Kryetarët e komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata dhe të komunës Erenler, Republika e Turqisë, Xhavit Ozturk, sot në hapësirat e komunës së Dibrës, nënshkruan memorandum për vëllazërim.

Nënshkrimi pason pas vizitës shumëditore të Latës në këtë qytet turk, ndërsa në dokument është paraparë bashkëpunimi i vetëqeverisjeve lokale, arsimit, kulturës, sportit dhe turizmit.

“Turqia e do Maqedoninë, ndërsa ajo është edhe mike e madhe e popullit shqiptar. Besojmë në bashkëpunimin me komunën Erekler dhe presim suksese në të gjitha sferat. Edhe deri më tani patëm bashkëpunim të mirë me agjencinë turke “Tika”, e cila e financoi ndërtimin e ndërtesës së re të gjimnazit dhe pajisjen e saj. Jemi vëllazëruar me qytetin Kapakli, ndërsa bashkëpunimin do ta zgjerojmë edhe me qytetet e tjera në Turqinë mike”, tha midis tjerash kryetari i Dibrës, Lata, duke dërguar ftesë për vizitë në Dibër, të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

Homologu i tij, Xhavid Ozturk paralajmëroi bashkëpunim të frytshëm dhe ndihmë në kuadër të mundësive.

“Është e përbashkët dëshira për zhvillimin dhe përforcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona. Ky nuk është nënshkrim i dokumentit i cili do të mbetet në letër. Ne jemi komunë me mbi 80 mijë banorë. Funksionin e prefektit e kryej për pesëmbëdhjetë vjet dhe përvojat tona do t’i bartim në komunën tuaj. Shpresoj se do të kemi bashkëpunim të shkëlqyer”, tha prefekti Ozturk.

Komuna e Dibrës përveç me qytetet Erenler dhe Kapakli, Turqi, është vëllazëruar edhe me komunën Lom, Bullgari, If, Francë, Gjakovë dhe Staten Island, SHBA.