12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Koment – Zhvillimi i paimagjinueshëm i industrisë turke të mbrojtjes

Më të lexuarat

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara…

 

*Can ACUN

Turqia ka shënuar progres madhor e të prekshëm në industrinë e mbrojtjes gjatë viteve të kaluara. Industria turke e mbrojtjes, e cila ka arritur të prodhojë sisteme armësh e municione me kapacitete dhe mundësi kombëtare apo vendore, në njërën anë po redukton vartësinë e jashtme të Forcave të Armatosura të Turqisë dhe në anën tjetër po kontribuon fuqishëm në ekonominë dhe politikën e jashtme turke. Edhe pse zhvillimi i industrisë turke të mbrojtjes ka një të shkuar të konsiderueshme, ai ka marrë një shtysë të re sidomos pas ardhjes në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në vitin 2002. Turqia dhe Forcat e Armatosura të Turqisë gëzojnë tashmë një pozitë më të fuqishme në sajë të sistemeve të armëve, të cilat janë prodhuar e perfeksionuar ndër vite.

Falë nismave dhe aksioneve të ndërmarra në industrinë e mbrojtjes, Turqia ka regjistruar progres të jashtëzakonshëm në fusha të tilla si mjetet tokësore e detare, aviacioni dhe hapësira, sistemet luftarake dhe elektronike, sistemet e armëve, radarët dhe lufta elektronike, logjistika dhe arsimi, si në sektorin civil ashtu edhe në atë ushtarak. Industria turke e mbrojtjes, e cila ka prodhuar mjete të blinduara mjaft të suksesshme si “KIRPI”, “BMC EFE”, “KAYA”, “PARS”, “EJDER”, “EJDER YALÇIN”, “COBRA” dhe “URAL”, në njërën anë furnizon Forcat e Armatosura të Turqisë dhe në anën tjetër i eksporton këto mjete jashtë shtetit. Veçanërisht pasi u provua efektiviteti dhe suksesi i tyre në luftën kundër terrorizmit, mjetet e blinduara turke filluan të ngjallin më shumë interes jashtë vendit. Fakti që produktet e industrisë mbrojtëse të Turqisë janë mbi standardet e NATO-s, kanë kosto prodhimi të ulët dhe shitjet e tyre jashtë shtetit nuk varen nga kërkesat politike, ka bërë që ato të fitojnë popullaritet dhe vëmendje në tregjet ndërkombëtare. Një sukses të ngjashëm me atë në mjetet tokësore, Turqia ka arritur të ketë gjithashtu në mjetet detare dhe ajrore.

Si shembull për këtë mund të paraqesim shitjet më të mëdha historike të industrisë mbrojtëse të Turqisë përmes mjeteve detare “MILGEM” dhe helikopterëve luftarakë “ATAK”, projektuar e prodhuar me kapacitete tërësisht kombëtare. Blerja nga Pakistani e 30 helikopterëve “ATAK” me vlerë 1,5 miliardë dollarë, ka rezultuar një kontribut i rëndësishëm si për ekonominë e Turqisë ashtu edhe për marrëdhëniet turko-pakistaneze. Pas marrëveshjes me Pakistanin për blerjen e helikopterë turq, “ATAK”, nënshkrimi i një tjetër marrëveshjeje me Forcat Detare të këtij vendi për blerjen e 4 korvetave “MILGEM” nga Turqia, ka rezultuar eksporti më i lartë i industrisë turke të mbrojtjes deri më sot në një porosi të vetme.

 

Tjetër indikator i suksesit të arritur nga Turqia në mjetet ajrore është edhe droni i armatosur dhe paarmatosur “BAYRAKTAR”. Në kuadër të Panairit DIMDEX 2018, organizuar në Katar, me këtë shtet u firmos një marrëveshje për t’i eksportuar 6 copë mjete ajrore të telekomanduara “BAYRAKTAR TB2”. Gjatë panairit në fjalë, Katarit iu eksportuan gjithashtu mjete tokësore të tilla si “BMC”, “AMAZON”, “KIRPI” dhe “EJDER YALÇIN”, një anije trajnimi “AKID”, platforma lundruese “ARES” të llojeve të ndryshme dhe disa anije patrulle të llojit “Yonca Onuk MRTP-24/U”, një marrëveshje me vlerë të përgjithshme rreth 700 milionë lira turke (rreth 150 milionë dollarë).

Kurse firmosja e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Turqisë dhe Ukrainës për t’i shitur kësaj të fundit versione të ndryshme të mjeteve ajrore pa pilot, “BAYRAKTAR”, si dhe për të ndërtuar një linjë prodhimi të përbashkët, është një tjetër e dhënë që tregon suksesin e mjeteve ajrore turke.

Nga ana tjetër, operacionet ndërkufitare të Forcave të Armatosura të Turqisë, “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, rezultuan dy ofensiva ushtarake mjaft të rëndësishme për të demonstruar suksesin e industrisë turke të mbrojtjes. Në këto operacione, ku ushtria turke luftoi kundër terroristëve të DAESH-it dhe PKK/PYG-së, produktet e industrisë mbrojtëse të Turqisë shkëlqyen dhe dolën në plan të parë menjëherë. Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është absolutisht ndër arsyet kryesore të suksesit madhor të arritur nga ushtria turke në dy operacionet e sipërcituara, pavarësisht kushteve të vështira të Sirisë.

 

Fakti që produktet e industrisë turke të mbrojtjes arritën të plotësojnë me sukses gati 100% të nevojave të Forcave të Armatosura të Turqisë përgjatë dy operacioneve ushtarake, “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, tregon se pavarësia e Turqisë është zgjeruar dukshëm. Në këto ofensiva, produktet më të spikatshme të industrisë turke të mbrojtjes ishin 6: Pushkët kombëtare të këmbësorisë (MPT), obusët “Furtuna”, dronët e armatosur “BAYRAKTAR”, helikopterët “ATAK”, si dhe autoblindat “EJDER YALÇIN” e “KIRPI”.

Përdorimi i pushkëve kombëtare të këmbësorisë nga ushtarët turq, zbulimi dhe asgjësimi i objektivave në Siri përmes mjeteve ajrore pa pilot të armatosura ose jo, saktësia e jashtëzakonshme e obusëve “Furtuna” në shënjimin dhe asgjësimin e pozicioneve në Siri që nga kufiri i Turqisë, efektiviteti maksimal i helikopterëve “ATAK” kundër objektivave terroriste në terrenin malor të Afrinit, si dhe mbrojtja e garantuar nga autoblindat “EJDER YALÇIN” e “KIRPI” për forcat turke kundër sulmeve terroriste, ishin në thelb testet dhe sprovat më të mëdha të industrisë mbrojtëse të Turqisë. Fakti që sistemet e armëve të prodhuara nga industria turke e mbrojtjes kanë treguar sukses në fushëbeteja reale është një demonstrim force si për Turqinë ashtu edhe për industrinë mbrojtëse të saj në arenën ndërkombëtare.

 

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetarë në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit