12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Koment – Jerusalemi: Përse tani?

Më të lexuarat

A ka një simbolikë njohja dhe shpallja nga Trumpi e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, përfshi këtu edhe Jerusalemin Lindor, plot 100 vite pas pushtimit të 1917-s?

 

Më datë 11 dhjetor 1917, vetëm 2 ditë pasi trupat britanike kishin pushtuar Jerusalemin, në të hyrë të Qytetit të Shenjtë, thuhet se Gjenerali Edmund Allenby (më pas feldmareshal), komandant i Forcës së Ekspeditës Egjiptiane (EFF) të Mbretërisë së Bashkuar, ka njoftuar edhe fundin e kryqëzatave. Ndërkohë që çdo gjë është e trazuar në Lindjen e Mesme – “fevkanin tahtanin” me dialektin damaskian të arabishtes, pra, ku mbizotëron një klimë kaotike “me gjithçka të përmbysur” – njohja dhe shpallja nga Trumpi e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, përfshi këtu edhe Jerusalemin Lindor, mund të shndërrohet në kiametin e rajonit duke krijuar efektin e një bombe atomike. Kjo deklaratë e mbarsur ndoshta me “shpërthimin e madh” në Lindjen e Mesme, lëshuar plot 100 vite pas pushtimit të 1917-s, vallë a nuk përmban një simbolizëm? Kësaj mund t’i shtojmë gjithashtu simbolikat e 100-vjetorit të Deklaratës së Balfurit, e cila mban datën 2 nëntor 1917, si dhe 50-vjetorin e pushtimit të Jerusalemit Lindor si pasojë e Luftës Gjashtëditore të 1967-s. Të paktën është e qartë se gati të gjithë ne bashkohemi në mendimin që Donald Trumpi nuk është një figurë kaq e rafinuar, saqë mund ta perceptojë këtë simbolizëm. Dakord, por çfarë ndodhi që presidenti i SHBA-së mori një vendim të tillë pikërisht këto ditë?

Nëse simbolizmi nuk ju duket fort i besueshëm, atëherë kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjeni duke thënë se Trumpi e kishte premtuar njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit gjatë fushatës elektorale. Por edhe kjo nuk duket si një përgjigje e kënaqshme për pyetjen: “Përse tani?”

 

Mirëpo nëse mendoni që as simbolika e 100-vjetorit dhe as premtimi i Trumpit në lidhje me këtë çështje nuk janë arsye të mjaftueshme për të njohur pikërisht në këto ditë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, atëherë përgjigjen duhet ta kërkojmë më thellë, në ndryshimet e viteve të fundin në rajonin e Lindjes së Mesme. Fare e qartë është se “Pranvera Arabe”, e cila nuk i solli Lindjes së Mesme një erë të ngrohtë beharore, u transformua në një tërmet që fragmentoi në mënyrë të pariparueshme vijat e thyerjes shoqërore etnike dhe sektare të gjalla në sociologjinë e rajonit. Padyshim që ky rajon nuk do të jetë kurrë më si më parë këtej e tutje. Megjithatë një rend do të vendoset në këtë apo atë mënyrë pas këtij kaosi gjithsesi. Kurse lëvizja e fundit e presidentit të SHBA-së në lidhje me Jerusalemin duket si një tentativë për të krijuar rreth vetes një rend të ri satelitësh duke hedhur në erë këto vija të thyerjes tashmë të fragmentuara. Por, sikurse dhe në kumarin e referendumit të Barzanit, kjo manovër bart probabilitetin për t’u kthyer duarbosh dhe madje rrezikun për të humbur të gjithë botën arabe e islame.

Edhe pse Kongresi amerikan miratoi në vitin 1995 ligjin e quajtur “Akti i Ambasadës së Jerusalemit” për transferimin e Ambasadës së SHBA-së nga Tel-Avivi në Qytetin e Shenjtë, zbatimi i tij është shtyrë çdo gjashtë muaj nga krerët e Shtëpisë së Bardhë që nga ajo kohë për shkak të brishtësisë dhe delikatesës së situatës. Mirë, por ç’u bë sot që SHBA-ja iu përvesh një pune të tillë plot 22 vite pas këtij ligji?

Gabimet strategjike të administratave amerikane veçanërisht në Irak e Siri dhe përgjithësisht në Lindjen e Mesme po rezultojnë me një hallkë të re të shtuar në zinxhirin e lajthitjeve fatale, që ato kanë bërë në rajon, duke njohur së fundmi Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Copëtimi faktit i vendeve si Iraku, Siria dhe Jemeni duke rrëzuar sistemet apo strukturat shtetërore të këtyre vendeve nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit dhe radikalizmit, nxori më të fituara dy shtete rivale të SHBA-së në rajon, Rusinë dhe Iranin. Federata Ruse konsolidoi influencën e saj në Siri dhe pothuajse e transformoi Sirinë Perëndimore “de facto” në një administratë nën mandat. Ndërsa Irani, përveçse fitoi ndikim në Irak e Siri dhe gjeti shansin e kontaktit tokësor me Izraelin përmes Libanit dhe Hizbullahut, është tashmë në gjendje të kërcënojë duke rrethuar aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik me anë të vendeve si Jemeni dhe Bahrejni. Amerika jo vetëm që e braktisi Turqinë aleate dhe partnere për sa i takon çështjes siriane, por njëherësh e detyroi aleaten e saj më të rëndësishme në rajon që të bashkëpunojë me Rusinë dhe Iranin duke mbështetur organizata terroriste si PKK-ja, PYD/YPG-ja dhe FETO-ja, të cilat përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare turke. Le t’i shtojmë kësaj edhe krizën e fundit të Gjirit, pra, izolimin e Katarit nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kundër bllokut Turqi-Rusi-Iran-Katar, i cili mori trajtë si pasojë e politikave të gabuara të Uashingtonit në Lindjen e Mesme, SHBA-ja ka formuar nën lidershipin e saj një bllok të përbërë nga Arabia Saudite, vendet e Gjirit, Egjipti dhe Izraeli. Ky hap i ndërmarrë në mbarim të dominimit territorial të DAESH-it duket të jetë një produkt i akordit të kohëve të fundit ndërmjet SHBA-së së udhëhequr nga Trumpi, Arabisë Saudite (dhe Gjirit Persik) nën lidershipin e Mohammad bin Salmanit dhe Izraelit. Pasi influenca e fituar kohët e fundit nga Irani në rajon kërcënon më tepër Izraelin, Arabinë Saudite dhe, rrjedhimisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me anë të këtij akordi mund të shpjegohen edhe shtrëngimi në Riad i Saad Haririt për të dhënë dorëheqjen, edhe detyrimi i Mahmoud Abbasit për të miratuar në emër të administratës palestineze një marrëveshje paqeje me kushte të papranueshme. Sepse kohët e fundit edhe Abu Mazeni është shtrënguar me presion/forcë për të pranuar si kryeqytet të Palestinës kasabanë e quajtur Abu Dis, në jug të Qytetit të Shenjtë, në vend të Jerusalemit Lindor. Egjiptit po ashtu i është kërkuar që të kontribuojë në formimin e këtij blloku duke i dhënë administratës palestineze (me shumë gjasa në formë dëmshpërblimi) një pjesë të territorit të Sianit. Në kuadër të këtij akordi vlen të analizohet edhe “peshqeshi”, që Egjipti i bëri Arabisë Saudite vetëm pak muaj më parë me dy ishujt strategjikë në Detin e Kuq. Sipas gjasave, edhe Abdel Fattah el-Sisi ka dashur të konsolidojë pushtetin e tij duke marrë mbështetje financiare dhe politike falë këtij akordi.

Por kjo llogari e bërë në “shtëpi” jo gjithnjë mund t’i përshtatet çarshisë së Lindjes së Mesme. Sepse kjo është një llogari e bërë pa hanxhiun dhe, si e tillë, nuk del si e kanë menduar. Trumpi e bëri lëvizjen e tij në fushën e shahut duke njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Padyshim që shumë vende nga bota islame, me në krye Turqinë dhe pastaj Jordaninë, reaguan dhe do të vazhdojnë të reagojnë fuqishëm ndaj këtij vendimi. Mirëpo përcaktuese kryesore në këtë pikë do të jenë qëndrimet e popujve dhe qeverive të Egjiptit e Arabisë Saudite (Gjirit). Nëse qytetarët egjiptianë dhe sauditë demonstrojnë një reagim të madh, atëherë kundërveprimi i qeverive përballë kësaj mund të ndryshojë të gjithë rendin në Lindjen e Mesme.

Epilog: S’ka paqe në Lindjen e Mesme pa paqe në Jerusalem!

Autor: Prof. dr. Cengiz Tomar – Lektor i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Marmarasë, Stamboll

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit