9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Kosovën duhet ta njohim!?

Më të lexuarat

Kosovën duhet ta njohim!? Këtë fjali tabu në Beograd deri më tani nuk e ka thënë askush hapur, përvec dy vetave. Edhe ata e kanë bërë këtë me gjysëm zëri, për “interesa personale”. Cedomir Jovanovic nuk është penduar, edhe pse është etiketuar si tradhëtar, ndërsa Vuk Draskovic, pasi e ka përmendur njohjen e Kosovës, është tërhequr për shkak se e kuptoi që do ta humbiste elektoratin. Por koha e bën të veten. Kështu shkruan Danas. Sipas kësaj gazete, është pikërisht kjo fjalia për të cilën Beogradi është duke u përgatitur.

“Serbinë e mundon fjalia ‘Kosovën duhet ta njohim’ edhe atëherë kur zyrtarët e saj më të lartë deklarojnë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës”, shkruan Danas. Sipas kësaj gazete, fjalia “Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës” është fjali shterpë, pa bazë dhe e pabesueshme.

“Prandaj hapësira politike e Serbisë është përplot hipokrizi. I tillë është edhe Vuk Jeremic. Dikur thoshte se nuk ka asgjë nga ‘serbizmi i Kosovës’, para katër vjetësh e deri më tani është përpjekur me diplomaci të imponojë ndarjen e Kosovës, ndërsa sot thotë se Kosova nuk mund të bëhet anëtare e OKB-së pa kalur nëpër trupin e tij të vdekur. I vetmi që nuk ndryshon qëndrim është Vojislav Kostunica. Ai do të thoshte ‘mos e humbni kohën duke më pritur për të ndryshuar’. I pandryshueshëm dhe i pabesueshëm”.

“Por të tjerët kanë dicka tjetër në mendje. Ata nuk e kanë hallin e ndarjes së Kosovës nga Serbia, por të ndarjes së Serbisë nga Kosova. Pritja e momentit të duhur nuk duhet të jetë vendim i keq. Marrim shembull ish-presidentin Boris Tadic. Sapo iu zgjidhen duart, ai ia shtrëngoi duart Hashim Thacit në Dubrovnik. Ish-presidenti e bëri këtë me mjeshtri, vendosi standard të ri, për vete dhe për të tjerët, në raport me këtë problem”, shkruan e përditshmja beogradase, Danas.

“Ky gjest i Tadicit mund të jetë nxitje për presidentin e ri Tomislav Nikolic. Por ‘Kosova e tij’ është si një fluskë, zjarr, që e rrotullon nga njëra dorë në tjetrën, nga njëri krah politik tek i tjetri, më pas e kthen prap tek vetja për të pasur rolin kryesor. Ndërkohë bën intriga se do të publikojë marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, dhe se do t’i kopromentojë paraardhësit e tij. Sidoqoftë, Nikolic dicka po përpiqet të bëjë, të paktën të hyjë në histori, dhe këtë e kanë kuptuar ndërkombëtaret, me shpresë se ky është njeriu që mund t’i jep fund kësaj detyre të rëndë”.

“Nikolic ka pasur kohë të mendohet për fjalinë e parë të këtij teksti. Ka biseduar me amerikanët. Në takim me Philip Gordon-in më shumë kanë thënë shikimet se sa fjalët. Shtetet e Bashkuara do të ishin të kënaqura nëse Serbia e njeh realitetin, Kosovën e pavarur. Pastaj Nikolic është takuar edhe me kreun e Kishës, nuk e ka marrë bekimin dhe për herë të parë, kreu i Kishës dhe kreu i shtetit nuk janë pajtuar për cështje kombëtare. Kështu, njeriu që ishte i gatshëm ta rreh Tadicin për duarshtrëngim me Thacin, së shpejti mund të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga”.

“Kisha nuk ka qënë kurrë këshilltare e tepërt ndaj shtetit tonë sekular, por me qëndrime të këtilla fundamentale, ajo mund të bëhet një kundërshtar i papërshtatshëm. Kisha nuk e mbron askënd. Cak i kritikave të Patriarkut Irinej, madje, për shkak të ‘keqinterpretimit’ të të tjerëve, ishte edhe ‘patriarku’ tjetër Dobrica Cosic”, shkruan Danas.

“Nikolic është politikani serb që më së shpejti i varros idetë e veta. Fjalia ‘Kosovën duhet ta njohim’ po e mundon këto ditë, prandaj ka filluar të kërkoj koncensusin e partive politike. Do ta ketë vështirë me Ivica Dacicin, por ky i fundit duhet të zgjedh, të bëhet kryeministër, me Kosovën sipas ‘versionit’ të Nikolicit. Por koncensusin që e kërkon Nikolici, varet nga demokratët e Tadicit, plani katër-pikësh i të cilit akoma është gjallë. Dhe nga këtu mund të fillojë njohja e realitetit të Kosovës së pavarur (pa zgjidhjen e problemit të veriut) dhe kthimin e demokratëve në lojë”, shkruan ndër të tjera Danas.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit