9.1 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Kohë zhurmuesish: Asnjë pëllëmbë e Kosovës s’mund t’këmbehet!

Më të lexuarat

Nga Bled Komini 

Në një analizë të para do kohe, pata përmendur një fakt shumë të rëndësishëm në nëntëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Rendita njëra pas tjetrës arsye të ndryshme e të shumta që rëndojnë së tepërmi pozitën aktuale të qeverive të fundit që kanë drejtuar Kosovën, sipas të cilave në vitet e fundit nuk ka pasur asnjë progres domethënës në procesin diplomatik për njohje të reja të shtetit kosovar.

Kuptohet që 9 vjetë shterpësi të politikës së jashtme të Kosovës janë shumë. Janë aq shumë, sa për të thënë se nuk mund të konsiderohen ngërç, por paaftësi. Këtë më së mirë e tregojnë shifrat të cilat thonë se deri në dhjetor të vitit 2017, Kosovën e kishin njohur 114 shtete, përafërsisht 55.95% e vendeve anëtarë të OKB-së, 82% e vendeve anëtare të BE-së (pesë vende nuk e kanë njohur) dhe 88% e vendeve anëtare të NATO-s.

Sigurisht që e tërë kjo shterpësi në mos u marrtë si paaftësi, dihet fare mirë, se në një moment të caktuar do favorizonte përpjekjet serbe më shumë se ato kosovare në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në organet ndërkombëtare. Të analizosh shterpësinë, do të thotë të futesh në disa anale politike ku nuk merret vesh se ku nis problemi e ku përfundon. Por, mjafton të shihet ecuria dhe kuptohet se bashkërisht fajin mund ta ndajnë të tërë, pasi Kosova nuk i përket vetëm atyre që e kanë drejtuar, por edhe atyre që nuk kanë bërë sa duhet.

Nëse do bënim një rezyme në formë analize, duket se njohja e Kosovës ka ardhur më shumë prej atyre vendeve që kanë mbajtur edhe peshën kryesore të mbështetjes që i kanë dhënë që në ditët e para të shpalljes së pavarësisë. Kjo sepse 46% e njohjeve të saj janë bërë vetëm gjatë vitit 2008. Pra, ky tregues thekson se vetëm në vitin e shpalljes së pavarësisë (2008), Kosovën e kanë njohur 53 shtete (nga 17 shkurti në 5 dhjetor 2008). Ndërkohë që prej vitit 2008 e deri më sot numri i njohjeve ka ardhur gjithnjë e në ulje, dhe për 9 vjet, Kosovën e kanë njohur vetëm 61 shtete, që në një plotëpjestim të thjeshtë tregon diku 6-7 njohje të reja në çdo vit.

Në këtë rrafsh, ngërçit të mosnjohjeve i vihet përballë diplomacia destruktive serbe e cila përgjatë gjithë gjysmës së parë të vitit 2018, fabrikoi dhe mbrojti tezën se Kosova nuk po ka më njohje por vetëm çnjohje. Pra, se shtetet që e kanë njohur po fillojnë të tërhiqen dhe të deklarojnë mosnjohjen e saj. Sigurisht që kjo tezë nuk merrte vlerë nëse së fundi vërtet numri i njohjeve do prekte shifrën zero për diplomacinë kosovare.

Sido të jetë dhe sado të dobëta të jetë rezultatet e njohjes së Kosovës prej shteteve të tjera, asgjë prej gjëje nuk e legjitimon shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë. Artefaktet diplomatike, mediatike si dhe presionet e ndryshme me apo pa kryepeshkop që përdor Serbia, nuk janë asgjë më shumë e as më pak se një grep i hedhur, për të kapur ç’të mundi ose për të turbulluar sado pak gjendjen e rajonit.

Nga kjo situatë, siç cilësoi në reagimin e tij të para pak ditëve analisti amerikan, Daniel Serwer, pasi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufirit, krijon një ide të rrezikshme, e cila mund të sjellë destabilizim të Ballkanit.

Sipas “Strategjisë për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës” të MPJ të miratuar gjatë qershorit 2011, ishin 6 faktorët që kishin penguar gjer në atë kohë ecurinë pozitive të njohjeve të reja, e ato si më poshtë:

Kundërshtimi i Pakos së Ahtisaarit nga anëtarësia permanente e Këshillit të Sigurimit (Rusia) dhe pamundësia e arritjes së konsensusit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së;

Mungesa e unitetit në BE rreth pavarësisë së Kosovës, ka krijuar përfytyrimin se Kosova është çështje e pazgjidhur evropiane. Kjo, për shkak të mosnjohjes së deritanishme nga pesë shtetet anëtare: Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja;

Vlerësimi i gabuar i disa shteteve se pavarësia e Kosovës është rezultat i “shkëputjes” (nga një shtet sovran) dhe jo shtet i krijuar nga shpërbërja e dhunshme dhe jo-konsensuale e një shteti shumëkombësh federativ; Serbia ndez frikë të tilla me propagandim të ashpër për “konsekuencat e njohjes” për shtete me probleme interne;

Mungesa e interesit të qartë për njohje nga një numër i madh i vendeve që ende nuk kanë qëndrim të prerë për pavarësinë e Kosovës, të cilat janë larg gjeografikisht dhe politikisht me Kosovën dhe Ballkanin dhe nuk e kanë Kosovën në listen e prioriteteve të tyre;

Zhvendosja e Kosovës nga prioritetet e larta të politikës së jashtme të vendeve mbështetëse dhe zbehja e kujtesës për të kaluarën e Kosovës;

Largimi nga skena politike ndërkombëtare e personaliteteve me ndikim gjatë procesit për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Tashmë që koha kalon, bishti po rëndon më shumë se sqepari. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka pasur dy synime themelore: shtet-ndërtimin e brendshëm dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Gjatë viteve të fundit politika e jashtme e Kosovës ka hasur në një rezistencë shumë të madhe, kjo është e dukshme jo vetëm në numrin e njohjeve të pakta që ka pasur si shtet, por edhe ka ndjerë peshën ambige të politikës së jashtme të Kremlinit, e cila pavarësisht se jo hapur, ka mbështetur Beogradin në arenën ndërkombëtare sidomos për çështjen e Kosovës.

Vitet e fundit, përball presioneve në rritje për dialogun Kosovë-Serbi, Prishtina është tutur dhe në vend që të ruaj linjën e një vendi ndaj të cilit është ushtruar gjenocid prej Serbisë dhe që me ndihmën e aleatëve arriti të shkëputet e të marrë pavarësimin, ajo ka ngecur në disa negociata të gjata brukseliane, fundi i të cilave më shumë po kënaq Serbinë se Kosovën. Për Prishtinën negociatat duhet të jenë të qarta:

Nuk mund të cënohet territori dhe ajo çfarë është siguruar prej Pakos Ahtisari, pavarësisht synimeve, serbe, ruse dhe të kujtdo shteti tjetër për ndryshime me “kompromis”.

Kosova duhet të njihet nga sa më shumë shtete përmes një diplomacie aktive dhe racionale të pandalshme.

Të drejtat e popullsisë serbe në veri, ashtu si dhe të drejtat e çdo minoriteti tjetër, do jenë njësoj me të drejtat e cilitdo shtetasi kosovar, asgjë më shumë e asgjë më pak.

Asosacioni i komunave serbe duhet t’i përmbahet ligjeve të shtetit të Kosovës.

Rruga e Kosovës ndjek busullën e anëtarësimit në BE dhe në çdo institucion tjetër ndërkombëtar.

Pranimi i Kosovës në OKB dhe në institucione të tjera ndërkombëtare është objektivi më madhor i cilësdo qeverie në Prishtinë.

Aleanca strategjike me SHBA-të dhe partnerët që kanë ndihmuar në pavarësinë e saj dhe zhvillimin e deritanishëm është e pandarë, e pacënueshme dhe e padiskutueshme.

Kosova mbron dhe ruan territorin e saj, (përmes ushtrisë apo organeve të tjera) si dhe organet e veta të pavarura ekzekutive, ligjvënëse dhe ligjzbatuese, si dhe mbron jetën e çdo qytetari Kosovar prej agresioneve që mund të vijnë ose mund t’i kanosen.

E ardhmja e Kosovës është në NATO.

Nga ana tjetër, BE-ja e cila gjatë dekadës së fundit ka përjetuar një krizë ekonomike e më pas krizën e gjatë të emigrantëve nga Siria e Afrika e Jugut, po ndjen e zënë si në nofullat e darës presionin amerikan për t’ju shkëputur politikës së saj flirtuese me Rusinë dhe për të ndjekur një kurs më pro-amerikan. Faktet tregojnë se një pjesë e shteteve evropiane, duke filluar që nga vet Gjermania janë të lidhura ngushtësisht me Rusinë dhe fati i tyre për të siguruar gazin e lëngshëm për ngrohje nuk mund të shkëputet aq kollaj prej Moskës.

Në këtë aspekt, ndoshta, instanca ose individë të politikës brukseliane kanë anuar herë pas here indirekt në mbështetje të kërkesave serbe të përkrahura gjerësisht prej Moskës për të dialoguar gjatë, pa produktivitet, dhe me synimin për të vonuar njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sa më shumë të zgjasin bisedimet në Bruksel mes dy shteteve, aq më tepër terren përfiton Serbia në rrafshin ndërkombëtar, aq më shumë vonohet Prishtina në arritjen e synimeve dhe me shumë cinizëm “ruleta ruse” e të ardhmes së panjohur kuptohet që favorizon Beogradin që ka më shumë mjete për arritjen e synimeve të veta se Prishtinën.

Duke kaluar nga teza qesharake e “kombit kosovar”, tek demarkacioni i kufirit më Malin e Zi, e këto ditë parashtrimi nga z. Thaçi i “nevojës” për korrigjim kufijsh, kuptohet fare lehtë se në çfarë qerthulli është futur politika kosovare. Ajo jo vetëm ka dalë prej boshtit të synimeve strategjike të saj, por ka shkuar aq larg sa të diskutojë pa pasur asnjë avantazh në tryezë “korrektimin” e kufijëve.

Ndaj pretendimeve të fundit të presidentit Thaçi, reagoi edhe Albert Rohan (zëvendësi i Ahtisaarit), ish-numri dy në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës, i cili i konsideroi të tejkaluara dhe të rrezikshme idetë për ndarje ose shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Diplomati austriak theksoi se Kosova tashmë i ka bërë kompromiset e saj, duke pranuar Pakon e Marti Ahtisaarit, mbi bazën e së cilës ajo shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Por mesa duket zhurmuesit po bëjnë punën e tyre, duke humbur kohë dhe mundësi të shumta për Kosovën, pa asnjë përfitim, teksa e ardhmja nuk dihet se çdo sjellë.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit