13.6 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Koment – Recidivi i valës së re raciste në SHBA

Më të lexuarat

Qasja raciste dhe dallimet ideologjike, sociale e kulturore, të cilat qëndrojnë pas incidenteve në qytetin Charlottesville të shtetit Virgjinia, SHBA, janë në të vërtetë pasqyrim i rrënjëve historike në ditët e sotme…

Incidentet e javës së tretë të gushtit në qytetin Sharlotsvilë (Charlottesville) të Virgjinias, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezultuan me vdekjen e një personi dhe plagosjen e 19 të tjerëve. Menjëherë pas daljes jashtë kontrollit të protestave, të cilat u organizuan nga grupe raciste, në qytet u shpall gjendje e jashtëzakonshme. Të paktën po aq të rëndësishme sa dhe shkaku i shpërthimit të ngjarjeve në fjalë, janë gjithashtu motivet historike, sociologjike dhe kulturore të tyre. Për të bërë një analizë të shëndoshë, ngjarjet në Sharlotsvilë duhet të shqyrtohen patjetër në këto dy fronte.

Qasja raciste dhe dallimet ideologjike, sociale e kulturore, të cilat qëndrojnë pas incidenteve në këtë qytezë amerikane të shtetit Virgjinia, janë në të vërtetë pasqyrim i rrënjëve historike në ditët e sotme. Sepse racizmi, i cili mishërohet në origjinën sociologjike të SHBA-së, ka një histori të gjatë.

Lufta Civile Amerikane, që shpërtheu mes shteteve veriore dhe jugore të SHBA-së në vitet 1860-65, u shfaq në dukje si një përplasje e armatosur ndërmjet mbrojtësve të skllavopronarisë së turpshme dhe kundërshtarëve të saj, por, realisht, kishte baza edhe më të gjera ekonomike, historike, ideologjike e socio-kulturore. Historikisht dhe ideologjikisht, konfrontimi për dominim politik rreth skllavërisë i shteteve veriore me vlera kapitaliste liberale, me ato jugore me vlera konservatore feudale, përbënin mosmarrëveshjen apo divergjencën esenciale të luftës. Të dyja palët identifikuan dhe përcaktuan qëndrimet e tyre politike, ekonomike dhe ideologjike në kuadrin e interpretimeve protestante-evangjeliste, të cilave u ngarkuan misione të ndryshme duke mbërthyer fenë në qendër të luftës së tyre filozofike dhe ideologjike. Shtetet e industrializuara veriore adoptuan një rend ekonomiko-politik liberal-kapitalist, ndërsa ato agrare të jugut mbështetën një qëndrim ideologjik, i cili bazohej në rendin skllavopronar klasik dhe në konceptin e vjetër puritan. Për rrjedhim, ekonomikisht, Lufta Civile Amerikane ishte në një aspekt konflikti për të transformuar njerëzit me ngjyrë (zezakët), që punonin në pambukoret e Jugut, në fuqi punëtore të lirë për fabrikat industriale të Veriut.

Ndërsa historikisht, qasjet raciste, të cilat bazohen në superioritetin e njeriut të bardhë dhe qëndrojnë pas incidenteve të sotme, duket se rishfaqen si një shëmbëlltyre e ngjarjeve të së kaluarës. Pjesëmarrja dhe kontributi i ushtarëve me ngjyrë në Lutën Civile Amerikane kishte rritur shpresat për themelimin e një rendi të ri të pasluftës, mbështetur në barazinë racore (në rastin konkret mes zezakëve dhe të bardhëve). Heqja e skllavërisë në vitin 1865 dhe njohja e së drejtës së zezakëve për të zgjedhur e për t’u zgjedhur në 1868-n kanë qenë një prag historik i rëndësishëm për garantimin e të drejtave, lirive dhe barazisë midis njerëzve në Amerikë.

Sidoqoftë, nga fundi i 1870-s, në vitet pas politikave republikane të rindërtimit (Reconstruction Era), të drejtat e dhëna zezakëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rimorën dhe ndërkohë u krijuan organizata famëkeqe si Ku Klux Klan (KKK), Kalorësit e Kamelies së Bardhë (KWC) dhe Vëllazëria e Bardhë (WB), të cilat mbronin superioritetin e njeriut të bardhë. Në shënjestrën e këtyre organizatave nuk ishin vetëm zezakët, por edhe emigrantët nga Azia (si në shembujt e Gazetarisë së Verdhë dhe Rrezikut të Verdhë), katolikët dhe hebrenjtë. Qasjet raciste nuk mbetën vetëm një simpati e masave popullore, por edhe u përligjën administrativisht e politikisht në disa shtete jugore me anë të ligjeve të Jim Crow. Që prej fundit të viteve 1870, sidomos përmes ndryshimeve ligjore apo ligjeve të reja në Shtetet e Bashkuara të Jugut, zezakëve iu rimor e drejta për të votuar dhe për t’u zgjedhur, ndërsa u shënua një regres i jashtëzakonshëm në të drejtat dhe liritë në fushën e arsimit, kulturës dhe sociale. Pikërisht këto u emërtuan si ligjet e Jim Crow.

Asokohe, rol efektiv në përhapjen dhe zgjerimin e racizmit në SHBA ka luajtur gjithashtu sistematizimi filozofik dhe ideologjik i mendimit racist në botën perëndimore, si dhe mbështjellja e tij me një petk shkencor të lustruar. Francezi Arthur de Gobineau dhe britaniku Houston Stewart Chamberlain, që bënë për herë të parë klasifikimin e racave njerëzore duke konsideruar atë ariane (indoevropianët) si perfektë dhe superiore, hodhën themelet e ideologjisë raciste. Krahas sa më sipër, teoria e Darvinizmit Social gjithashtu, zhvilluar nga Alfred Russel Wallace dhe Herbert Spencer mbi bazat shkencore të hedhura nga Charles Darwin, në aspektin filozofik dhe ideologjik bëri jehonë shumë të madhe në SHBA duke mundësuar zhvillimin dhe përhapjen e mendimit racist në komunitetin e bardhë.

Praktikat e ngurta raciste në Shtetet e Bashkuara vazhduan deri në vitet 1950. Veprimtaritë e viteve 1930 të Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyre (NAACP), ku dominonte influenca e avokatëve zezakë, çështja e Rosa Park dhe ajo e quajtur “Brown kundër Bordit të Arsimit” në 1954-n, si dhe përpjekjet e viteve 1960 të Martin Luther King e Malcolm X, më në fund dhanë rezultat. Ligjësimi i Aktit të së Drejtave Civile në vitin 1964 i dha fund diskriminimit formal dhe ligjor duke dënuar si krim ndarjen ose veçimin e personave sipas racave në vende publike. Megjithatë problemet në praktikë nuk do të përfundonin në SHBA dhe do të vazhdonin me lëvizjen publike “Pushto Uoll Stritin” (Occupy Wall Street), e cila u shfaq në vitin 2011 për motive ekonomike, si dhe me ngjarjet e dhunshme të 2016-s në Ferguson, Baltimorë e Çikago, të cilat shpërthyen si pasojë e qasjeve raciste.

Siç është trajtuar shkurtimisht edhe më lart, recidivi i incidenteve raciste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkaktohet ende nga pamundësia për të përvetësuar kulturën e bashkëjetesës në këtë vend. Pas kësaj qëndrojnë faktorët historikë dhe politikë, problemet socio-ekonomike, si dhe ndasitë intelektuale e ideologjike gjithnjë e më të theksuara në shoqëri. Ndërsa gabimet e bëra nga politikanët dhe qeveritarët aktivizojnë vijat e sipërcituara të thyerjes duke shkaktuar ndonjëherë edhe vetë thyerjen e tyre, si në Sharlotsvilë.

 

Autor: Prof. dr. Mustafa Sitki Bilgin – Drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Studimeve Strategjike (ULISA), Universiteti “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit