Korrektësia dhe gënjeshtra

0
133

Është kjo një fjalë dhe një vepër për të cilën kanë nevojë të gjithë muslimanët, ashtu që të jenë të suksesshëm në këtë botë e të fitojnë xhenetin në botën tjetër me anë të kësaj vepre. Ajo futet në të gjitha aspektet e jetës së muslimanit, e sot me tëpër se kurrë besimtarët muslimanë kanë nevojë për një dicka të tillë. Ajo u serviret besimtarëve në forma të ndryshme dhe me fjalë të tjera. Ndryshe, korrektësia mund të quhet sinqeritet apo vërtetësi. Ajo konsiston në fjalë, vepra dhe qëllime. Ajo paraqitet në shumë raste si e kundërta e gënjeshtrës dhe futet në këtë edhe mbajtja e premtimeve apo e fjalës së dhënë. Le të shohim pak së bashku vlerën e dhënë prej Allahut të Lartë korrektësisë dhe injorimin që u ka bërë Allahu gënjeshtarëve.

Allahu i Lartë i ka krijuar qiejt e tokën me drejtësi, e po kështu kërkoi prej njerëzve që të ndërtojnë jetën e tyre me drejtësi, duke folur dhe punuar vetëm se me të drejtën. Shqetësimi dhe dëshpërimi i njërëzve në ditët tona është rezultat i mospërfilljes së tyre ndaj korrektësisë si dhe dominimi i gënjeshtrave mbi shpirtërat dhe idetë e tyre, të cilat i larguan njërëzit nga rruga e drejtë dhe i rrëmbyen nga të vërtetat që patjetër duhet t’i pasonin. Korrektësia në çdo çështje është një shtylle e fortë në karakterin e muslimanit dhe një ngjyrë konstante në sjelljet e tij. Kurani ua zuri për të madhe disa popujve që pasuan paragjykimet (paragjykimi çon tek gënjeshtra) të cilët i mbushën mendjet e tyre me gënjeshtra e me ketë ua shkatërruan të tashmen e të ardhmen. Allahu thotë: ”Po idhujtarët nuk ndjekin tjetër gjë, vetëm se paragjykime dhe çfarë duan vetë, edhe pse u erdhi udhëzimi prej Zotit të tyre.” (Nexhm, 23). Islami, nisur nga respekti i tij i lartë për të vertëtën, i braktisi dhe i injoroi gënjeshtarët. Aishja transmeton e thotë se asnjë cilësi nuk ka qenë me e urryer te Profeti (alejhi selam) më tepër se gënjështra. Ndërkohë që shenjat e para të shoqërisë muslimane kanë qenë: korrektësia e fjalëve, preciziteti i shprehjes dhe verifikimi i bisedës. E gënjeshtrën, trillimin dhe shpifjen, Islami i ka quajtur siptoma të hipokrizisë. Gënjeshtra është një fëlliqësirë ekskluzive që sinjalizon për depërtimin e të ligës në shpirtin e bartësit të saj.

Gënjeshtra si e keqe nuk krahasohet me të keqiat e tjera

Ndoshta ata që i ndiejnë ngacmimet e frikës dhe të lakmisë kur janë në fushën e sakrifikimit, deri diku, janë të justifikuar. Por kurrësesi nuk kanë arsye që të marrin gënjeshtrën si tipar të tyre e të jetojnë duke i mashtruar njerëzit. Profeti (alejhi selam) thotë: “Njeriu është i prirur për të gjitha tiparet, përveç gënjeshtrës dhe tradhëtisë.” (Ahmedi) Është pyetur ai (alejhi selam) se a mund që besimtari të jetë frikacak, e ai ka thënë: po. Po a mund që të jetë besimtari koprac, përsëri ka thënë: po. E kur u pyet se a mund që besimtari të jetë gënjeshtar, ai tha: jo. (Maliku)

Mëkati për gënjeshtrën është sipas gradës së përcjelljes së tij

Sa me tëpër që të zgjerohet rrethi i dëmit pas gënjeshtrës që e nxjerr një rrenacak i vrazhdë, aq më i madh është mëkati tek Allahu. Kështu gazetari që ua përcjell mijëra njërëzve një lajm të rrejshëm, apo politikani që u prezanton njërëzve një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit për çështje më madhore, qofshin këto burra apo gra bëjnë krime ndaj njërëzve përkatës dhe me pasoja akoma më të keqia. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Natën pashë dy njerëz që erdhën e me thanë: “Atë që e pe duke copëtuar buzët e tij është gënjeshtari që e lëshon një rrenë e që transmetohet prej tij derisa të mbushet e tërë bota. E me të veprohet kështu deri në Ditën e Gjykimit. (Buhariu) Ndërsa në një hadith tjetër thuhet: “Tre lloj njerëzish nuk do të hyjnë në xhenet: plaku që bën imoralitet, udhëheqësi mashtrues dhe varfanjaku mendjemadh.” (Bezari)

Gënjeshtra ndaj Allahut dhe ndaj profetit Muhamed (alejhi selam)

Gënjeshtra në fenë e Allahut është prej të këqiave më të shëmtuara. E para e tyre është që t’i mvishet Allahut apo të Dërguarit të Tij diçka që nuk e kanë thënë. Kjo lloj shpifje, në esencë, është e ligë me pasoja katastrofale. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Gënjeshtra ndaj meje nuk është si gënjeshtra ndaj ndonjërit prej jush, andaj kush trillon me qëllim diçka ndaj meje, le të përgatisë një karrige prej zjarri.” (Buhariu) Këtu futen edhe gjërat që i kanë shpikur injorantët dhe ia imponuan fesë së Allahut risitë që nuk kanë bazë, e masa e gjerë i konsideroi këto gjëra sikur janë prej fese, ndërkohë që nuk janë prej saj.

Islami nxit për kultivimin e korrektësisë

Islami porosit për nxitjen e kultivimit të korrektësisë tek të vegjëlit që ata kur të rritën t’u bëhet ajo shprehi e tyre në fjalë e vepra. Abdullah bin Amir thotë: ”Më thërriti një ditë nëna ime, ndërkohë që Profeti (alejhi selam) ishte ulur në shtëpinë tonë e me tha: ‘Eja të të jap diçka!’ E pyeti atë Profeti (alejhi selam) se çfarë donte të me jepte, e i tha se deshte të më jepte hurma. Tha (alejhi selam): “Sikur të mos i jepje asgjë do të të shkruhej një gënjeshtër”(Ebu Daudi) Ky pra, është edukimi i fëmijëve me korrektësi që ata ta shenjtërojnë atë e të pastrohen nga gënjeshtrat. Ndërsa Esma bint Jezid ka thënë: “O profet, nëse ndonjëra prej nesh i thotë një sendi që e ka qejf, nuk e kam qejf, a quhet kjo gënjeshtër? Profeti (alejhi selam) tha: “Gënjeshtra shkruhet gënjeshtër, madje edhe gënjeshtra e vogël shkruhet gënjeshtër e vogël.” (Muslimi)

Përgatiti: Erion Sula/klubikulturor/kohaislame