8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Koalicion i frikshëm (1)

Më të lexuarat

A e dini se kandidati potencial për kryeministër të vendit, Ramush Haradinaj ka lindur për së dyti në vitin 2000 kur kishte marrë plagë të rënda në një ballafaqim të armatosur në Strellc të Deçanit? Natën vonë kishte shkuar të qëronte hesape me një familje, anëtarin e së cilës ia kishte vrarë pas lufte vëllai i tij, Dauti bashkë me tre persona tjerë.

Si politikan që shpeshherë zbaton norma kanunore, i përzgjedhuri i natës së martë për kryeministër të Republikës, sot e asaj dite ka hesape të palara më shumë familje në Rrafshin e Dukagjinit përfshirë familjen Musaj.

Këto hesape nuk kishte përtuar t’i lante as në vitin 2000, pak para mesnatës kur po hante darkë e pinte raki me ish-kryeadministratorin e Pejës dhe dy anëtarë të CIA-s. Gjatë darkës lamtumirëse kishte marrë një telefonatë nga i ati i tij, Ilmi Haradinaj.

“Musajt kanë ardhë e po i lypin eshnat e djalit”, i kishte thënë me telefon kandidatit për kryeministër i ati i tij.

“Tash vi e ua gjej”, ishte përgjigjur kandidati për kryeministër për t’i ngritur në këmbë dhe për t’u nisur nga Peja drejtë Strellcit.

Gjatë rrugës kishte marrë me vete vëllanë, Dautin. Të dy të armatosur ishin nisur për në Strellc. Por, aty familja Musaj i kishte pritur me breshri plumbash e granata dore. Haradinajt ua kishin kthyer grykat e armëve.

Nga ky shkëmbim zjarri ishte plagosur kandidati për kryeministër.

Kjo nuk ishte beteja e fundit në Rrafshin e Dukagjinit. Të tilla të përgjakshme me të vrarë e të plagosur kishte shpesh. Peja ishte shndërruar në qytetin më të frikshëm brenda të cilit grupe të armatosura sulmonin e vrisnin njëri-tjetrin.

Kandidati për kryeministër dhe vëllai i tij ishte protagonistë në shumë prej tyre.

E mërkura Kosovën e ka gjetur me dy koalicione të mëdha partish politike. Gjasat për të fituar sigurisht i ka ai ndërmjet Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt. Tri partitë që përbëhen kryesisht nga ish-komandantë lufte përzgjodhën që në qytetarëve të Republikës t’i ofrojnë një kandidat të lindur për së dyti.

Fatkeqësisht me të drejtë shumë njerëz kanë të drejtë të ndjehen të frikësuar nga koalicioni i krahut të luftës. Jo, pse ata vijnë nga një strukturë që dikur kishte luftuar për vendin, por për shkak të veprimeve të tyre të pasluftës.

Janë bërë bashkë tri parti të cilat brenda tyre kanë larushi politikanësh: milionerë nate, shantazhues, haraçgjinj, të korruptuar, hajdutë, e vrasës.

Nga të tillët frikësohet secili për të tashmen dhe të ardhmen.

Kush mund t’i bëjë ballë këtij koalicioni? LDK-ja që i shërbeu PDK-së për kaq vite? Apo Vetëvendosja e vetme që shoi shpresat e shumë njerëzve së mund të sjellin ndryshim, kur vendosi që nga një subjekt civil politikë të shndërrohej në një parti fundamentaliste politike dhe të frikshme për demokracinë.

Sot pakkush ka shpresë që gjerat do të ndryshojnë. Vdekja e kësaj shprese përfundimisht u nënshkrua të martën pak para mesnatës.

Fatkeqësisht njerëzit e frikësuar më shumë se kurrë shpresat e tyre për të ardhmen po i mbështesin në Gjykatën Speciale. Jo, pse duan që njerëzit që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës të dënohen, por që arrestimin dhe dënimin e tyre e shohin si mundësi që vendi të çlirohet prej frikës, krimit e korrupsionit.

Ky disponim i përhapur gjithandej nuk ka ndodhur krejt rastësisht. Me veprimet e ndërmarra nga bartësit e luftës në periudhën e pasluftës, njerëzit e frikësuarit i bën që secilin mjet, qoftë edhe dënimin për krime lufte ta arsyetojnë vetëm e vetëm që të kenë një trohë perspektive e shpresë.

Kryeministri i ardhëm që nuk ka hequr dorë nga Kanuni është njëri prej atyre që të futë frikën për shkak të rolit të tij në krijimin e një ambienti të pasigurt e me plotë viktima.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit