15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Koment – Nëse Jerusalemi bie…?

Më të lexuarat

Analizë nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara…

 

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Jerusalemi është qyteti i shenjtë i myslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve; kibleja e parë e besimtarëve të islamit… Ai është qyteti nga ku Profeti Muhamed (s.a.v.s.) filloi ngjitjen në katet qiellore(miraxh). Apo siç thotë poeti i famshëm turk, Sezai Karakoç: “Qytet i ndërtuar në qiell dhe i zbritur në tokë.”

Është qyteti, ku të gjithë njerëzit e besimeve të ndryshme kanë jetuar së bashku në paqe dhe qetësi me Paqen Otomane (Pax Ottomana) për 401 vite me radhë, nga ngadhënjimi i Jerusalemit më 1516-n prej Sulltan Selimit I (Selimi i Patundur) e deri në vitin 1917…

Aq sa në atë epokë paqësore të gjatë më se 4 shekuj, përkundër perceptimit të sotëm, Jerusalemi ishte një nga qytetet që përhapte klimën e qetësisë në Lindjen e Mesme dhe prej atje në mbarë botën; bashkë me Mekën dhe Medinën. Ndërsa sot Lindja e Mesme konsiderohet nga disa si “moçal”, për shkak të “detit të gjakut” të krijuar nga Izraeli dhe mjaft zhvillimeve të tjera në këtë rajon.

Vendimi i SHBA-së për Jerusalemin dhe reagimet…

Shpallja e njëanshme e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një veprim i cilësuar si zgjatim i debateve të brendshme politike të këtij vendi, mundësoi bashkimin e të gjithë botës kundër Uashingtonit. Pavarësisht kërcënimeve të hapura, vulgare dhe pa pikë respekti, të gjitha vendet shfaqën një qëndrim plot dinjitet kundër vendimit në fjalë duke regjistruar një shembull të paprecedentë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në Këshillin e Sigurimit, SHBA-ja mbeti vetëm me 1 votë kundër 14. Kurse në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara vetëm 8 shtete iu gjunjëzuan këtij shantazhi. Bota islame, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Afrika, Amerika Latine dhe vendet e Lindjes së Largët bashkëvepruan si rrallëherë më parë.

Njerëzit e protestuan këtë vendim në pothuajse të gjitha shtetet e botës, përfshi këtu madje SHBA-në dhe Izraelin. Njerëzimi u bashkua në gjykimin e shëndoshë.

Këtu vlen të theksohet edhe lidershipi apo roli protagonist i Turqisë si vend që mban presidencën e radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OIC). Takimet dhe bisedat telefonike të Presidentit Recep Tayyip Erdogan me liderët e BE-së, Putinin, Papën dhe autoritete të tjera të larta ishin maksimalisht të rëndësishme në aspektin e demonstrimit të një qëndrimi të përbashkët.

Jerusalemi arriti të ribashkojë edhe shtetet myslimane, të cilat kanë jo pak probleme ndërmjet tyre, si dhe të mbledhë sërish vendet anëtare të BE-së dhe ato myslimane përreth një synimi të përbashkët.

Urojmë që vendimi i SHBA-së për Jerusalemin të kontribuojë po ashtu për të formuar një vetëdije globale në lidhje me çështjen palestineze; me shpresën që akordi global kundër vendimit në fjalë të demaskojë spastrimin etnik në Palestinë, një politikë kjo e cila është shtrirë në kohë, si dhe të mundësojë dominimin e një qasjeje mbi bazat e drejtësisë në rajon.

Po sikur bota të mos rezistonte? Apo në se Jerusalemi bie…

Vendimi i SHBA-së për Jerusalemin është një prej shembujve më të bukur të asaj që gjërat e mira mund të dalin edhe nga ato që duken si të këqija.

Nëse s’do të bëhej rezistencë, atëherë Izraeli do të inkurajohej akoma më tepër për idealin e quajtur “Toka e Premtuar” (hebraisht:HaAretz HaMuvtahat; ose arabisht: Ard al-Mi’ad), që shtrihet midis lumenjve Tigër-Eufrat duke përfshirë edhe territoret e shteteve të rajonit, sikurse ka paralajmëruar vazhdimisht ish-kryeministri i ndjerë i Turqisë, Necmettin Erbakan. Po të mendojmë kërcënimin që ai përbën me gjendjen e tij të sotme për rajonin dhe njerëzimin, më qartë do të shihet edhe kanosja që “Izraeli i Madh” do të krijojë.

Sipas gjasave, më të vetëdijshmit për kërcënimin e mundshëm nga çifutët sionistë, që ngasin pas idealit të Tokës së Premtuar dhe që besojnë të jenë “populli i zgjedhur i Zotit”, janë pikërisht hebrenjtë që s’mendojnë në këtë mënyrë, joracistë dhe jofashistë. Në kujtesën botërore është ende e freskët një nga gjëmat më të mëdha në historinë e njerëzimit, shkaktuar nga ideologjia naziste e Hitlerit kinse gjermanët janë “raca superiore”. Nëse s’do të bëhej qëndresë kundër vendimit të SHBA-së për Jerusalemin, atëherë do të inkurajohej edhe më shumë një ideologji e ngjashme e “racës së zgjedhur”.

Reagimi i përbashkët i shteteve anëtare të BE-së dhe atyre islame kundër vendimit amerikan për Jerusalemin bëri të mundur që të shikohet edhe një tjetër herë se marrëdhëniet Islam-Perëndim, gjithmonë e më shumë të tensionuara kohët e fundit, nuk është e thënë të ndërtohen domosdoshmërish mbi kontradikta.

Po të mos ishte bërë rezistencë kundër vendimit të SHBA-së për Jerusalemin, atëherë do të fuqizohej edhe më tepër një botëkuptim ku sundon i forti dhe jo i drejti; ndërsa forca e rajoneve të shtypura për t’u rezistuar padrejtësive do të merrte një plagë të madhe.

Në rast se nuk do të ishte bërë një përpjekje globale për Jerusalemin, atëherë pafuqia e mësuar do të konsolidohej akoma më shumë dhe shpresat e të pafuqishmëve për të ardhmen do të errësoheshin mjaft më tepër.

Nëse njerëzimi do të kishte qenë vetëm spektator kundër vendimit në fjalë, atëherë si mund të shikohej në sy Aheedi, bija e nderuar e Palestinës që u rezistoi heroikisht ushtarëve izraelitë?

Kush do të kishte sy e faqe për të evokuar emrin e Rachel Corrie, aktivistes ende 24-vjeçare që u shtyp nga buldozerët izraelitë në Gazë teksa palestinezët rezistonin që mos t’u shembeshin banesat?

Nazizmi s’duhet të fanitet sërish, nazizmi çifut duhet të pengohet…

Mirëpo a mjaftojnë vetëm këto?

Sigurisht që jo! Sepse në rast se Jerusalemi bie, atëherë të tëra gjerat pozitive të mësipërme do të përmbysen kryekëput.

Që të mos bjerë Jerusalemi, hebrenjtë liberalë janë ata që duhet të rezistojnë më shumë. Përkundrazi, ata do të jenë të parët që do të humbasin. Sikurse gjermanët liberalë, që ishin të humburit kryesorë të nazizmit gjerman. Njerëzimi pagoi një kosto shumë të rëndë me nazizmin gjerman. Të njëjtat gjëra s’duhet të përjetohen sërish me nazizmin çifut.

Siç edhe mund ta shihni, çështja e Jerusalemit nuk u përket vetëm myslimanëve, të krishterëve, hebrenjve. Çështja e Jerusalemit është një çështje e mbarë njerëzimit.

Pasi nëse Jerusalemi bie, ndërgjegjja bie, drejtësia bie, njerëzimi bie…

 

* Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit