11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kompjuteri, si ta mirëmbajmë

Më të lexuarat

Kompjuteri është një objekt, i cili sot mundet të gjendet shumë lehtë në shtëpinë e kujtdo. Por përveç kostos së blerjes, ai ka një kosto tjetër, atë të rregullimeve nga dëmtimet apo problemet e shpeshta që ka. 

Probleme të cilat sigurisht vijnë nga pakujdesia, por edhe nga viruset e ndryshme që nga interneti arrijnë të futen ne kompjuterin tonë. Këto probleme mundet të kthehen edhe në një “makth” kur bëhen të shpeshta. 

Një “makth” jo vetëm për stresin e lartë të rregullimit, por edhe për koston e lartë të tij. 
Problemet më tipike të familjarëve janë riformatimi i shpeshtë i kompjuterit dhe problemet me viruset e ndryshme që marrin kur lundrojnë për orë të gjata në internet. 

Por si mundet që kompjuteri në shtëpi të jetojë më gjatë pa pasur qindra probleme? Ja disa këshilla se si të mirëmbahet kompjuteri në familjen e kujtdo: 

1. Instalimi i një antivirusi 
Është shkaku kryesor i problemeve të shumta që mund të ketë një kompjuter në shtëpi. Viruset janë një rrezik i hapur, i cili rrezikon kompjuterin tonë në çdo moment, kur ne jemi në internet apo kur përdorim mjete të ndryshme të jashtme si CD, USB, etj. 
Në mënyrë absolute duhet instaluar një antivirus në kompjuterin personal. Mundësisht, do të ishte mirë që ai të kishte të dyja opsionet; atë të “Firewall” dhe “Anti Spam”. Njëra do të mundësonte një mbrojtje direkte nga viruset, ndërsa tjetra do të ishte një mbrojtje për e-mail (mesazhet elektronike). Ky antivirus do të siguronte një sistem operativ të pastër nga viruset dhe do bllokonte shumicën e sulmeve nga këta viruse. Por antivirusi duhet të rifreskohet (me update) të herëpashershëm. 

2. Instalimi i ekstensioneve 
Kushdo mund të ketë parë përgjatë kohës që lundron në internet faqe të ndryshme reklamash, të cilat hapen krejt papritur, pasi ke klikuar në ndonjë vend. Këto faqe mund të bëhen tepër të bezdisshëm, por gjithashtu mundet të vejnë në rrezik kompjuterin e kujtdo, pasi mundet të kthehen në rrezik virusesh apo sulmesh. Kjo do të na mundësonte një mbrojtje të drejtpërdrejtë, nga reklamat e ndryshme të cilat shfaqen në shumë faqe që shohim në internet. Ata ndryshe quhen “Ad blocker”. Ato janë të disponueshme për browser që mundësojnë lundrimin në internet. 

3. Rifreskim (Update) i shpeshtë i sistemit 
Kjo do të na mundësonte një sistem operativ më efikas dhe më të sigurt. Rifreskimi apo “apdejtimi” i shpeshtë do të siguronte një mbrojtje më efikase nga viruset dhe problemet e ndryshme të sistemit. Këto ndryshe quhen “vrimat e sigurisë”. 

4. Program pastrimi 
Mbingarkesa dhe puna tepër e ngadaltë e kompjuterit e ka një shpjegim; skedarët janë plotë. Çdo kompjuter duhet të mbajë një program të brendshëm pastrimi, i cili do të mundësonte një performancë më të mirë të kompjuteri. Kjo për shkak se skedarë të ndryshëm të kompjuterit, të cilët mbledhin informacione nga më të ndryshmet, mbingarkohen dhe shkaktojnë një ngadalësim të punës së kompjuterit. Për shembull, programi i pastrimit do të mundësonte një pastrim tek “tempet” apo skedarët e përkohshëm. Ai do të pastronte regjistrat, do të hiqte programet e vjetra, të cilat nuk ishin më të nevojshme për përdoruesin. 

5. “Back Up” 
Kur bën një riformatim të kompjuterit, atëherë mundet t’i thuash “lamtumirë” një pjese të dokumenteve personale që ndodhen në të. Por për ta mënjanuar këtë gjë ka një mënyrë. Duhet të krijohen “Back Up” apo ndryshe të kopjohen dokumentet e nevojshëm në një USB apo një hard disk të jashtëm. Në këtë mënyrë, çdokush do të mënjanonte atë rrezikun e humbjes së dokumenteve të ndryshëm. Sot edhe nëse nuk ke një USB për momentin, atëherë mund të përdorësh ato që ofrohen në internet, të cilat kanë kapacitet 2 Gb (Gigabyte) dhe që janë pa pagesë. 

6. Program monitorimi 
Kompjuteri ka nevojë edhe për një program monitorimi, i cili do të mundësonte një monitorim tepër efikas të gjendjes së pjesëve të ndryshme të kompjuterit. Për shembull, ai do të shihte në çdo moment temperaturën e CPU-së apo procesorit. Gjithashtu, do të kontrollonte në mënyrë frekuente edhe bordin. Po kështu, do të shihte edhe numrin e rrotullimeve të fareve apo siç njihen ndryshe të freskueseve apo ftohëseve. Duhet theksuar se kompjuteri ka nevojë për një investim të mirë në sistemin e ftohëseve, për t’i ndërruar ato me më të mirë. Programi i monitorimit do të sillte edhe një performancë më të mirë të kompjuterit. 

7. Ndryshimi i pjesëve të ndryshme të kompjuterit 
Sigurisht, nëse është e mundur, mundet që pjesë të ndryshme të ndërrohen apo të ndryshohen me pjesë më të mira. Për shembull, mund të rritet kapaciteti i ramit, për të marrë një performancë më të mirë të kompjuterit. Vendosja e një hardisku të ri në paralel me tjetrin (raid). Gjithashtu, mund të vendoset një version më të ri të Biosit, (Firmware upgrade). 

8. Bateria 
Në Shqipëri, problemi i energjisë elektrike është i pranishëm në çdo moment. Ndërprerja e energjisë, rrezikon që dokumentet të humbasin dhe kompjuteri rrezikon dëme të ndryshme. Por gjithashtu edhe luhatjet e shpeshta të tensionit, do të çonin në një prishje të sistemit. Çdo kompjuteri i nevojitet një bateri. Do të ishte e përkryer të kishim një bateri të menaxhueshme, e cila do të mundësonte fikjen e kompjuterit në mënyrë automatike kur të hiqej rryma elektrike, edhe pse nuk do ishte në shtëpi. Bateria do të mundësonte që të përdorej kompjuteri edhe në momentet që nuk ka energji elektrike në shtëpi, pra ai në këtë kohë mund të mbyllë çdo gjë dhe të fik kompjuterin sipas mënyrës më të mirë. Gjithashtu, mënjanohet rreziku i uljeve të shpeshta të tensionit. 

9. Pastrimi i shpeshtë 
“Duhet pasur parasysh që kompjuteri duhet të pastrohet në çdo moment, pasi ai mbledh brenda saj pluhurin e shtëpisë, por edhe lëkurën e njerëzve. Po ta hapësh njësinë qendrore, do të shohësh një pluhur i cili është i llahtarshëm. Ky pluhur mund të sillte probleme të ndryshme dhe një performancë jo të mirë të kompjuterit”. Si mund ta pastrosh? Nuk mjafton thjesht një copë lecke e pastër, por duhet një kompresor. Ata që merren me kompjuter, e pastrojnë herë pas here atë me një kompresor. 

10. Tastiera: “Parajsa” e mikrobeve 
Njerëzit përgjatë përdorimit të kompjuterit kanë një kontakt direkt, prekja me duar e “mouse” dhe tastierës. Pikërisht kjo e fundit është një rrezik mikrobesh. “Duhet pastruar të paktën dy herë në muaj tastiera e kompjuterit. Kjo për shkak se, sipas një studimi, tastiera është katër herë më e pisët se një WC. Si mund ta pastrosh? Është e thjeshtë. Tastet hiqen si tapa menjëherë. Me sa duket, tastiera përveç rrezikut të shkatërrimit, ka edhe një rrezik tjetër, atë të higjienës vetjake, ndaj dhe duhet pasur parasysh kjo gjë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit