Klasifikimi i kamatës në Islam

0

Gjatë përkufizimit të termit të kamatës sqaruam se në kohën bashkëkohore ajo ka disa emërtime varësisht prej fushës dhe formës së kontratës që realizohet. Në jurisprudencën islame, fukahatë gjatë shtjellimeve të tyre, bëjnë një ndarje tjetër të kamatës nga ajo që është e njohur te ekonomistët. Ata theksojnë se  klasifikohet në dy lloje:

1) Riba Ed-dujub – Kamata e borxheve
2) Riba buju’ë – Kamata e tregtisë ose gjatë tregtisë.

Në vazhdim do tëparaqesim se çfarë kanë për qëllim fukahatë me secilin prej llojeve.


1)     Riba Ed-dujun – Kamata e borxheve

Është quajtur “kamata e borxheve” pasi ka të bëjë me borxhet dhe është për qëllim shtimi të cilin e merr huadhënësi nga huamarrësi për shkak të kohës që ka në dispozicion huamarrësi për të paguar borxhin1.

Si shembull të këtij lloji të kamatës kemi dy forma të njohura:

Forma e parë: Kur vjen afati i pagesës së borxhit, huadhënësi shkon te personi që i ka dhënë hua dhe i thotë do ta vonojë afatin e pagesës së borxhit nëse e shton shumën e borxhit. Pra ia shton shumën për shkak të shtyrjes së ditës së pagesës së borxhit. Kjo lloj kamate ka qenë e pranishme dhe shumë e përhapur te arabët në kohën para ardhjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem, prandaj disa dijetarë e kanë quajtur “Riba El-Xhahilije”, që do të thotë “kamata e injorancës” dhe për këtë lloj kamate ka zbritur ajeti:

“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ لاَ تَأْكُلُواْ الرِّبَا أَضْعَافًا مُّضَاعَفَةً وَاتَّقُواْ اللَّهَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ”

“O ju të cilët besuat, mos hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) Allahut, që të gjeni shpëtim.” (Ale Imran: 130)

Forma e dytë: Kur jepet borxhi, kushtëzohet kamata paraprakisht gjatë aktit të borxhit. P.sh. merr dikush borxh 300 euro me kusht që të kthejë pas pesë muajsh 350 euro. Edhe kjo formë ishte mjaft e përhapur në kohën para shpalljes së Kuranit. Ibën Kajjimi tregon se këtë lloj kamate fukahatë e quajnë “Riba El-Xhelijj”, që do të thotë “kamata e kulluar (e qartë)”.

Për ndalimin e këtij lloji të kamatës aludojnë qartë ajetet:

“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ اتَّقُواْ اللَّهَ وَذَرُواْ مَا بَقِيَ مِنَ الرِّبَا إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ”

“O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata.” (Bekare: 278), deri te pjesa:

“وَإِن تُبْتُمْ فَلَكُمْ رُؤُوسُ أَمْوَالِكُمْ لاَ تَظْلِمُونَ وَلاَ تُظْلَمُونَ”

“…e nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj, askënd nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.” (Bekare: 279)

Pjesa e fundit e përmendur sqaron se huadhënësi ka të drejtë të marrë vetëm shumën që ka dhënë hua dhe jo edhe shtimin e kushtëzuar paraprakisht.

2) Riba buju`ë – Kamata e tregtisë ose gjatë tregtisë

Quhet “Kamata e tregtisë” pasi ka për qëllim kamatat gjatë transaksioneve tregtare. Kamata e tregtisë nënkupton shitjen e një malli që i takon mallrave të kamatës me një mall tjetër të njëjtë duke qenë njëri mall më tepër apo shitja ose këmbimi i dy mallrave të së njëjtës kategori duke e vonuar (prolonguar) dorëzimin e njërit mall për më vonë. Për ta kuptuar më qartë këtë që thamë më lart, themi se kamata e tregtisë është në dy forma:

1. Riba el-fadl- Kamata e shtesës

Kamata e shtesës është që të shiten dy mallra kamatarë të njëjta njëra me tjetrën duke qenë njëra më shumë se tjetra. P.sh. 200gr. ar me 250gr. ar ose 2kg. hurma me 3 kg. hurma etj.

2. Riba nesie- Kamata e vonesës ose e prolongimit

Kamata e vonesës është që të shiten njëra me tjetrën dy mallra kamatarë jo të njëjtë, por të përbashkët në kategori, por të prolongohet dorëzimi i njërit mall për më vonë. Në këtë lloj tregtie lejohet shtesa e njërit mall ndaj tjetrit pasi ato nuk janë të njëjta, por nuk lejohet që të vonohet dorëzimi i tyre pas aktit të shitblerjes. P.sh. të shitet 20 gr. ar me 300 gr. argjend, por që argjendin ta pranojë shitësi kurse arin t`ia dorëzojë blerësit më vonë. Ose të blejmë 200 euro me 300 dollarë dhe ne t’i dorëzojmë dollarët dhe t`i marrim eurot pas një jave.

TABELA

  

Klasifikimi i kamatës

 

 

 

I- Kamata e Borxheve

 

1.        Kamata e injorancës–  Kur jepet borxhi nuk kushtëzohet kamata paraprakisht gjatë aktit të borxhit, por pasi vjen afati i pagesës së borxhit, e shtojmë shumën e borxhit për të shtyrë afatin e pagesës.

 

2.        Kamata e kulluar (e qartë)– Kur jepet borxhi kushtëzohet kamata paraprakisht gjatë aktit të borxhit.

 

II- Kamata e tregtisë

 

1.        Riba el fadl (Kamata e shtesës)- Të shiten dy mallra kamatarë të njëjta njëri me tjetrin duke qenë njëra më shumë se tjetra.

 

2.        Riba nesie (Kamata e vonesës)- Të shiten dy mallra kamatarë, njëra me tjetrën, jo të njëjta por të përbashkëta në kategori, dhe të prolongohet dorëzimi i njërit mall për më vonë. Në këtë lloj tregtie lejohet shtesa e njërit mall ndaj tjetrit, por nuk lejohet që të vonohet dorëzimi i tyre.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Alaudin Abazi
20.9.2009

1” El Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Vehbe Zuhejli, f.240.