5.6 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Koment – Rezultatet e fitores së Trumpit për Egjiptin dhe Izraelin

Më të lexuarat

Një analizë në lidhje me fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe domethënien e saj për Egjiptin, Izraelin dhe Palestinën…

 

Zgjedhjet presidenciale amerikane të 8 nëntorit 2016 nxorën fitues kandidatin republikan, Donald Trump. Në analizën e javës së kaluar u fokusuam tek ecuria e mundshme e politikës së përgjithshme të SHBA-së për Lindjen e Mesme gjatë mandatit të Trumpit. Kurse këtë javë do të qëndrojmë mbi çfarë do të sjellë administrata e Uashingtonit nën drejtimin e miliarderit republikan për Egjiptin, Izraelin dhe Palestinën.

Javën e shkuar thamë gjithashtu që Donald Trumpi e shikon terrorizmin si identik me aparencën e islamit në jetën publike. Fatkeqësisht, ky është një këndvështrim islamofob. Kur pikëpamja në fjalë vendoset në qendër të perceptimit prej sigurimsi, atëherë shkakton margjinalizimin e lëvizjeve shoqërore, që gjejnë jetë në terren islamik. Në këtë kontekst, statusi i terroristit u vishet edhe grupeve të tilla si ai egjiptian i Lëvizjes së Vëllezërve Myslimanë. Ky është edhe emëruesi i përbashkët i kreut të shtetit të Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Këndvështrimi në fjalë për terrorizmin i mundëson Trumpit që të ushqejë simpati për liderë autoritarë si Abdel Fattah el-Sisi. Presidenti i zgjedhur i SHBA-së vepron duke marrë shtysë nga mendimi se terrorizmi kërkon kundërdhunë, ndërsa kundërdhuna një lider fuqiplotë. Prandaj dhe republikani, që po përgatitet të marrë në dorëzim çelësat e Shtëpisë së Bardhë, e kishte quajtur El-Sisin “personalitet fantastik” pas një takimi në Nju-Jork gjatë muajit shtator të këtij viti. Trumpi ka shprehur në çdo rast mbështetjen e tij për “luftën e Egjiptit kundër terrorizmit”, por edhe se ky vend është përherë një mik dhe aleat i besuar i SHBA-së.

Walid Phares, këshilltar për politikën e jashtme i Donald Trumpit, i cili ka realizuar takime me deputetë egjiptianë gjatë punimeve të sivjetme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka theksuar se Vëllezërit Myslimanë do të klasifikohen si organizatë terroriste edhe nga pasardhësi i Barack Obamas. Mjaft domethënëse në këtë aspekt është ajo se lideri i parë, që i ka telefonuar Trumpit për ta uruar në lidhje me fitoren e zgjedhjeve presidenciale, ka qenë Sisi. Administrata Obama e njohu pa kurrfarë vështirësie dhe rezerve qeverinë e Sisit, që mori pushtetin pas grushtit të shtetit të organizuar prej tij në vitin 2013. Megjithatë Uashingtoni e ka parë të arsyeshme që hera-herës të bëjë kritika në drejtim të Kajros. Po ashtu administrata amerikane ka pezulluar përkohësisht në disa raste kreditë ushtarake dhe dorëzimin e armëve, që Egjipti kishte blerë prej saj. El-Sisi dhe rrethi i tij i ngushtë kanë preferuar që t’i komentojnë ngërçet në fjalë si qëndrim të administratës Obama në favor të Vëllezërve Myslimanë.

Sakaq Abdel Fattah el-Sisi ka filluar të zhvillojë marrëdhëniet e tij me regjimin e Esadit në Damask dhe t’i afrohet Rusisë në politikën e jashtme, si pasojë e ftohjes së marrëdhënieve me Arabinë Saudite. Ndërkohë Egjipti ka votuar për herë të parë në historinë e tij në favor të zgjedhjes së Izraelit në një nga komisionet e OKB-së. Sisi është i mendimit se politika për Lindjen e Mesme, që SHBA-ja do të ndjekë gjatë periudhës së Trumpit, do të jetë përgjithësisht në përputhje me politikën rajonale të Egjiptit.

S’ka asnjë pikë dyshimi se ata që do të preken më keqas nga politika e administratës Trump për Lindjen e Mesme do të jenë palestinezët. Në fazat e para të fushatës zgjedhore, Donald Trumpi kishte nënvizuar se do të ishte i paanshëm në lidhje me zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Ai gjithashtu kishte vënë në pyetje arsyen e ndihmave ushtarake prej miliarda dollarësh të vendit të tij për Izraelin. Për më tepër, Trumpi ishte shprehur në favor të zgjidhjes me dy shtete të këtij problemi shekullor dhe kishte kundërshtuar që Jerusalemi të bëhej kryeqyteti i Izraelit.

Mirëpo në etapat e avancuara të fushatës elektorale për garën presidenciale, sidomos drejt përfundimit të saj, Donald Trumpi ka rezultuar politikani me qëndrimin proizraelit më të ngurtë në historinë e SHBA-së. Pas kritikave të kandidates demokrate, Hillary Clinton, drejtuar tij posaçërisht rreth çështjes në fjalë, Trumpi bëri ndryshime radikale në retorizmin e tij për Problemin Palestinez. Gjatë zgjedhjeve paraprake, me përjashtim të demokratit Bernie Sanders, kandidatët e të dyja partive kryesore amerikane hynë në garë për t’u bërë politikani më proizraelit. Në këtë kontekst, Trumpi nisi të mos flasë më për zgjidhjen me dy shtete dhe të thotë se qëndrimi proizraelit është domosdoshmëri e amerikanizmit. Madje ai theksoi se Izraelin nuk e ka parë kurrë si një fuqi pushtuese. Trumpi jo vetëm që nuk ka bërë kritika në lidhje me kolonizimin çifut të territoreve palestineze, por edhe e ka mbështetur plotësisht këtë gjë. Një tjetër çështje, që e bën situatën edhe më të mjeruar, është se kreu i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur që do ta njohë Jerusalemin zyrtarisht si kryeqytet të përjetshëm të Izraelit dhe se do të transferojë atje Ambasadën e SHBA-së, që aktualisht ndodhet në Tel-Aviv.

Kur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane, krahas Sisit, një ndër liderët më të kënaqur në Lindjen e Mesme ishte padyshim Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Ky i fundit, pasi e uroi Trumpin për fitoren, i rikujtoi atij edhe premtimet elektorale në lidhje me Izraelin. Kurse Naftali Bennet, ministër i Arsimit dhe një nga emrat kryesorë të lëvizjes kolonialiste izraelite, deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve amerikane i shikon si fundin e zgjidhjes me dy shtete dhe e përpjekjeve për një shtet palestinez. Një koment i ngjashëm ka ardhur edhe nga Yossi Dagan, kryetar i Këshillit Rajonal të Samarisë, një vendbanim çifut në veri të Bregut Perëndimor. Dagan ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve në SHBA ndezin dritën jeshile për të vazhduar pa pengesa kolonizimin.

Dakord, por a ka mundësi që Trumpi të bëjë kthesë nga qëndrimi, që ai mori në lidhje me Problemin Palestinez gjatë fushatës elektorale? Ekipi përreth Donald Trumpit, duke përfshirë edhe zv/presidentin Mike Pence, formohet nga politikanë e këshilltarë djathtistë të mprehtë. Në këtë kontekst, nuk besojmë se do të bëhet fjalë për ndonjë hap të madh në drejtim të kundërt. Megjithatë Trumpi mund të preferojë të harrojë vetëm njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

Një tjetër çështje, që mundëson afrimin e Netanyahut me Trumpin, është angazhimi i presidentit të zgjedhur amerikan për të rihapur negociatat në lidhje me marrëveshjen bërthamore, arritur me Iranin gjatë qeverisjes Obama. Për këtë gjë mund të pritet një bashkëpunim i ngushtë mes dyshes në fjalë. Mirëpo nëse “mësymja politike” e administratës Trump kundrejt Iranit i tejkalon kufijtë, atëherë kjo mund të shkaktojë probleme në aspektin e koordinimit të politikave për Lindjen e Mesme me Rusinë, gjë që Donald Trumpi dhe Vladimir Putini duket se e kërkojnë me ngulm.

Gjithsesi, politika e Trumpit për Egjiptin në njërën anë dhe ajo për Palestinën e Izraelin në anën tjetër duket se plotësojnë njëra-tjetrën. Politika izraelite kundër Hamasit dhe ajo egjiptiane kundër Vëllezërve Myslimanë korrespondojnë gjithashtu. Kjo gjë është në integritet të plotë edhe me konceptin e Donald Trumpit për “luftën kundër terrorizmit”. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, thellimi i marrëdhënieve ndërmjet Kajros dhe Tel-Avivit konsolidon domosdoshmërinë e Egjiptit për sigurinë e Izraelit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit