12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Kosova dhe Turqia do të bashkëpunojnë në fushën e shërbimeve dhe skemave sociale

Më të lexuarat

PRISHTINË (AA) – Në kuadër të vizitës së tij në Turqi, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, sot ka takuar ministren e Familjes dhe Politikave Sociale të Republikës së Turqisë, Fatma Betyl Sajan Kaja, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë nga MPMS thuhet se temë diskutimi e këtij takimi ishte shkëmbimi i përvojave të të dyja shteteve në fushën e shërbimeve dhe skemave sociale.

Me këtë rast ministri Reçica është njoftuar nga ministrja Kaja për sistemin që ka ngritur Turqia lidhur me shërbimet dhe skemat sociale, e cila gjithashtu ka treguar se kush janë përfitues të asistencës sociale nga këto skema.

Kaja ka theksuar se Turqia është një shtet social dhe se vërtetë kujdeset për qytetarët e saj, mirëpo sipas saj, kriteret për të përfituar nga këto skema janë të përcaktuara mirë me ligj dhe mbikëqyren në mënyrë mjaft të rreptë.

Ministri Reçica dhe ministrja Kaja kanë rënë dakord për të vendosur urat e bashkëpunimit përmes grupeve punuese që do të rezultojë me marrëveshje të dobishme dypalëshe.

“Sistemi i integruar i të dhënave të qytetarëve që aplikojnë për përfitim nga skemat sociale të financuara nga shteti, u konstatua se është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e suksesshëm të funksionimit të kontrolluar të dhënies së ndihmës, kategorive të ndryshme sociale.Të dy ministrat u pajtuan për të vazhduar bashkëpunimin në këtë fushë dhe ky bashkëpunim të jetë më intensiv, me ç’rast ministri Reçica e ftoi ministren Kaja për një vizitë zyrtare në Kosovë”, thuhet në komunikatë nga MPMS.

Në kuadër të vizitës së tij në Turqi, Reçica dje ka takuar edhe ministren e Punës dhe Sigurimeve Sociale të Turqisë, Zhylide Sarieroglu, ku Reçica ka njoftuar ministren turke për gjendjen ekonomiko-sociale në Kosovë si dhe për masat e marra për uljen e papunësisë së lartë në Kosovë. Me këtë rast ministrja turke Sarieroglu ka njoftuar ministrin Reçica për bashkëpunim në shkëmbimin e përvojave.

“Republika e Turqisë ka një përvojë shumë të madhe dhe një model shumë të mirë, të cilin e ka realizuar për zbutje të papunësisë në vend, përmes aftësimit profesional dhe edukimit në vendin e punës”, thuhet në komunikatë. Ministri Reçica ka kërkuar të shikohen edhe mundësitë e bashkëpunimit në aspektin e punësimit sezonal të qytetarëve të Kosovës në Turqi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit