9.9 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Koha dhe namazi, ose: Korrektësia e muslimanit në jetë!

Më të lexuarat

All-llahu i Madhëruar në Librin e Tij Famëlartë dhe nëpërmjet gjuhës së të dërguarit të Tij Fisnik, na ka udhëzuar drejt rëndësisë së kohës dhe planifikimit të saj në jetën dhe veprimtarinë tonë.

Kështu, Ai na udhëzoi drejt obligimeve të fesë, të cilat i përkufizoi me kohën, duke na tërhequr vëmendjen që të mos abuzojmë e të mos jemi indiferentë ndaj tyre!

Me këtë, i Madhëruari na mëson dhe na edukon drejt sistemimit të punëve ditore dhe realizimit të tyre në kohë caktuara. Për këtë thotë: “… namazi është obligim i caktuar (në kohë) për besimtarët!” – (En-Nisa: 103).

Ndërsa Abdull-llah ibn Mesudi (r.a) thotë: E pyeta Resulull-llahun (a.s): Cila është vepra më e dashur tek All-llahu? Tha: “Namazi në kohën e vet!” – (Bukhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu).

Namazi përsëritet nga muslimani dhe muslimaneja pesë herë brenda një dite dhe një nate. E, nëse muslimani e kryen namazin në kohën e tij të parë, siç është kërkuar prej tij, në sjelljen e tij do të ngulitet edukata e respektimit të kohës, përpikmëria në takime dhe përkujdesja për kohën e çdo pune, në kohën e saj të përshtatshme, që çon drejt realizimit të qëllimit në mënyrën më të plotë!

Nga këtu, na shfaqet urtësia e madhe se përse All-llahu i Madhëruar, pastaj edhe Resulull-llahu (a.s), ka veçuar përmendjen e namazit, në mesin e shumë adhurimeve të tjera që lidhen me kohën. Sepse namazi përsëritet pesë herë në ditë. Që do të thotë se, brenda një periudhe të shkurtër kohore, sjellja e vepruesit të namazit konsolidohet me edukatën e ruatjes së kohës, përpikmërisë së takimeve dhe kryerjes së çdo pune në kohën e vet të caktuar, në formën më shembullore.

Në këtë mënyrë, korrektësia në orare kthehet për vepruesin e namazeve në zakon dhe natyrë normale në sjelljen dhe jetën e tij!

Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh
Nga vepra: “Vlera e kohës tek dijetarët”, në gjuhën arabe, botimi i 10-të, Bejrut, 2002.

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 16 shkurt 2017

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit