13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kosova nënshkruan MSA-në

Më të lexuarat

Zyrtarë të institucioneve të vendit sot në Strasburg nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me Bashkimin Evropian.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka njoftuar se tani Kosova është e gatshme për të marrë përsipër detyrimet dhe të bëjë reformat e nevojshme për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, raporton Telegrafi.

Lexoni të plotë postimin e ministrit Çollaku

“Sapo vura nënshkrimin tim në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Jam i lumtur dhe krenar që kam qenë pjesë e këtij momenti historik të përcaktimit formal të Republikës së Kosovës drejt integrimit dhe anëtarsimit në BE. Këtë ia thash sot edhe Përfaqësues së Lartë Mogerini si dhe Komisionerit Johannes Hahn.

Kam shumë besim se Kosova tani është e gatshme për të marrë përsipër detyrimet dhe të bëjë reformat e nevojshme për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE. Pa dyshim, si rezultat i kësaj marrëveshjeje, fati i Kosovës dhe i BE-së në të ardhmen do të jetë i lidhur më ngushtë, dhe unë fuqimisht besoj se kjo është një e arritur e madhe, e drejtë dhe plotësisht në përputhje me interesin tonë shtetëror për integrime euro-atlantike.

Kjo nënkupton më shumë mbështetje për të bërë reformat që i duhen vendit tonë: duke filluar që nga luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, përforcimi i mëtejmë i sundimit të ligjit, deri tek reformat ekonomike, me qëllim të rritjes së vendeve të punës dhe rritjen e këmbimit tregtar me BE, duke e rritur eksportin e prodhimeve kosovare. Të gjitha këto do ta bëjnë Kosovën më të zhvilluar dhe të gatshme t’iu bashkuar familjes evropiane.

Jam i lumtur që ky qëllim i rëndësishëm tani është arritur. Fokusi ynë i plotë tani është përmbushja e objektivit tjetër shumë të rëndësishëm, – përfundimi i procesit të liberalizimit të vizave. Unë besoj se edhe ky proces do përmbyllet me sukses, sepse ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret e parapara.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i një rëndësie historike dhe kjo është arsyeja pse edhe një herë unë do të doja të uroj të gjithëve:

Urime qytetarë të Republikës së Kosovës”. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit