10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Koment – Terrorizmi, i pranishëm në çdo vend

Më të lexuarat

Terrorizmi, i cili kërkohet të izolohet sidomos në hapësirën gjeografike islame, por edhe në Afrikë e Amerikën Latine, mjerisht, me në krye grupin AntiFa, është tashmë një realitet i pranishëm edhe në Evropë…

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka kritikuar përherë kryeqytetet perëndimore për mbështetje të FETO-s dhe organizatave terroriste majtiste, me në krye PKK-në. Sidomos xhelozia e disa vendeve perëndimore në shkëmbimin e informacioneve gjatë fillimit të luftës kundër DAESH-it dhe mungesa e përpjekjeve për të penguar rrugët, të cilat u mundësonin qytetarëve të tyre bashkimin me këtë organizatë, e kanë nevrikosur jo pak liderin turk, Erdogan. Që nga ajo ditë e këtej, presidenti turk bën paralajmërime të vazhdueshme duke thënë se “vorbulla e terrorizmit një ditë do t’ju godasë edhe juve”.

Edhe pse shumica e drejtuesve të DAESH-it kishin pasaporta të vendeve perëndimore, që janë njëherësh aleate të Turqisë në fushën tregtare, ushtarake dhe politike, vendet në fjalë i mbyllën veshën e tyre ndaj këtij paralajmërimi të lëshuar nga një mik i tyre. Turqia lufton kundër DAESH-it pa asnjë kompromis jo vetëm në territoret e saj, Siri e Irak, por edhe në të gjitha vendet që ofron këshillim ushtarak. Terrori i DAESH-it i ka shkaktuar asaj qindra dëshmorë në radhët e qytetarëve civilë dhe ushtarakë.

Megjithatë Turqia u la vetëm për një kohë të gjatë nga miqtë perëndimorë në këtë luftë të sajën kundër terrorizmit. Si të mos mjaftonte kjo, për shkak të dezinformacionit në shkallë ndërkombëtare të organizatës terroriste gyleniste (FETO), e cila është një version më dinak sesa DAESH-i, ata besuan për shumë kohë se Turqia qëndron ose vepron në mënyrë pasive kundër DAESH-it. Madje, hera-herës, kolegët tanë perëndimorë publikuan në mediat e tyre edhe lajme shpifëse e të pabaza kinse Turqia ofron mbështetje për këtë organizatë terroriste.

Koment – Vorbulla e terrorizmit | TRT  Shqip

Teksa gazetarët perëndimorë bënin ato lajme, të cilat s’mund të konsiderohen gjë tjetër përveçse turpi i profesionit tonë, organizata terroriste DAESH bombardonte vendbanimet dhe qytetet e mëdha të Turqisë. Vallë kolegët tanë, që shkruajnë lajme, artikuj e analiza dhe bëjnë transmetime radiotelevizive shpifëse duke u bazuar vetëm në informacione të gabuara dhe të shtrembëruara të njësive propaganduese të organizatës terroriste FETO, a ndjejnë sadopak keqardhje për vrasjen e qindra civilëve turq të pafajshëm nga kjo organizatë terroriste?

Kur kjo organizatë gjakatare sulmonte Londrën, Parisin, Brukselin apo kryeqytete të tjera perëndimore, ne turqit ishim shumë të tronditur dhe e ndjenim dhimbjen e tyre thellë në shpirt. Si gazetarë dhe publicistë të Turqisë, ne shkruanim artikuj dhe bënim programe në solidaritet me perëndimorët duke mallkuar me shpirt e dënuar me forcë këto akte terroriste. Jam shumë kureshtar të di sa nga kolegët tanë gjermanë, holandezë, belgë apo francezë kanë mbajtur zi për mijëra qytetarë civilë turq, që janë masakruar nga terroristët e DAESH-it, PKK-së apo FETO-s? Ose a kanë shkruar vallë lajme e artikuj që kritikojnë apo protestojnë këto masakra? Po përgjigjem unë vetë: Jo më shumë se gishtat e një dore dhe këtë e them pa kurrfarë ekzagjerimi.

Por ç’është më interesantja, dhjetëra kolegë perëndimorë i kemi parë me anë të mediave të tyre në kampet e trajnimit të terroristëve të PKK-së, në vilën apo kështjellën e kreut të organizatës terroriste FETO, si dhe në zyrat e kontaktit ose agjencitë e komunikimit të tyre në vendet përkatëse. Simpatinë e madhe dhe mbrojtjen potente për këto organizata terroriste nuk e shikojmë dhe jetojmë vetëm te kolegët tanë gazetarë perëndimorë, por gjithashtu te NATO-ja, Unioni Doganor Evropian dhe te krerët e shteteve apo qeverive të vendeve, që luftojnë bashkërish kundër organizatave terroriste, të cilat i shkaktojnë dëme edhe Perëndimit.

Dhe këta politikanë, pasi shtrëngojnë duart e mblidhen rreth një tavoline me autoritetet shtetërore turke, takohen po ashtu me këta terroristë. Teksa ndjekin kësisoj politikash dualiste, vallë a pendohen  ndopak që takohen me terroristë kriminelë të civilëve, ushtarëve dhe policëve turq, pasi ballafaqohen me autoritetet shtetërore turke?

Le të marrim si shembull Gjermaninë. Kancelarja Angela Merkel vjen në Turqi, viziton liderin turk, Erdogan dhe merr mbështetjen e tij sa herë që zihet ngushtë. E njëjta Merkel merr nën patronazh organizatën terroriste PKK, e cila ka masakruar në Turqi e jo vetëm dhjetëra-mijëra civilë, foshnja, të moshuar, nëna shtatzëna, ushtarë dhe policë. Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, lider i një vendi aleat të Gjermanisë, nuk i lejohet takimi me qytetarët turq në këtë vend lokomotivë të Evropës. Ndërkaq, në të njëjtën kohë, të ashtuquajturve drejtues të lartë të PKK-së, kriminele e dhjetëra-mijëra qytetarëve turq, u hapet rruga për të organizuar mitingje, për t’u tubuar dhe bërë propagandë terroriste pothuajse në të gjitha qytetet gjermane.

Madje, vetëm pak ditë më parë, jo më shumë se disa qindra metra larg ndërtesës ku u mbajt Samiti i G20-s në Hamburg, autoritetet gjermane lejuan hapjen e posterave të Abdullah Ocalan, urdhëruesi i vrasjeve të dhjetëra-mijëra qytetarëve turq dhe organizatori e lideri më i madh i terrorizmit në qindvjeçarin e fundit, si dhe mbajtjen e një mitingu që bekonte terrorizmin.

Organizata separatiste terroriste PKK siguron dhjetëra-miliona euro të ardhura nga ky vend dhe kjo është theksuar bile, bile edhe në raportet e hartuara nga vetë shërbimi informativ gjerman.

Si të mos mjaftonin të gjitha këto, Gjermania u hapi gjirin dhe u ofroi një jetë plot komfort oficerëve puçistë, anëtarë të organizatës terroriste FETO, e cila masakroi 250 qytetarë turq dhe plagosi mijëra të tjerë natën e 15 korrikut 2016.

Ndërsa sot, Gjermania është duke korrur ato çfarë ka mbjellë.

Simpatizantët dhe anëtarët e PKK-së, FETO-s dhe grupeve terroriste të tjera dogjën dhe rrënuan gati të gjithë Hamburgun me pretekstin e protestave antikapitaliste dhe kundër Samitit të G20-s, i cili u mbajt në këtë qytet. Organizata terroriste e quajtur AntiFa, ndërkohë që në Siri dhe Irak kryen akte të përbashkëta me DAESH-in dhe PKK-në, në kryeqytetin e Gjermanisë bën terror nën patronazhin shtetëror.

Dhe, siç ka thënë edhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vorbulla e terrorizmit, e cila ra në veshët shurdhë të elitës politike evropiane, fatkeqësisht, ka rrëmbyer tashmë edhe popujt e vendeve anëtare të Unionit. Jemi duke pritur me kureshtje të shohim se si do mund të luftojë nesër policia evropiane ndaj këtyre terroristëve. Dhe, ashtu si në çdo vend tjetër, këta terroristë do të marrin jetët dhe dëmtojnë pronat e civilëve në Evropë.

Mjerisht, me në krye AntiFa-në, organizatat terroriste si PKK-ja, FETO-ja dhe DAESH-i janë tashmë një realitet i pranishëm edhe në Evropë. Kam frikë se ky qëndrim i gabuar i disa politikanëve evropianë, që janë bërë robër të lakmisë dhe grykësisë së tyre, do të paguhet shumë shtrenjtë edhe nga civilët evropianë. Por ç’është më e dhimbshmja, këta civilë do të detyrohen, ashtu si edhe ne, të jetojnë me belanë e terrorizmit.

Autor: Erdal Simsek

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit