Koment – Zgjedhjet e 32-ta parlamentare në Turqi, të parat për presidentin me pushtet ekzekutiv

0
164

Analizë në kuadër të serialit radiofonik “Perspektiva Globale” nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara…

 

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Më datë 24 qershor 2018, si në shumë pak vende të botës, Turqia do t’u drejtohet kutive të votimit për të 32-tën herë për zgjedhje parlamentare dhe njëkohësisht për herë të parë në historinë e saj për presidentin me pushtet ekzekutiv.

Zgjedhjet e para të përgjithshme në historinë turke janë mbajtur në kohën e Shtetit Osman, më 1876-n. Ato janë pasuar nga zgjedhjet e viteve 1878, 1908, 1912, 1914 dhe 1919. Në këtë periudhë janë realizuar gjithsej 6 zgjedhje.

Ndërsa në Turqinë republikane, përfshi këtu periudhën njëpartiake, janë mbajtur 25 zgjedhje të përgjithshme. Teksa vendi qeverisej me sistem njëpartiak, në Turqi janë realizuar 6 zgjedhje parlamentare në vitet 1923, 1927, 1931, 1935, 1939 dhe 1943. Kurse prej fillimit të sistemit politik shumëpartiak më 1946-n e deri më sot, Turqia ka mbajtur gjithsej 19 zgjedhje legjislative. Më 24 qershor 2018, zgjedhjet do të bëhen për herë të 20-të.

Kështu, nga zgjedhjet e para të 1876-s e deri në ato të fundit që do të mbahen më 24 qershor 2018, në Turqi do të jenë mbajtur 32 zgjedhje të përgjithshme në gjithsej 142 vite. Nga ana tjetër, vendi ka dëshmuar gjithashtu periudha të ndërmjetme, ku zgjedhjet s’janë organizuar dot për shkak të puçeve ushtarake.

Periudha të ndryshme zgjedhjesh

Sigurisht që çdo zgjedhje apo periudhë elektorale ka karakteristikat e veta. Zgjedhjet e mbajtura në periudhën osmane ishin votime të bëra ndërkohë që ekzistonin ende institucionet tradicionale, siç është sulltanati, apo institucionet fetare si kalifati dhe shejhulislami. Duke qenë se trazicionin në demokraci e ka jetuar teksa funksiononin ende institucione si kalifati dhe shejhulislami, në Turqi nuk është ndier shumë debati mbi përputhjen apo jo të Islamit me demokracinë.

Zgjedhjet mes viteve 1923-1943 ishin thuajse formale, pasi sistemi politik në Turqi ishte një partiak. Në këtë periudhë, kur Perëndimi gati sa nuk iu dorëzua plotësisht fashizmit dhe nazizmit, pavarësisht se partitë opozitare nuk lejoheshin, vazhdimi i zgjedhjeve në Turqi, edhe pse formalisht, ishte mjaft domethënës nga aspekti i ruajtjes së traditës elektorale të nisur gjatë epokës otomane.

Në vitin 1946, Turqia iu rikthye pluralizmit politik, pra, sistemit shumëpartiak. Zgjedhjet nga viti 1876 deri më 1943-shin janë mbajtur me dy faza, kurse nga viti 1946 e deri më sot me një fazë, pra, në bazë të votës së lirë, të përgjithshme, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë. Sistemi me dy faza i ngjason atij të sotëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë sistem zgjedhor, votuesit e shkallës së parë përcaktojnë votuesit e shkallës së dytë dhe këta të fundit zgjedhin deputetët. Sistemi me dy faza është në thelb një shprehje e mosbesimit ndaj votës së përgjithshme.

Sa i përket 24 qershorit 2018, krahas zgjedhjeve parlamentare, Turqia do të mbajë në këtë datë për herë të parë në historinë e saj edhe zgjedhjet për kryetarin e shtetit me pushtet ekzekutiv. Nga 1876-a e deri më sot, qeveria turke formohej nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë; kurse tani e tutje populli turk do të zgjedhë veç e veç deputetët dhe presidentin, që do të formojë qeverinë. Ata që janë të interesuar të mësojnë më shumë rreth arsyeve pse sistemi presidencial është kaq i nevojshëm në Turqi, mund të lexojnë librin tim me titull “Sistemi presidencial për një Turqi efektive, të qëndrueshme dhe të fuqishme” (Etkin, İstikrarlı ve Güçlü Bir Türkiye İçin Cumhurbaşkanlığı Sistemi), të cilin e kam shkruar e botuar përpara referendumit të 16 prillit 2017.

Domethënia e zgjedhjeve

Demokracia, në thelb, e merr pushtetin e saj nga legjitimiteti që garanton, jo nga metoda që ajo bart. Në periudhat e mëhershme ka pasur mënyra të ndryshme të legjitimitetit për sistemet politike. Mund të ketë edhe metoda të tjera në të ardhmen. Por në botën e sotme, demokracia është ndoshta e vetmja mënyrë për t’u dhënë legjitimitet social sistemeve politike. Për këtë arsye, ligjësimi/miratimi i një sistemi politik nëpërmjet zgjedhjeve nga të qeverisurit (populli) është jashtëzakonisht domethënës në aspektin e shkrirjes apo solidarizimit të shtetit me kombin/popullin. Sistemet politike, të cilat marrin pushtet nga populli i tyre përmes zgjedhjeve, janë më të forta e më të qëndrueshme si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Tërësisht e kundërta vlen për sistemet politike pa legjitimitet social. Regjime të tilla, që brenda një vendi mbijetojnë duke ushtruar më tepër presion dhe shkelur më shumë të drejtat dhe liritë e njeriut, janë dukshëm më të dobëta dhe më të paqëndrueshme karshi ndërkombëtarëve, sepse nuk e kanë fituar pushtetin me anë të votës/miratimit të shoqërisë së tyre. Prandaj ato duhet të mbështeten më shumë tek aktorët globalë kundrejt shoqërisë së tyre.

Kur i hedhim një vështrim raportit demokraci-zhvillim, shihet më lehtë se sa e rëndësishme është që sistemet politike të përligjen/miratohen nga shoqëritë në të cilat ato janë instaluar. Sot, vendet më të zhvilluara dhe më të mirëqena në botë janë ato demokratike, kurse vendet më problematike dhe të vuajtura janë ato antidemokratike. Parë nga ky këndvështrim, burimi i paqes, rendit e qetësisë, stabilitetit e mirëqenies në një vend nuk është niveli i zhvillimit ekonomik, por zotërimi/përvetësimi i vlerave si demokracia, pluralizmi dhe liria. Sepse zhvillimi ekonomik mund të arrihet vetëm me këto vlera. Atje ku s’ka paqe dhe qetësi, as për zhvillim nuk mund të bëhet fjalë.

Politikat e zbatuara nga Turqia pas viteve 2000 janë një prej shembujve më konkretë që mund të paraqiten në lidhje me raportin ndërmjet demokracisë, lirive, pluralizmit dhe zhvillimit ekonomik. Si pasojë e politikave antidemokratike dhe represive të ndjekura menjëherë pas “grusht shtetit postmodern” të 28 shkurtit 1997, të ardhurat për frymë në Turqi patën rënë deri në 2.000 dollarë. Ndërsa pas viteve 2000, me aplikimin e politikave më liberale, demokratike dhe pluraliste, të ardhurat për frymë në Turqi u rritën në mbi 10.000 dollarë.

Duke marrë në konsideratë që zgjedhjet e para turke janë mbajtur në vitin 1876, historia e demokracisë së Turqisë është më e vjetër sesa historia e shumë vendeve. Edhe pse me regjime të ndryshme në këtë periudhë 142-vjeçare, Turqia në të vërtetë i ka vazhduar përpjekjet e saj demokratike. Po të bëjmë një shikim në retrospektivë, ajo s’ka degraduar kurrë në një diktaturë që mund t’i qasej sadopak nazizmit gjerman apo fashizmit italian në aspektin e praktikave antidemokratike. Ndërsa pas viteve 2000, Turqia e ka ngritur prekshëm nivelin e saj të demokracisë dhe lirive duke hedhur pas shpine persekutimet e tutelës. Po të mendojmë që Gjermania, Austria dhe Holanda nuk lejojnë ende sot e kësaj dite të drejtat politike, lirinë e shprehjes dhe tubimit të zgjedhësve turq, që në fund të fundit do të votojnë për të ardhmen e vendlindjes apo vendorigjinës së tyre, distanca e përshkuar nga Turqia dhe përvoja demokratike e saj ka cilësinë e udhërrëfyesit për shumë e shumë vende të botës. Kureshtarët mund t’i ndjekin nga afër zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Turqisë, ku falë përvojës 142-vjeçare, mbikëqyrjes gjyqësore, pjesëmarrjes aktive të forcave politike dhe mundësisë për t’u monitoruar nga kushdo që dëshiron, realizohen ndoshta zgjedhjet më të besueshme dhe transparente në botë.

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara