15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

KONKURRENCA MES SHTETEVE TË FUQISHME PËR TË DOMINUAR MBI PASURITË NËNTOKËSORE

Më të lexuarat

Në Arktikë përjetohet “një luftë shumë e ashpër mbi një pllakë të hollë dhe delikate të akullit”.

Në shikim të parë nuk na vjen shpesh në mendje, por që është në një rajon dhe në një fazë që nuk duhet harruar dhe do të shqyrtojmë temën e potencialit të një shqetësimi të madh që shkaktohet për hir të “sovranitetit mbi burimet dhe ambientin”. Në ditët tona është duke shpërthyer një krizë në lidhje me Arktikun, pra Polin e Veriut dhe kjo krizë mund të prishë “shumë gjëra”. Tema ka të bëjë edhe me pakësimin e rezervave aktuale nëntokësore të energjisë, edhe me ngrohjen globale. Duket se radha i ka ardhur Polit të Veriut.

Sipas informacioneve që kemi në dorë, boshti i botës po ndryshon me të vërtetë dhe ndërkohë që përjetohet ndryshimi, në mendje të vijnë rezervat e paprekura deri më sot, ndërkaq akujt që shkrihen bëjnë që në rend të ditës të vijnë edhe mundësitë e reja të transportit. Por së bashku me këto të vjen në mendje edhe pyetja; “Si do të ndahet Poli i Veriut?”. Vendet më të fuqishme në botë, janë vënë në garë për të marrë pjesën më të madhe në këtë përpjekje për ndarjen e vendit në fjalë. Në Arktikë përjetohet “një luftë shumë e ashpër mbi një pllakë të hollë dhe delikate të akullit”. Duket se kjo luftë do të ashpërsohet çdo vit edhe më shumë. Për më tepër, rajoni mund të bëhet skenë edhe e një konkurrence të papritur me dimension ushtarak prej vendeve që marrin pjesë në këtë garë me qëllim që të arrijnë të dominojnë në këtë rajon.

Aktorët kryesorë të përpjekjes në fjalë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Norvegjia, Danimarka dhe Rusia… Sepse këto vende kanë edhe dalje direkte në Polin e Veriut. Duke qenë se Danimarka dhe Norvegjia janë më të dobëta se vendet e tjera nga aspekti, politik, ekonomik dhe ushtarak, në lojë mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Rusia. Amerika dhe Kanadaja janë dy vende të afërta me njëra tjetrën dhe me marrëdhënie shumë të mira. Kështu që duket se konkurrenca e vërtetë do të përjetohet ndërmjet Amerikës dhe Rusisë. Por ndërkaq janë zhvilluar edhe vizitat e rëndësishme të kohëve të fundit të Kinës në Islandë dhe Suedi. Dhe kjo është një temë që duhet marrë patjetër në konsideratë.

Kina tregon interes për këtë rajon, edhe për “burimet” dhe “transportin”, edhe për “sigurinë në Paqësor”. Pekini, nëse bëhet i fuqishëm në rajonin Arktik, e di që do të sigurojë të tre elementet; “sigurinë,vazhdueshmërinë dhe çmimin e lirë”. Në Këshillin Arktik që do të përcaktojë drejtimin e zhvillimeve në rajonin e Polit të Veriut, gjenden 8 vende anëtare. Këto janë; Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Norvegjia, Finlanda, Suedia, Islanda dhe Danimarka. Në Këshill, Grënlanda dhe Ishujt Faroe (Ishujt e Deleve) përfaqësohen nga ana e Danimarkës. Kina, kohët e fundit ka filluar të krijojë marrëdhënie diplomatike me Këshillin në fjalë. Udhëheqja e Pekinit, duke marrë statusin e “vendit vëzhgues”, mundohet të fitojë një pozitë në lidhje me temat e Arktikës.

Parashikime të ndryshme, fokusohen në probabilitetin që në këtë rajon ndodhen 900 miliardë fuçi nafte të papërpunuar dhe rezervat e 500 trilion metra kub gazi natyror. Këto rezerva përbëjnë 22% të rezervave të përdorshme në rruzullin tokësor. Bëhet fjalë, për 13% të naftës dhe 30% të gazit natyror botëror; shifra këto për të cilat mund të kryen krime…

Përpjekjet e Rusisë që filluan në vitet e carizmit për të qenë sovran në këtë rajon, u balancuan me konkurrencën e Anglisë. Me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Londrës dhe Moskës në vitin 1825, rajoni u nda në sektorë. Në vitin 1867 Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan Alaskën nga Rusia. Me dorëzimin e Alaskës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkurrenca në rajon u bë edhe më e zjarrtë.

Në të dyja luftërat botërore, ngjarjet në Lindjen e Mesme, Kaspik dhe Azinë Qendrore, bënë që vëmendja e opinionit publik dhe shoqërisë ndërkombëtare të largohet nga rajoni i Polit të Veriut. Por në vitet 1950, në masat që lejonte pozicioni i afrimit gjeografik, filloi përsëri një konkurrencë. Në periudhën e Luftës së Ftohtë, rëndësia e rajonit Arktik u kufizua me armët bërthamore, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe teorisë së goditjes së parë. Por pas rënies së Bashkimit Sovjetik, në vitet 2000, Vladimir Putin rajonin Arktik e përfshiu përsëri në agjendën e Kremlinit. Rusia, pretendimin për të drejtën mbi rajonin e bazonte në Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Deteve. Sipas konventës së pranuar prej më shumë 150 vendeve Zona Ekonomike Ekskluzive nuk do të shtrihet përtej 200 miljeve detare (370 kilometra) nga vija e bregdetit të vendeve që kanë dalje në Detin e Ngrirë të Veriut. Rusia, sot duke u nisur nga konventa e sipërpërmendur, përmend pretendimet në lidhje me zonën ekonomike ekskluzive dhe veçoritë gjeologjike të brigjeve të rajonit Arktik. E thënë ndryshe, Rusia mundohet të zgjerojë sa më shumë që të jetë e mundur rajonin ekonomik që posedon përgjatë gjithë bregut të rajonit në fjalë.

Po në të njëjtën mënyrë, edhe Danimarka me pretendime të njëjta në lidhje me Grënland-ën, ka bërë që Kopenhaga dhe Moska të bien ndesh në lidhje me temën e rajonit që njihet si Lomonossow. Në lidhje me këtë mosmarrëveshje, specialistët preferojnë të përdorin shprehjes si “konflikt rajonal” ose “mosmarrëveshje për kufirin”. Rusia, në vitin 2001, pretendimin për të drejtën në lidhje me Polin e Veriut i çoi në Kombet e Bashkuara dhe në korrik të vitit 2007, duke vendosur flamurin në Lomonossow, i përcolli Kombeve të Bashkuara prova të reja. Pritet që Rusia , në vitet 2013-2014 ti paraqesë punimet e saj Kombeve të Bashkuara në lidhje me hartën e rajonit Arktik. Me këtë nismë, Rusia parashikon që të “fitojë përparësi në të drejtën e ndarjes së rajonit”.

Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë palë e Konventës e OKB-së për të Drejtën e Deteve. Shtypi amerikan edhe pse disa herë shprehet se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama mund të hedhë disa hapa në lidhje me këtë temë, Republikanët dalin rreptësishtë kundër. Republikanët i tremben faktit se nëse Amerika pranon konventën në fjalë, për një kohë të shkurtër, SHBA-ja do të hyjë nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara.

Disa faktorë që trajtësojnë dhe janë efektivë në konjekturën e politikës botërore janë: Kriza ekonomike globale, kërkesa e lartë për energji, çmimet e larta të energjisë, pakësimi i burimeve, detyrimi për të gjallëruar sektorin real, përpjekja e ashpër në Paqësor dhe pozicioni në rritje i Kinës në tregtinë botërore… Nëse do ti mblidhnim të gjithë këta faktorë, do të shikojmë re se ujërat në rajonin e Arktikut, do të nxehen së shpejti… Shpresojmë që ngrohja globale të mos shkaktojë edhe ngrohjen e fronteve…./trt

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit