10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Klerikët dhe pandemia Covid-19

Më të lexuarat

Nga Dr.Arben RAMKAJ

Pandemia e Covid-19 ka infektuar zyrtarisht gati 35 milionë njerëz në mbarë botën, teksa i ka marrë jetën mbi 1 milionë prej tyre.

Ndonëse mbi 50 milionë të vdekurit gjatë pandemisë së Gripit Spanjoll të viteve 1918-1920, ofrojnë një lloj ngushëllimi se dikur ka qenë shumë më keq, sërish koronavirusi e ka prishur normalitetin e jetës në të gjithë globin.

Me pak përjashtime, gati të gjitha vendet kanë përjetuar bllokime lokale, rajonale ose kombëtare, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda ekonomike sociale, por mbi të gjitha psikologjike. Edhe pse për këto të fundit është folur dhe flitet më pak.

Në kohë të tilla, pasiguria për jetënështë shumë e madhe. Njerëzit kanë nevojë përqetësi, ngushëllim dhe shpresë. Ndaj muajt e fundit është vërejtur një rikthim i madh i njerëzve tek feja dhe Krijuesi i tyre.

Ky është një zhvillim që më gëzon, pavarësisht se si një besimtar praktikant, do të doja që njerëzit të jenë pranë Zotit edhe në kohë normale.

Gjatë këtyre muajve, qeveritë kanë pasur nevojë dhe kanë bashkëpunuar në fakt me komunitetet fetare për sensibilizimin e popullatës mbi nevojën jetike të zbatimit të masave mbrojtëse.

Dhe kjo ka ardhur natyrshëm, pasi me rrjetet e tyre të mëdha të komunikimit dhe njohuritë e thella mbi bashkësive lokale, udhëheqësit fetarë janë shumë të dobishëm në përcjelljen e mesazheve gjatë periudhave të krizës.

Udhëheqësit fetarë mund ta përdorin teologjinë dhe historitë për të transmetuar edhe këshillat jetike të shëndetit publik, si larja e duarve, në mënyr♪ë që njerëzit mund t’i pranojnë më lehtë, duke i interpretuar ato si me traditën ashtu edhe me kontekstin.

Traditat fetare u kujtojnë njerëzve se paraardhësit e tyre u testuan dhe dolën më të fortë nga sprovat e kaluara, duke i siguruar ata se do ta kalojnë edhe këtë krizë. Sigurisht, ata mund të transmetojnë edhe informacione të pasakta dhe të rreme.

Për shembull, ka pasur mjerishte dhe figura fetare ekstremiste që kanë promovuar kura të dyshimta për Covid-19, apo kanë propaganduar vizione apokaliptike që kanë shtuar frikën dhe mosbesimin gjatë pandemisë. Dhe në këtë rast është detyrë e udhëheqësve të moderuar dhe korrektë ndaj librave të shenjtë, që ta demaskojnë një propagandë të tillë, dhe t’i udhëzojnë drejt besimtarët.

Por nga ana tjetër, jo pak liderë komunitetesh apo institucionesh fetare kanë dështuar të zbatojnë me rigorozitet masat e rekomanduara nga autoritetet e shëndetit publik për frenimin e përhapjes së pandemisë aktuale.

Edhe nëse nuk janë rebeluar haptazi ndaj tyre, ata kanë vijuar në shumë raste me të njëjtat praktika, duke kontribuar në shtimin e vatrave të reja epidemike me Covid-19. Shembulli më i hershëm është sekti disi misterioz i krishterë i quajtur Shincheonji, ose Kisha e Jezusit në Korenë e Jugut, që ka më shumë se 200.000 ndjekës në atë vend.

Në mars autoritetet e koreano-jugore vlerësuan se rreth 80 për qind e mbi 20 mijë rasteve pozitive, ishin anëtarë ose kishin kontakte me këtë Kishë. Probleme të ngjashme ka pasur komuniteti somalez ne Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Angli.

Të nxitur edhe nga modeli suedez i mosmarrjes së asnjë mase kufizuese, besimtarët myslimanë somalezë vazhduan të shkonin të luteshin në xhami pa asnjë lloj distancimi social nga njëri-tjetri.

Për pasojë, 6 nga 15 viktimat e para nga koronavirusi në Stokholm, ishin me origjinë somaleze. Në të gjitha vendet e lartpërmendura, somalezët kanë pasur një përqindje disproporcionale të prekurish, në raport me pjesën tjetër të popullsisë.

Në Kiev të Ukrainës mbi 140 murgjër u infektuan në fund të prillit në një nga manastiret më të vjetër në vend, teksa pak ditë më vonë u prek edhe Mitropoliti Pavël, kreu i Kishës Ortodokse të Ukrainës, që ishte tallur me herët me pandeminë.

Për shkak të situatës emergjente, Greqia pezulloi me një vendim të posaçëm që para Pashkëve të gjitha shërbesat fetare. Por jo të gjithë e respektuan atë. Peshkopi i Korfuzit, Nektarios u akuzua nga zyrtarët vendas se kishte organizuar një meshë në një kishë të mbushur plot me besimtarë dhe pse kjo binte në kundërshtim me rregulloren anti Covid-19, të mbështetur zyrtarisht nga Sinodi i Shenjtë.

Në Izrael, kryeministri Benjamin Netanjahu iu nënshtruar presionit nga hebrenjtë ultra-ortodoksë ndaj qeverisë së tij së koalicionit, duke refuzuar të mbyllë sinagogat gjatë festës së Yom Kippur-it, pavarësisht valës së dytë të Covid-19.

E them me keqardhje se situata të ngjashme vërehen shpesh edhe në vendin tonë. Gjendja e pandemisë në vendin tonë mbetet serioze. Shumë vende të BE-sëe kanë ndaluar hyrjen e qytetarëve shqiptarë, pikërisht për shkak të nivelit të lartë të rasteve të reja me Covid-19 në raport me popullsinë.

Pavarësisht njëfarë përgatitjeje që shteti pati gjatë 3 muajve të karantinës së plotë, sërish sistemi shëndetësor në vend është shumë i brishtë përballë një emergjence të tillë shëndetësore, që ka gjunjëzuar shtetet më të pasura të botës.

Përballë kësaj pamundësie të shtetit për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve, sjellja e gjithsecilit, dhe aq më shumë e liderëve të komuniteteve fetare duhet të jetëajo e një përgjegjësie maksimale. Dhe kjo nuk po ndodh në nivelin që duhet.

Në pelegrinazhin e përvitshëm në Malin e Tomorit nga besimtarët bektashinj, apo ai në Kishën e Shna Ndout në Laç, nuk janë respektuar masat e sigurisë. Edhe në shumë xhami, besimtarët shkojnë për lutjen e të premtes si zakonisht të shumtë në numër, ndaj distancimi social është praktikisht i pamundur.

E njëjta gjë është vërejtur edhe në meshat e kishave ortodokse apo katolike.

Pra klerikët nuk po e marrin edhe aq seriozisht pandeminë muajt e fundit. Neglizhenca e tyre, përveçse dëmton ekonominë dhe shëndetin e njerëzve, është edhe në kundërshtim me rregullat fetare.

Në një nga citatet profetike është thënë:“Nëse dëgjoni mbi një shpërthim epidemik në një zonë, mos shkoni atje; dhe nëse epidemia shpërthen aty ku ndodheni tashmë, mos lëvizni prej andej”.

Le të frymëzohemi pra nga këshillat dhe urtësia e lajmëtarëve të Zotit, për të qenë realistë, për të kuptuar se ajo që po përjetojmë këto muaj nuk është normale, dhe për të bërë secilin pjesën e vet në luftën tonë kolektive për ta mposhtur këtë pandemi.

Kjo e fundit sigurisht që do të zhduket një ditë, dhe siguria për këtë na vjen nga Zoti dhe nga dijetarët me kontributin e tyre të çmueshëm. Por është mirë që kjo të ndodhë me sa më pak dëme që të jetë e mundur. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit