mund të dalë nga kjo situatë është pikërisht zbutja e stigmës dhe zhvillimi i një të kuptuari të vuajtjes së të tjerëve.

“Nganjëherë mendoj që kur përballemi me situata të vështira, situata ka një çmim dhe këtë çmim, vendosim vetë se si ta paguajmë. Mund ta paguajmë me dëshpërim, me stres, me izolim? Apo duke kërkuar ndihmë dhe ndoshta duke na ardhur pak turp që po kërkojmë ndihmë, por ndoshta thyerja e stigmës është më e mirë sesa dhimbja dhe trishtimi”, thotë ajo.

Si Dr. Norwood edhe Dr. Kadriu, përmendin disa shenja të cilat duhet t’i ndjekim vetë për të dalluar shenja se po ndjejmë ankth apo depresion si çrregulllimet e gjumit, ankth I tepruar në krahasim me rrethanat, humbja e energjisë dhe motivimit dhe mbi te gjitha humbja e shpresës.

“Është shumë e rëndësishme që njeriu t’i vërë një qëllim vetvetes.Të krijojë një farë larmie në jetën e tij: ta zëmë të merret me aktivitete të përditshme, qoftë aktivitete sportive ndikojnë shumë pozitivisht në përmirësimin e gjendjes emocionale, meditimi ndikon mjaft në atë që njihet si mirëqenie psikologjike”, thotë Dr. Kadriu.

Dr. Norwood thotë se kjo është edhe koha që të lidhemi më shumë me miqtë dhe të afërmit.

“Të pyesim prindërit, gjyshërit, gjyshet për historitë e familjes, anekdotat e familjes, të mësojmë një recetë të re ashtu siç e bën gjyshja, apo të fillojmë të lexojmë një libër që kemi dashur gjithmonë ta lexojmë dhe gjithmonë e kemi lënë pas dore. Mbajtja e lidhjeve me familjarët dhe miqtë është shumë e rëndësishme.”

Të dy ekspertët mendojnë se media sociale është thikë me dy presa. Mund të jetë e mirë për të mbajtur lidhjet, por është mirë që të përdoret për lidhje që sjellin pozitivitet.

Por mbi të gjitha, e rëndësishme është që të jemi të duruar dhe tolerantë me veten.

“Mendja dhe trupi kanë nevojë të çlodhen dhe të rekuperohen sepse thjesht menaxhimi i të rejave dhe shqetësimi i situatës, është një punë më vete, është një peshë më vete. Kështuqë patjetër angazhohuni me projekte për të shtëpinë dhe receta të reja, por edhe atyre që u ka dalë receta shumë-shumë mirë, javën që kaloi iu dogj keku, kështuqë nuk kemi gjithmonë fitore”, thotë Dr. Norwood.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit