Kosova * hyn në shtatë organizata rajonale, i pretendon 60

0
44

Fusnota që i është veshur emrit të shtetit nuk ka prodhuar efekte të shpejta në aspektin e përfaqësimit të vendit në nisma rajonale. Nga 24 shkurti, kur në Bruksel është arritur Marrëveshja për përfaqësim të Kosovës në organizata dhe mekanizma rajonalë me fusnotën që për referencë ka Rezolutën 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vetëm shtatë organizata rajonale janë shprehur të gatshme për t’i hapur dyert për shtetin më të ri në Evropë. E kërkesa për anëtarësim janë bërë katërfish më shumë. Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ndonëse ai është shprehur optimist se deri në fund të vitit, Kosova do të jetë në procedurë të anëtarësimit në rreth 60 organizata.

“Nga Brukseli janë dërguar 27 kërkesa fillestare në një grup preliminar të organizatave për përfaqësimin e Kosovës…. Tani kemi kërkuar nga Cooper të dërgojë raundin e dytë të thirrjeve për pranim të Kosovës ashtu që presim që deri në fund të vitit, Kosova të jetë në procedurë të anëtarësimit në mbi 50-60 organizata dhe mekanizma rajonalë, disa prej tyre që janë edhe obligative si instrumente para anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.

Listën e organizatave, forumeve dhe të konventave rajonale që pretendohet se do të kenë vlerë konkrete ekonomike, tregtare, politike për Republikën e Kosovës, sipas tij, MPJ-ja e ka përpiluar në koordinim me Zyrën e zëvendëskryeministres Tahiri dhe me Zyrën e ndërmjetësuesit të BE-së, Robert Cooper.

Deri tani, përgjigje pozitive MPJ-ja ka marrë vetëm nga: Investment Compact, South East European Centre for Entrepreneurial Learning, Regional Rural Development Standing Working Group in SEE, Regional Environmental Network for Accession, Network of Associations of Local Authorities of SEE, Electronic Southeast Europe Initiative si dhe Broadband Southeast Europe Initiative./koha/kohaislame