11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Konspiracion për harresën e krimeve – Agron Bajrami

Më të lexuarat

Nuk është se NATO-ja nuk e di kush është Lubisha Dikoviqi. Sikur edhe Serbia e Kosova, edhe Brukseli është i njoftuar shumë mirë me akuzat kundër gjeneralit serb që janë dokumentuar deri në detajet më të imta dhe përtej çdo dyshimi nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Natasha Kandiqi. Puna është se ato nuk janë me rëndësi më. As për bashkësinë ndërkombëtare, as për Serbinë, e, fatkeqësisht, as për Kosovën

Rasti i vizitës skandaloze në Prishtinë të gjeneralit serb, Lubisha Dikoviq, vetëm sa i ka nxjerrë sërish në dritë disa fakte, që ka vite se janë shumë mirë të njohura:

1. Krimet e kryera në Kosovë nga forcat e tij, Serbia nuk i sheh si krime të shtetit,

2. Bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar më të ndjekë krimet e Serbisë, meqë atë tani, më shumë se kurrë më parë, e do për partnere dhe aleate.

3. Institucionet e Kosovës nuk kanë as kohë as vullnet e as nuk ndiejnë obligim të merren me krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë.

Marrë bashkërisht, kjo qasje trepalëshe, me apo pa vetëdije të të gjithëve që janë pjesë e saj, përbën një konspiracion që për synim ka harrimin e krimeve të pagjykuara të luftës të kryera në Kosovë nga Serbia, në vitet 1998-1999.

Dhe, përveç familjarëve të të vrarëve e të të zhdukurve prej të cilëve një numër shumë i madh ende nuk i kanë gjetur eshtrat e më të dashurve të tyre, viktima të këtij konspiracioni politik për harresën e krimeve të pagjykuara të luftës të kryera në Kosovë nga Serbia është edhe sistemi i drejtësisë në Kosovë.

* * *

Konspiracion është fjalë e rëndë, mund të thonë të apostrofuarit në këtë shkrim. Është akuzë e madhe që të thuhet se trekëndëshi Beograd – Bruksel – Prishtinë është marrë vesh për të mos ndjekur krimet që Serbia i ka kryer kundër shqiptarëve të Kosovës. Do të mund të përmendin Tribunalin e Hagës apo edhe gjykimet që Serbia i bën në Beograd, në disa raste të krimeve që forcat serbe i kanë kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Akuzat e tilla të rënda nuk bëhen pa argumente, do të thonë!

Sigurisht, nuk është se them që ka një marrëveshje e nënshkruar trepalëshe për të mos i ndjekur krimet e Serbisë në Kosovë, por argumentet se ka një ujdi të tillë të heshtur janë para nesh. Të dukshme e të prekshme.

Së pari, kemi Tribunalin e Hagës, i cili ka gjykuar krerët serbë deri në një moment të caktuar, pas të cilit vëmendja është kthyer nga krimet për të cilat janë akuzuar shqiptarët, dhe, sikur edhe në rastin e luftërave të tjera të ish-Jugosllavisë, ka krijuar një baraspeshë mes krimeve, duke ushqyer nevojën e politikës që në emër të kompromisit të barazojë përgjegjësinë e të gjithëve. Tirbunali më nuk ngre akuza të reja, dhe si pasojë, me qindra krime të kryera kanë mbetur pa u hetuar e gjykuar fare dhe me mijëra përgjegjës për krime kanë mbetur pa u përballur me drejtësinë. Drejtësia tani u la në duart e gjykatave vendore, të cilat, sikur që është më se evidente në rastin e Serbisë, zgjedhin të gjykojnë ata që rëndom i quajmë “peshq të vegjël”, në tentimin për të shndërruar krimin e shtetit në krim individual, të kryer nga ndonjë i marrë apo i dehur, në moment e çmendurisë! Kështu, skena politike e Serbisë ka mbetur përplot me njerëz që kanë pasur rol në atë që ka qenë ndjekje sistematike dhe krim kundër popullatës shqiptare në Kosovë.

Së dyti, kemi EULEX-in, i cili, me gjithë mandatin për të ndjekur krime të luftës, ka zgjedhur të mos merret me rastet sikur këto të Rrezallës e Çikatovës së Vjetër, madje edhe me gjithë faktin se këto raste, jo veçqë janë ekspozuar hapur qe katër vite nga Natasha Kandiqi dhe Fondi i saj, por edhe bëjnë pjesë në krimin tjetër që Serbia kreu kundër shqiptarëve, atë të fshehjes së kufomave në Rudnicë të Rashkës.

Së treti, institucionet e Kosovës, e posaçërisht Qeveria, krerët e së cilës herë shfaqen të habitur, e herë kërcënojnë me padi e akuza kundër Serbisë për gjenocid, kurrë nuk kanë ndërmarrë as edhe një hap të vetëm domethënës për të ngritur çështjen e përgjegjësisë së eksponentëve politikë e ushtarakë të Serbisë për ato që ia bënë Kosovës në vitet 1998-1999. Dikoviqi është vetëm një, ka shumë të tjerë, në mesin e të cilëve janë edhe disa me të cilët zyrtarët e Kosovës takohen, bisedojnë e negociojnë në kuadër të procesit të dialogut Kosovë – Serbi.

Së fundi, vizita e Dikoviqit javën e kaluar, e cila irritoi skajshmërisht publikun kosovar, nuk është e para që ai i bën Prishtinës. Ai është mysafir i rregullt i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, meqë është në krye të forcës të cilën NATO-ja, por edhe i gjithë Perëndimi, tashmë e ka partnere dhe shpreson ta shndërrojë në aleate.

Prej se e ka marrë komandën e Ushtrisë së Serbisë, Dikoviqi ka qenë mysafir i komandantëve të KFOR-it në Prishtinë me dhjetëra herë. Ka vizituar edhe shtabin e KFOR-it në “Kosovafilm”, edhe kampin e ushtrisë amerikane në “Bondsteel”. Ka marrë mirënjohje nga KFOR-i për partneritet në ruajtjen e asaj që për Kosovën është kufiri shtetëror me Serbinë, por për NATO-n dhe Beogradin është “vija e kufirit administrativ”. Ka sjellë me vete edhe ushtarë për të luajtur një ndeshje futbolli me përfaqësuesen e ushtarëve të KFOR-it.

Nuk është për çudi. Dikoviq ka vizituar edhe selinë e NATO-s në Bruksel, edhe Shtabin e Komandës së përbashkët të forcave të NATO-s, në Napoli. Është pritur dhe përcjellë nga nivelet më të larta të NATO-s, si partner dhe aleat i mundshëm.

Dhe, nuk është se KFOR-i në Prishtinë, apo NATO-ja në Bruksel nuk e kanë ditur kush është Dikoviqi. Sigurisht se edhe në “Kosovafilm” edhe në Bruksel, janë shumë mirë të njoftuar me akuzat kundër gjeneralit serb që janë dokumentuar deri në detajet më të imta nga Fondit për të Drejtën Humanitare dhe Natasha Kandiqi.

Puna është se ato nuk janë me rëndësi më. As për NATO-n, as për Serbinë, e, fatkeqësisht, as për Kosovën. Janë vetëm pengesa në rrugë, që duhet heshtur.

* * *

Nuk do mend se harresa e bën më të lehtë arritjen e kompromiseve politike, sikur këto të Brukselit. Kjo është pse bashkësia ndërkombëtare, në kërkim të zgjidhjeve të shpejta politike në Ballkan, kërkon që të shikohet nga e ardhmja, duke e harruar të kaluarën.

Por, harresa është e përshtatshme edhe për njerëz të pushtetshëm, të cilët do të donin që e gjithë bota, por edhe popujt, ta harrojë të kaluarën e tyre. Kështu është e mundur që ekstremistët e djeshëm të bëhen të moderuarit e sotëm. Kriminelët e luftës, partnerë e aleatë të paqes. Hajnat e së kaluarës (dhe të së sotmes) garantues të së ardhmes.

Por, duke harruar të kaluarën, krijojmë një të ardhme në të cilën, siç ka thënë filozofi i shumëcituar amerikan, George Santayana, e kaluara na përsëritet.

Agron Bajrami /kohaditore

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit