4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Kosova: Ende probleme me ujë të pijshëm

Më të lexuarat

Rreth 30 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk janë të lidhur në ujësjellësin publik – pra ujin e kontrolluar në mënyrë ligjore.

Sipas zyrtarëve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë e kanë burimin nga kualiteti i dobët i ujit.

Burbuqe Nushi, nga ky institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se cilësia e ujit të kontrolluar, në përgjithësi, i plotëson kriteret e parapara. Por, janë pjesët e pakontrolluara ato që, sipas saj, sjellin telashe me ujin.

“Ne jemi trup monitorues i cilësisë së ujit. Uji urban, në përgjithësi, i plotëson kriteret e parapara dhe është brenda standardeve, përpos në disa pika vulnerabile, siç është ujësjellësi në Klinë, i cili ka probleme kohë pas kohe, porse janë marrë hapa për përmirësim. Megjithatë, ka komuna që ne nuk i kemi në mbikëqyrje, si ajo e Artanës, Hanit të Elezit dhe komunat e veriut të Mitrovicës”, thotë Nushi.

Zyrtarët institucionalë pohojnë se vetëm 4 për qind e fshatrave janë të kyçura në ujësjellësin që furnizon Kosovën me ujë të pijes, çfarë konsiderohet se është përqindje shumë e vogël.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se çështja e kualitetit të ujit të pijes ka zënë vend edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ku gjendja vlerësohet të mos jetë e kënaqshme, përkundër angazhimeve që janë bërë në këtë drejtim.

Sipas zyrtarëve, Bashkësia Evropiane, në bashkëpunim me institucionet vendore, është duke kontribuar që deri në vitin 2020 të mos mbetet asnjë vendbanim në Kosovë pa u furnizuar me ujë higjenik për pije.

Zonja Nushi pohon se nga regjioni rural rezultojnë ndotjet bakterore dhe kimike të ujit.

“Sëmundjet ngjitëse vijnë nga regjioni rural, pasi që nuk është i kyçur në sistemin qendror. Popullata furnizohet me ujë prej resurseve të veta, si bunarë apo ujësjellës që nuk janë të menaxhuar. Dhe, kjo përbën 40 për qind jopërshtatshëmri në standarde”, thotë Nushi.

Përpos problemeve me kualitetin e ujit të pijes, qytetarët e Kosovës përballen shpeshherë edhe me mungesë të ujit. Ata thonë se nuk kanë orar të caktuar se kur u ndalet uji. Andaj, si pasojë e kësaj, shumë qytetarë kanë bërë zgjidhje të ndryshme duke anashkaluar ujësjellësin rajonal.

Merita Fazliu, amvise, thotë se më shumë nuk ka ujë sesa që ka. Ajo thotë se lagjja e saj ka bërë zgjidhje me hapjen e disa puseve, përmes të cilave furnizohet e gjithë lagjja.

“Ne kemi hapur bunarë, por ai ujë nuk është i pijshëm. Kjo vjen si pasojë e asaj që më shumë nuk kemi ujë sesa që kemi. Është fjala gjatë ditës, sepse natën as që diskutohet. Tash e sa vjet, nuk kemi ujë gjatë orëve të mbrëmjes dhe gjithë natën”, thotë Merita.

Probleme të ngjashme ka edhe Flutura Gashi.

“Zakonisht na ndalet uji nga ora 13 deri në 16, por ndonjëherë edhe më gjatë. Gjatë orëve të natës, dihet se nga 22:00 fillon të zvogëlohet shtypja, ndërsa në 23:00 ndalet krejt deri në mëngjesin e nesërm. Kjo ndodh që një periudhë shumë të gjatë kohore. Prej pasluftës unë nuk di se ka pasur ndonjë periudhë kur është përmirësuar gjendja me furnizim me ujë”, thotë Flutura.

Zyrtarë nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina tashmë kanë deklaruar se në vitin 2016 pritet të ketë ujë të mjaftueshëm pas ndërtimit të fabrikës në Shkabaj./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit