4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Koment – Zgjedhjet parlamentare në Bullgari dhe Turqia

Më të lexuarat

Marrëdhëniet e miqësisë që Ankaraja me Sofjen i kanë ndërtuar duke punuar me durim për vite të tëra, mund të përballen me një sfidë serioze me qeverinë e re që do të krijohet në Bullgari.

Të dielën (26 mars) në Bullgari u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Sipas rezultateve zyrtare, fituesja e këtyre zgjedhjeve është partia e qendrës së djathtë “Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë”, e njohur shkurt me emrin “GERB”. Ndërsa Bullgaria është në pritje të një qeverie të re, Turqia vazhdon të përdoret për konsum të brendshëm politik.

Ka qenë viti 2010. Në kuadër të projektit “Ekspresi i Ballkanit”, i përgatitur nga radiotelevizoni publik turk, TRT në bashkëpunim me Hekurudhat Shtetërore të Republikës së Turqisë, ekipi i TRT realizoi 37 transmetime të drejtpërdrejta nga 21 qytete të 9 vendeve të Ballkanit. Qëllimi i këtij projekti ka qenë konsolidimi i miqësisë ndërmjet Turqisë dhe vendeve të Ballkanit dhe prezantimi i vlerave historike, kulturore dhe turistike të vendeve të Ballkanit. Ministritë përkatëse dhe drejtuesit lokalë u interesuan nga afër me ekipin e “Ekspresit të Ballkanit” dhe kontribuuan në realizimin e transmetimeve të suksesshme.

Edhe autoritetet bullgare i lëshuan lejet e nevojshme ligjore për aktivitetet e projektit “Ekspresi i Ballkanit”. Në Plovdiv, Karxhali dhe Rusçuk u bënë transmetime mjaft të suksesshme. Megjithatë, ekipi “Ekspresit të Ballkanit” u përball me vështirësi serioze në Sofje. Partia raciste bullgare politike me emrin “Ataka”, e cila ndjek hapur një politikë të brendshme duke përdorur Turqinë dhe turqit, dhe përkrahësit e kësaj partie, krijuan një atmosferë kaotike dhe penguan realizimin e transmetimit direkt të “Ekspresit të Ballkanit” nga Sofja. Skandali, i cili mund të kishte arritur në përmasa të mëdha, u pengua falë qëndrimit fisnik të ekipit të TRT-së.

Mars 2017. I njëjti mentalitet dhe pamje të ngjashme këtë herë ishin përballë Pikës së Kalimit Kufitar Tokësor “Kapikule”. Këtë herë qëllimi ishte pengimi i qytetarëve me dy nënshtetësi që jetojnë në Turqi të hynin në Bullgari dhe të merrnin pjesë në votimet e 26 marsit. Përveç kësaj, duke luajtur me numrin e kutive të votimit të hapura në Turqi, u vështirësua procesi i votimit për qytetarët e Bullgarisë me dy nënshtetësi që jetojnë në Turqi. E ndërsa të gjitha këto kishin të bënin me zgjedhjet në një vend anëtar të Bashkimit Evropian (BE), Brukseli nënvizoi rëndësinë e të drejtave themelore dhe të institucioneve demokratike, duke preferuar të mbetet spektator përballë zhvillimeve. Ndërkohë që këto zgjedhje mbaheshin nën vëzhgimin e BE-së. Për sa i takon arsyes pse ndodhi kështu, ajo ka të bëjë me mundësinë e fitimit të zgjedhjeve nga Partia Socialiste Bullgare (BSP), e cila ka mbajtur vendin e dytë me 33,33 për qind të votave dhe njihet për idetë që mbron, për lidhje më të ngushta me Rusinë. Në një rast të tillë, ndarjet brenda BE mund të thelloheshin edhe më shumë.

GERB-i, e cila arriti të dalë e para në zgjedhje duke marrë 39,58% të votave, ka një arsye serioze për festimin e fitores. Duke humbur me një diferencë të madhe votash zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2016 kundrejt kandidatit të Partisë Socialiste Bullgare, GERB-i me këtë sukses arriti të vërtetojë sërish mbështetjen që gëzon në popull. Në opinionin publik bullgar vazhdojnë diskutimet se kush i humbi zgjedhjet dhe përse. Për fat të keq, në mesin e të humburve bëjnë pjesë edhe marrëdhëniet e miqësisë ndërmjet Turqisë dhe Bullgarisë. Akuzat e ndërsjellta të nivelit të lartë në relacionin Ankara-Sofje dhe lëvizjet që janë bërë përmes ambasadorëve për fat të keq kanë lënë në hije afrimin e arritur midis Turqisë dhe Bullgarisë gjatë 27 viteve të fundit.

Është e drejtë se partitë bullgare politike që veprojnë me një mentalitet ultranacionalist, nuk pasqyrojnë qëndrimin e përgjithshëm të shoqërisë bullgare ndaj Turqisë dhe turqve. Megjithatë, partitë ultra-nacionaliste që nuk e fshehin antiturqizmin dhe që shfaqin qëndrim armiqësor ndaj refugjatëve, arritën të dalin të tretët në zgjedhje me 9.31 për qind të votave që morën duke u mbledhur nën çatinë e “Patriotëve të Bashkuar”. Në parlamentin bullgar me 240 karrige ata do të përfaqësohen me 27 deputetë. Për këtë arsye, ata nuk mund të konsiderohen më si ekstremi i shoqërisë bullgare. Për më tepër, GERB, e cila arriti të fitojë 95 vende në parlament, mund të detyrohet që qeverinë e re ta formojë me mbështetjen e “Patriotëve të Bashkuar”. Në një situatë të tillë, marrëdhëniet e miqësisë që Ankaraja me Sofjen i kanë ndërtuar duke punuar me durim për vite të tëra, mund të përballen me një sfidë serioze. Më konkretisht, për të mbledhur partitë që ndahen në çështje të ndryshme brenda koalicionit qeverisës, kreu i GERB-it, Bojko Borisov duke bërë të paktën një ndryshim simbolik në politikën e jashtme, mund të shfaqë një qëndrim më të ashpër kundër Turqisë dhe më të butë ndaj Rusisë.

Bullgaria është vendi ballkanik ku jetojnë më shumë turq. Ashtu siç ndikon në marrëdhëniet Turqi-Bullgari gjendja e turqve të Bullgarisë, edhe dialogu ndërmjet Ankarasë dhe Sofjes ka gjithashtu reflektime të ndryshme ndaj turqve bullgarë. Përmirësimi që ka ndodhur në gjendjen e përgjithshme të turqve të Bullgarisë, të cilët në periudhën e komunizmit kanë qenë përballur me politika asimiluese dhe shtypëse, të cilat i kanë detyruar të emigrojnë, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në afrimin e Turqisë me Bullgarinë. Por megjithatë, Sofia prej vitesh nuk po çlirohet dot nga bindja e pabazë, kinse Ankaraja përzihet në punët e brendshme të Bullgarisë duke përdorur pakicën turke. Fakti është se edhe përmirësimet më të vogla në fuqinë politike të turqve të Bullgarisë i shqetëson nacionalistët bullgarë, pavarësisht nga fakti se ata e kanë përqafuar shtetin bullgar dhe janë integruar mirë në jetën shoqërore dhe politike të vendit. Në këtë prizëm duhet lexuar edhe tensioni artificial në lidhje me Turqinë që u prodhua në zgjedhjet e fundit në Bullgari. Ashtu siç interesohet me bashkëkombësit e vet jashtë shtetit çdo vend i botës, edhe Turqia ka të drejtë ta bëjë këtë. Në qoftë se Bullgaria shpërndan pasaporta bullgare për goranët në Maqedoni dhe Kosovë, edhe Turqia ka të drejtë të japë pasaporta turke për bashkëkombësit e vet që jetojnë në Ballkan.

Për shkak të marrëdhënieve pushtet-opozitë dhe disa parashikimeve të gabuara në vitet e fundit, turqit e Ballkanit kanë filluar të ndahen nën çatinë e partive politike, numri i të cilave vjen duke u rritur. Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (HÖH), pjesa më e madhe e anëtarëve të së cilës janë turq, doli e katërta duke marrë 10,83 për qind të votave në zgjedhjet e fundit në Bullgari. Me një rezultat të tillë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë ka humbur veçorinë e qenurit një parti kyçe për krijimin e qeverisë së re. Bashkimi DOST, i cili është në kërkim të votave të turqve dhe ka arritur të fitojë edhe simpatinë e Ankarasë, në këto zgjedhje mbeti jashtë parlamentit.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit