12.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Kosova 11 vjet shtet, rrugëtimi drejt pavarësisë dhe pas saj

Më të lexuarat

Për shumë vjet me radhë, deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët në Kosovë vuajtën pasojat e spastrimit etnik, masakrave dhe dhunimeve nga ushtria, policia dhe paramilitarët e regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Me përfundimin e luftës Kosova u çlirua dhe në vend u vendosën trupat ndërkombëtare.

Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, vendi administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe qeveria.

Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në nëntor të 2005-ës nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.

Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm plot lot dhe gjak për popullsinë shqiptare.

Zyra Civile Ndërkombëtare mori përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të pavarësisë. Pak ditë më vonë, një grup vendesh që njohën pavarësinë e saj themeluan Grupin Drejtues që do të mbikëqyrte shtetin e ri.

Por, Plani i Ahtisaarit nuk u zbatua asnjëherë në veriun e vendit, i banuar me shumicë serbe, ku ende nuk njihen dhe nuk pranohen simbolet dhe institucionet të shtetit të Kosovës.

Më 9 dhjetor 2008, vendin e UNMIK e zuri misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Më 22 korrik 2010, pavarësia e Kosovës u pranua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Republika e Kosovës u bë vendi që garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve, bazuar në Kushtetutën e shtetit.

Nga marsi i vitit 2011, Kosova hyri në dialog me Serbinë, bisedimet që u quajtën “Prishtinë –Beograd”.

Këto bisedime teknike u pasuan nga ato në nivel kryeministrash, me mbajtjen e katër raundeve të dialogut mes Thaçit e Daçiqit, si dhe një takimi mes presidentëve Jahjaga e Nikoliq.

Në Bruksel Kosova dhe Serbia diskutuan për telekomin, energjetikën, heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, e çështje të tjera, por asnjëherë nuk arritën të vendosin në tavolinë një prej çështjeve më të ndjeshme në Kosovën e pasluftës, atë për të pagjeturit.

Megjithatë marrëveshjet e nënshkruara, Serbia asnjëherë nuk i zbatoi ato.

Tani, po flitet për një marrëveshje finale mes të dy vendeve, për një dialog final ku në krye të tij po qëndrojnë krerët e lartë të vendeve, ndërmjetësuar nga shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini.

Para se të mbush 3 vjet shtet, shteti u trondit nga një raport ndërkombëtar, i cili përmban pretendime se njerëz të UÇK-së kishin kryer krime çnjerëzore.

Autor i raportit ishte senatori Dick Marty, ndërsa në janar të 2011-s dokumenti u aprovua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshime kushtetuese dhe aprovoi Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me mandat për të trajtuar krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera të përmendura apo të ndërlidhura me raportin e senatorit Marty.

Kohët e fundit, Serbia intensifikoi veprimet për një fushatë të egër kundër Kosovës, në aspektin e politikës së jashtme.

Kosova nuk arriti të anëtarësohet në UNESCO, e as në organizatën më të madhe të policisë, INTERPOL.

Serbia vazhdoi fushatën ‘anti Kosovë’ te shumë shtete.

E Republika e Kosovës iu përgjigj me vendosjen e taksës 100% për mallrat me origjinë serbe, dhe të gjitha ato që hyjnë nga shteti i Serbisë.

Ky hap përveç reagimit nga bashkësia ndërkombëtare, ka bërë që Serbia të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës.

Megjithatë, i vendosur vazhdon të jetë shefi i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, që sipas tij, taksa do të hiqet atëherë kur Serbia njeh pavarësinë e Kosovës.

Kosova nuk mbërriti ta ndjek hapin me të cilin ecnin vendet e rajonit drejt Bashkimit Evropian. Aktualisht, nuk ka një perspektivë të qartë evropiane meqë banorët e shtetit më të ri kanë mbetur të izoluar në ‘geto’, duke qenë kështu të vetmit që nuk mund të lëvizin pa viza na Zonën Schengen.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që formalisht nuk e ka nisur rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo akoma nuk ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat.

Por, vendi ia doli të shënojë një arritje të madhe, nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian, kjo është marrëdhënia e parë kontraktuale që Kosova lidhi me Bashkimin Evropian.

Suksesin më të madh që nga pavarësia, Republika e Kosovës e arriti në art dhe sport.

Vendi arriti të bëhej anëtari i 210-të i Organizatës Botërore të Futbollit, vendim ky historik për Kosovën. E kjo ndodhi dhjetë 10 ditë pasi u bë pjesë e UEFA-s.

Herën e parë që mori pjesë në një olimpiadë, përfaqësuesja e Kosovës doli fituese me medalje të artë.

Deri tani, Kosovën e kanë njohur 116 shtete. Vizioni i saj për të ardhmen vazhdon të mbetët anëtarësimi në BE, NATO dhe OKB.

Ndërkohë që sfidë brenda Kosovës, vazhdon të jetë zhvillimi i ekonomisë, arsimi dhe shëndetësia.

Suksesi i fundit, dhe ajo që po konsiderohet krenaria më e madhe për qytetarët e vendit, është fillimi i procesit të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Në prag të 11 vjetorit të pavarësisë së vendit, Kuvendi i Kosovës i ka dhënë FSK-së kompetencat e ushtrisë së Kosovës.

Republika e Kosovës mban dy rekorde pozitive në rajon, atë politikat e rrepta kundër ekstremizmit të dhunshëm e terrorizmit, dhe për të drejtat e shtuara të komuniteteve jo-shumicë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit