14.5 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Konfiskohen pasuritë e Rezart Taçit

Më të lexuarat

Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro konservative ndaj gjithë kompanive të biznesmenit të njohur shqiptar Rezart Taçi, për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë eurosh, marrë për blerjen e kompanisë “ARMO” nga Azerbajxhani.

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi 85% të aksioneve të shoqërisë “ARMO”, të zotëruara nga shoqëria “AMRA Oil”.

Gjykata, po ashtu, ka kërkuar vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë bankare të dy shoqërive të sipërpërmendura, ndërsa ka kërkuar gjithashtu bllokim të pasurive të paluajtshme të “ARMO”, si dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi gjendjen e stokut të saj deri në përfundim të gjykimit.

Sekuestroja vendoset për një shumë jo më të madhe se 75 milionë euro. Ky vendim, i dhënë nga gjyqtari Ilir Çeliku, erdhi pas kërkesës së Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, e cila ka provuar me fakte para gjykatës se për të realizuar investime në Shqipëri ka depozituar në nëntor të vitit 2008, në llogarinë e bankës Credins, shumën prej 75 milionë eurosh.

Gjykata ka provuar se kjo shumë është depozituar në bankën Credins në tre këste. Kësti i parë është depozituar më 18 nëntor 2008, në shumën 30 milionë euro, kësti i dytë më 19 nëntor 2008, në shumën 40 milionë euro, dhe kësti më 21 nëntor të të njëjtit vit në shumën 5 milionë euro, pra një total prej 75 milionë eurosh.

Në mesazhet SWIFT, me anën e të cilave janë depozituar këto shuma, rezulton se në rubrikën 72 është përshkruar arsyeja për të cilën fondet po transferoheshin pranë bankës Credins, “Për financimin e “AMRA Oil”, sipas kushteve të rëna dakord”.

Siç rezulton nga korrespondenca e shkëmbyer mes palëve, Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit ka insistuar në kthimin e shumës, duke iu drejtuar tashmë si bankës Credins, ashtu dhe shoqërisë “AMRA Oil”.

Nga provat e depozituara para gjykatës rezulton se kjo e fundit, më 15.07.2010, i kthen bankës një shumë prej 1.5 milion eurosh, e cila është edhe shuma e vetme e kthyer deri tani palës kërkuese nga shuma që ajo i kishte dërguar bankës shqiptare. Që nga momenti i kryerjes së pagesës, më 15 korrik 2010, nuk rezulton që palët të kenë kryer pagesa të tjera.

Ndodhur në këto kushte, IBA i ka dërguar njoftim si shoqërisë “AMRA Oil” ashtu dhe bankës Credins, përkatësisht në datat 8.11.2011 dhe 8.09.2011, si dhe shkresat e datës 24.07.2012, me anë të të cilave vë në dukje vonesën e të dyja palëve lidhur me detyrimin e tyre ndaj IBA-s dhe kërkon kthimin e menjëhershëm të të gjithë vlerës së detyrimit, së bashku me interesat dhe fitimin e munguar në vlerën totale prej 115 milionë eurosh.

Në mungesë të një përgjigje zyrtare nga debitorët, banka iu drejtua gjykatës së rrethit të Tiranës me kërkesën për “Marrjen e masës së sigurimit të padisë”, në respektim të nenit 204 të Kodit të Procedurës Civile.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit