3.3 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

“Kosovës B” i zgjatet jeta deri në vitin 2040, me investime private

Më të lexuarat

Brenda muajit gusht pritet të qartësohen hapat që Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë rreth rehabilitimit të termocentralit “Kosova B” dhe mënyrën e përfshirjes së sektorit privat në termocentralin ‘Kosova B’.

Anëtarët e Komiteti Drejtues pritet të njihen me opsionet për rehabilitimin e këtij termocentrali që këshilltarët e transaksionit do t’i prezantojnë në mbledhjen e radhës që të mbahet brenda muajit gusht.Në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës rivitalizimi i këtij termocentrali nuk do të bëhet me mjetet nga buxheti i Kosovës, por duke e futur kapitalin privat në këtë termocentral.

E Komiteti Drejtues i projektit është obliguar nga Qeveria e Kosovës që të analizojë dhe të paraqesë opsionin më të mirë për përfshirjen e sektorit privat në termocentralin “Kosova B” me qëllim të përmbushjes së obligimeve të cilat dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Edhe pse nuk janë bërë të ditur opsionet që janë duke u diskutuar, përfshirja e kapitalit privat do të bëhet duke u bazuar në Ligjin për partneritetin publiko-privat.

“Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) ka kërkuar nga këshilltarët e projektit të analizojnë opsionet për përfshirjen e sektorit privat në termocentralin “Kosova B”, duke u bazuar në spektrin e mundësive që ofron kuadri ligjor në Republikën e Kosovës”, ka thënë Lorik Haxhiu, menaxher i projektit “Kosova e Re”.

Ligji për partneritet publiko-privat ka hyrë në fuqi më 15 nëntor të vitit 2011. Në këtë ligj është përcaktuar se një partneritet publiko–privat mund të realizohet përmes formës së koncesionit dhe të kontratës publike me kusht që operatori privat të realizojë një shërbim publik, apo në rastet kur merr përsipër rrezikun dhe përgjegjësitë financiare, teknike, ndërtimore dhe/ose operative në lidhje me ofrimin e shërbimit publik ose infrastrukturës publike.

Në këtë ligj është paraparë edhe mundësia e ndarjes së rrezikut dhe e obligimeve financiare me rastin e arritjes së një partneriteti publiko-privat.

E në nenin 6, pika 2.2 është paraparë që një proces i partneritetit publiko-privat të përshijë: riparimin, modernizimin, financimin, zgjerimin, mirëmbajtjen dhe operimin e infrastrukturës ekzistuese publike.

Kompetencat kryesore për realizimin e një partneriteti publiko-privat, në bazë të këtij ligji, i ka Komiteti për Partneritet Publiko-Privat i (KPPP), i cili duhet të përbëhet nga 5 ministra dhe krijohet me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Menaxheri i projektit “Kosova e Re”, Haxhiu, nuk ka dashur të tregojë për opsionet dhe mënyrën e përfshirjes së kapitalit privat në këtë termocentral, duke përfshirë nivelin e hises së shtetit.

“Opsionet do të paraqiten në takimin e radhës të Komitetit Drejtues të Projektit, i cili planifikohet të mbahet gjatë muajit gusht. Nga ky takim pritet të qartësohen hapat e mëtutjeshëm lidhur me ecurinë, kushtet dhe procesin e përfshirjes së sektorit privat në termocentralin ‘Kosova B’”, ka thënë Haxhiu.

Por ai ka shpjeguar se çka do të kërkojë Qeveria e Kosovës nga investitori.

“Nga sektori privat do të kërkohet të analizohet gjendja e objektit, të vlerësohen investimet e domosdoshme për përmbushjen e obligimeve, të realizohet projekti i rehabilitimit para viti 2018 dhe të operohet termocentrali në përputhje me standardet teknike dhe me rregullat e tregut konkurrues”, ka shpjeguar Haxhiu.

E obligimet që Kosova i ka marrë me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë pritet të reflektohen edhe në tarifat e energjisë elektrike, pasi për të plotësuar kriteret ambientale nevojiten 300 milionë euro investime në TC “Kosova B”. Këto investime duhet të kthehen përmes tarifave të energjisë elektrike.

Haxhiu thotë se obligimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE) me ndikim më të dukshëm nga pikëpamja e kostos janë ato që kanë të bëjnë me përmbushjen e kërkesës për të garantuar emetimet e termocentralit në limitet e përcaktuara me direktivën e Komisionit Evropian 2001/80/EC mbi kufizimin e emetimit të ndotjes së ajrit.

“Sipas studimeve, vlerësohet se kostoja e përmbushjes së kësaj direktive për njësitë e termocentralit “Kosova B” do të jetë rreth 300 milionë euro. Në këtë vlerë janë përfshirë elektrofiltrat e rinj, desulfurizimi, zvogëlimi i oksideve të azotit, trajtimi i ujërave nga procesi i prodhimit, etj.”, ka thënë ai. “Kosto tjetër e lidhur me njësitë e TC “Kosova B” kanë të bëjnë me investimet e domosdoshme për zgjatjen e jetës operative deri në vitin 2030 apo edhe deri në vitin 2040”.

Përveç investimeve prej 300 milionë eurosh në aspektin mjedisor, zyrtarë brenda KEK-ut thonë se për operim të këtij termocentrali deri në vitin 2030 janë të nevojshme edhe 100 milionë tjera investime. E nëse realizohet opsioni që TC “Kosova B” të jetë në funksion deri në vitin 2040, atëherë do të duhet të investohen në total rreth 500 milionë euro.

Kujtojmë që me propozim të Qeverisë së Kosovës ishte futur në pakon tenderuese të projektit “Kosova e Re” edhe termocentrali “Kosova B”, për të bërë pakon më atraktive për investitorë. Por kanë qenë këta të fundit ata që kanë kërkuar që ky termocentral të hiqet nga pakoja tenderuese. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 19 korrik që ky termocentral të hiqet nga pakoja, ndërsa në një proces të ndarë të përgatitet futja e kapitalit privat në termocentralin “Kosova B”.

Ekspertet patën kërkuar që të shqyrtohet edhe mundësia që rehabilitimi i këtij termocentrali të bëhet nga shteti i Kosovës. Ka qenë Muhamet Mustafa ai që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ketë një studim të fizibiliteti, i cili do të tregonte se cili është opsioni më i mirë për rehabilitim të këtij termocentrali, apo nëse investimi në termocentral është më dobiprurës së investimi në Autostradën në drejtim të Shkupit. /koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit