Kompania farmaceutike turke hap përfaqësi në Shqipëri

0
68

Me hapjen e përfaqësisë së saj kjo kompani do të ofrojë për mjekët dhe farmacistët në Shqipëri barna gjenerike të prodhuara në qendrën e saj të kërkimit dhe zhvillimit.

 

Kompania turke në industrinë farmaceutike “Pharmactive”, ka hapur zyrën e saj të parë ndërkombëtare të përfaqësimit në Shqipëri.

Me hapjen e përfaqësisë së saj kjo kompani do të ofrojë për mjekët dhe farmacistët në Shqipëri barna gjenerike të prodhuara në qendrën e saj të kërkimit dhe zhvillimit.

Në ceremoninë e hapjes së zyrës në Shqipëri ishte edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se “Pharmactive” është një kompani shumë e njohur jo vetëm në Turqi, por edhe në Evropë.

“Kompania ‘Pharmactive’ ka rreth 150 produkte të ndryshme në gamën e saj. Kompania e cila tani eksporton dhe prodhon për 12 vende evropiane është gjatë gjithë kohës në rritje jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet që ajo operon. Gjithashtu kompania ‘Pharmactive‘ është partnere me disa kompani të cilat prodhojnë ilaçe në hapësirën ndërkombëtare. Shpresoj që kompania të jetë një shpëtim për të gjitha sëmundjet e shqiptarëve”, tha ambasadori turk.

Një fjalë përshëndetëse në ceremoni mbajti edhe zëvendëspresidenti i “Pharmactive”, Levent Selamoglu, i cili e konsideroi eventin si shumë të rëndësishëm për kompaninë turke. Sipas drejtuesve të kompanisë, “Pharmactive” ka ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm në fushën e barnave bioteknologjike.

Pjesë e ceremonisë ishin mjekë, farmacistë, përfaqësues të institucioneve shëndetësore në Shqipëri, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO) dhe të ftuar të tjerë.

“Pharmactive” do të ofrojë 19 produkte farmaceutike në 13 fusha trajtimi në Shqipëri. Sipas kompanisë, eksportet e produkteve farmaceutike në 35 vende, veçanërisht në vendet e BE-së janë një përpjekje për të ndërtuar shoqëri më të shëndetshme.

“Pharmactive” ofron barna në fusha të ndryshme terapeutike për mjekët, farmacistët dhe pacientët. (Andolu Agency – AA)