6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Koment – A po bëhen përgatitje për Luftën e Tretë Botërore?

Më të lexuarat

Artikulli i zëdhënësit të Presidencës, Ibrahim Kalin publikuar në gazetën “Daily Sabah” më 14 prill 2018.

 

Dhënia fund e luftës në Siri dhe vuajtjeve të popullit sirian kërkon një strategji që duhet të kalojë përtej luftërave me prokurë dhe demonstrimit të fuqisë gjeopolitike.

A do të ketë luftë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë pas sulmeve me armë kimike të kryera nga regjimi i Esadit më 7 prill në Duma? A është ky fillimi i Luftës së Tretë Botërore? Pavarësisht deklaratave të tepruara dhe grindjeve verbale, jo.

Ka prova të fuqishme që regjimi i Beshar Esadit në datën 7 prill përdori përsëri armë kimike. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raportoi se rreth 500 njerëz në Duma u kuruan pasi u vunë re “shenja dhe simptoma të ekspozimit ndaj lëndëve kimike helmuese”. Supozohet se si pasojë e sulmeve me armë kimike humbën jetën mbi 70 persona. Viktimat  shfaqën simptoma që kishin të bënin me “ekspozimin ndaj kimikeve shumë toksike”.

Por kjo nuk është hera e parë; regjimi sirian ka përdorur edhe më parë armë kimike mbi popullin e tij. Kur e bëri këtë në vitin 2013, presidenti amerikan Barak Obama vendosi një vijë të kuqe, por nuk bëri asgjë; as për ta bërë regjimin përgjegjës e as për të marrë masa për të siguruar që akte të tilla barbare të mos përsëriteshin më. Ky dështim i Obamës i dha Rusisë dhe Iranit mundësinë për tu përfshirë me të gjithë fuqinë e tyre në kaosin në Siri. Së bashku me këtë, kjo sjellje e Obamës ishte gjithashtu edhe ‘kamerdarja e shpëtimit” për regjimin e Esadit, i cili ndërkohë që ishte gati të shkatërrohej u ktheu përsëri në jetë. Një përgjigje serioze dhe strategjike në atë periudhë do të kishte  ndryshuar rrjedhën e luftës në Siri dhe do të kishte parandaluar sulmet e mundshme kimike në të ardhmen.

Por nga ana tjetër, përdorimi i armëve kimike, që në vetvete është një krim i neveritshëm i luftës, është vetëm një pjesë e tragjedisë siriane. Qindra mijëra njerëz kanë vdekur dhe miliona të tjerë janë detyruar të bëhen refugjatë dhe të zhvendosen brenda vendit të tyre si pasojë e luftës më brutale të shekullit të 21-të. Ashtu siç ka thënë me të drejtë Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), deri më tani (në Siri) më shumë njerëz kanë vdekur si pasojë e përdorimit të armëve konvencionale dhe bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar ndaj kësaj drame, duke lënë në njërën anë popullin sirian nën mizorinë e regjimit të Esadit dhe në anën tjetër nën barbarizmin e DAESH-it dhe grupeve të tjera terroriste. Populli sirian nuk ka dhe nuk duhet të zgjedhë mes dy egersirave në luftën e Sirisë. Përveç disa pak përjashtimeve si Turqia, pjesa më e madhe e botës i ka kthyer shpinën popullit sirian.

Sulmi kimik që ndodhi më 7 prill duhet të merret seriozisht dhe regjimi sirian duhet të mbahet përgjegjës për krimet e luftës. Ndër masat e mundshme që mund të merren është edhe një ndërhyrje ushtarake për shkatërrimin e kapaciteteve kimike dhe kapaciteteve të tjera vdekjeprurëse të regjimit të Esadit. Turqia gjithashtu mbështeti një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të hetuar ngjarjen më 7 prill në Duma të Gutës Lindore në Siri. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) do të dërgojë një delegacion në Duma për të verifikuar përdorimin e armëve kimike. Këtij delegacioni i duhet dhënë qasje e plotë për të bërë punën e tij.

Administrata Trump nuk ka vendosur ende se si do të reagojë. Po, tensionet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë janë të larta, por nuk do të shkaktojnë një luftë botërore. Gjatë katër viteve të fundit, “legjenda” e Sirisë u përdor nga fuqitë botërore dhe lojtarët rajonalë për pozicionimin e tyre gjeopolitik. Kjo nuk ka fare gjasa që të ndryshojë tani. Pasi problemi kryesor është se fokusimi nuk është në drejtim të dhënies fund luftës në Siri, por duke e përdorur atë në mënyra të ndryshme, kërkohet të ushtrohet ndikim në Siri, Irak dhe më gjerë. Lufta kundër DAESH-it përdoret si një maskë për të bërë legjitime luftën politike të zgjerimit dhe demonstrimin e fuqisë politike. Ndërkohë që regjimi i Esadit dhe mbështetësit e tij janë përfituesit më të mëdhenj të përshkallëzimit të tensionit gjeopolitik, populli sirian vazhdon të vuajë.

Përcaktimi i “Punët e papërfunduara të Luftës së Ftohtë” lidhet me të vërtetën që asnjë rend i qëndrueshëm nuk është shfaqur pas përfundimit të sistemit botëror dypolësh. Çekuilibrimi i fuqisë që ndjejnë vendet joperëndimore, veçanërisht Rusia dhe Kina është i destinuar të shkaktojë ndërprerje periodike në sistemin global.

Dështimi i sistemit ndërkombëtar për të vendosur paqen, rendin, lirinë dhe prosperitetin për të gjithë ka shkaktuar katastrofa të panumërta që nga vitet 1990 e deri më sot. Lufta e Parë e Gjirit Persik, gjenocidet në Bosnjë-Hercegovinë dhe Ruandë, vuajtjet pa fund të palestinezëve, përhapja e shteteve të pasuksesshme në Afrikë dhe Azi, rritja e terrorizmit dhe ekstremizmit dhe humnera në rritje midis të pasurve dhe të varfërve janë disa nga pasojat e epokës së re të çrregullimit global dhe kaosit. Vende si Rusia e shohin veten si humbëse të çekuilibrit të fuqisë në epokën e pas Luftës së Ftohtë dhe duan ta ndryshojnë këtë gjendje në favorin e tyre. Siria është vetëm një skenë e një lufte më të madhe. E ardhmja e luftërave aktuale, duke përfshirë edhe atë në Siri, do të varet nga mënyra se si dhe kur do të krijohet një ekuilibër i ri i pushtetit. Ajo gjithashtu do të varet edhe nga sigurimi i paqes dhe drejtësisë për të gjithë.

Për sa i përket tensioneve aktuale midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, ka të ngjarë që të rezultojë si me sulmet e kufizuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj caqeve specifike të regjimit, siç ishte rasti i Han Shejhun vitin e kaluar. Administrata e Trump atëherë dërgoi një mesazh të fortë dhe ka gjasa që ta bëjë këtë edhe tani. Trump gjithashtu dëshiron ti tregojë botës se ai nuk është Obama dhe se kur sheh se kalohet vija e kuqe, ai përgjigjet. Kurse Rusia do të vazhdojë të qëndrojë pranë regjimit sirian dhe do të kërkojë të ulë tensionet për të shmangur ndonjë sulm në shkallë të gjerë ndaj forcave të regjimit.

Ndërkohë që shfaqen këto lojëra strategjike, duhet ti kujtojmë vetes se: zotërimi i armëve më të sofistikuara në botë nuk do të thotë se zotërohet edhe strategjia më e zgjuar. Dhënia fund e luftës në Siri dhe vuajtjeve të popullit sirian kërkon një strategji që duhet të kalojë përtej luftërave me prokurë dhe demonstrimit të fuqisë gjeopolitike. Kjo strategji duhet të fokusohet tek krijimi i një rendi legjitim, demokratik dhe gjithëpërfshirës pa regjimin e Esadit dhe organizatat terroriste si DAESH, Al Kaeda, PYD ose YPG.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit