KOALICIONI QË SHQETËSON

0
47

Deputetja gjermane, Uta Zapf dhe ekspertë gjermanë vlerësojnë se demokracia në Serbi po shkon mbrapa. Sipas tyre, ardhja e Daçiqit në krye të ekzekutivit serb nuk sjell asgjë të mirë për rajonin.

Ardhja e radikalëve dhe socialistëve në pushtet, që ishin përgjegjës për fillimin e luftërave të viteve nëntëdhjetë në ish –Jugosllavi, e që shkaktuan dhjetëra mijëra viktima, ka filluar të ngjallë shqetësime.

Zyrtarë të lartë në Bashkimin Europian fillimisht hapën dyert për presidentin Tomislav Nikoliq, pavarësisht deklaratave të këtij të fundit aspak miqësore për Bosnjën dhe Kroacinë.

Inaugurimi i Nikoliqit u bojkotua nga liderët e rajonit, por Brukseli dërgoi sinjale se po pret veprimet e presidentit të sapozgjedhur, duke lënë në këtë mënyrë anash deklaratat e tij.

Si për të shëruar zemrat e evropianëve, Nikoliq kishte thënë se Serbia nuk do të ndalet në rrugëtimin e saj drejt BE-së, pavarësisht se udhëtimin e parë të tij ai e bëri në Rusi, ku mori pjesë në përvjetorin e partisë së Putin.

Por, këto zhvillime duket se shiheshin me më pak brengosje pasi pritej që pushtetin ekzekutiv në Serbi ta merrte në dorë Boris Tadiq, si kryeministër i ri Serbisë.

Kur Nikoliq mandatoi ish-bashkëpunëtorin e ngushtë të Slobodan Miloseviq, ministrin e Brendshëm serb, Ivica Daçiq, duket se askush nuk mund të rrijë i qetë.

Institucionet e Kosovës tashmë kanë reaguar ndaj këtij zhvillimi në Serbi, duke e quajtur këtë kthim prapa.

Por, shqetësimet nuk mungojnë as në vendet e Bashkimit Europian. Deputetja gjermane, Uta Zapf ka alarmuar duke thënë se demokracia në Serbi po shkon mbrapa.

“Krijimi i Qeverisë së re në Beograd nën presidentin Tomislav Nikoliq u jep të drejtë të gjithë atyre që dyshojnë se demokracia në Serbi po përjeton një hap mbrapa”, ka thënë deputetja gjermane për “Deutsche Welle”.

“Forcat nacionaliste dhe reaksionare po marrin fuqi, madje në ditën e betejës në Fushë Kosovë. Çfarë simboli fatal!”, ka shtuar ajo.

Johanna Deimel nga Fondacioni i Europës Juglindore ka deklaruar se në Beograd mund të ashpërsohen qëndrimet ndaj Kosovës, raporton Express.

“Kryeministri i ri Daçiq, sikur edhe Presidenti Nikoliq, angazhohet për ndarjen e Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga BE, SHBA dhe vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ajo.

Deimel ka pohuar se ardhja e Daçiqot si kryeministër “nuk sjell asgjë të mirë për rajonin”.kohaislame