5.5 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Klasa politike, e ka kthyer Kosovën në një vend jonormal dhe të pajetueshëm

Më të lexuarat

Fjolla Spanca është njëra prej atyre grave që ka vënë standarde të larta, për gjithsecilin prej nesh. Në shkrimet e saj, ajo jo vetëm që na ndërgjegjëson për të tashmen, por këmbëngulë që të mos e rrënojmë të kaluarën. E lindur dhe e rritur në Mitrovicë, që nga mosha 12 vjeçare është përfshirë në projekte të ndryshme të shoqërisë civile. Shkrimet e saj janë publikuar në revista, gazeta e portale brenda dhe jashtë Kosovës. Ajo njihet tashmë, nga lexuesi shqiptar, nga cepi jugor i Shqipërisë e deri te veriu i Kosovës, pa i harruar këtu edhe lexuesit e Malit të Zi e Maqedonisë.     

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ajo ka folur për mallin që ka për Mitrovicën, për pozitën e gruas në shoqërinë shqiptare, për tendencën rrënuese që e kemi karshi kujtesën kolektive dhe shumë çështje të tjera.

GER: Nëse do të kërkohej një fjalë për t’i përshkruar artikujt e tu, pa menduar dy herë, do të thoshim që ajo është – kujtesa. A ndërlidhet kjo me atë që ju i takoni një brezi i cili, për fat të keq, është dashur të sprovohet me atë që është më e padëshirueshmja për njerëzit, me luftën, pra me diçka që nuk harrohet asnjëherë?

Spanca: Ç’fillim i sertë! Ndër mote, vitet e kalume mes jetës dhe vdekjes, kanë qenë jo pak përcaktuese ose ndikuese n’frymëzimin, formimin dhe frikën time më të madhe. Me sa kam kuptuar deri më sot, dënimi më i ambël dhe dhimta më e hidhët është kujtesa. Mbamendja! Me kujtu gjithë çfarë ke jetu, e me ri-jetu n’kujtime trishtimin herë mbas here, nuk ka qenë aspak e lehtë. Do shumë përpjekje dhe goxha mund me i ik fotografisë së të kalumes, atij imazhit të ngrirë që qëndron përjetësisht mbrapa perdeve të synit, e pret aty tinëzisht me u rishfaq, pa leje e pa paralajmërim.

Sa ishim në shkollë fillore, arsimtarët na ndaluan pothuaj rreptësisht shkrimin – vizatimin e këndimin mbi atë që kishim kaluar. Mbi luftën.  Mbase kjo mund të ishte një soj terapie, por nuk e di sigurt se a ka qenë e dobishme ose jo. Gjithsesi, kur ika prej Kosovës për studime,  miqtë e afërt e kanë pas të vështirë fillimisht me e kuptu se pse unë mekesha kur të tjerët bërtisnin ose kur përplaseshin dyert. Po aq e zorshme ish me e kuptu gazepin tim (me të cilën jetova për një dekadë pothuajse) kur rastësisht puqesha me policë rrugës. Bluja e errët përherë ka qenë sinonim i policisë serbe… pra, dua të them se kur e ke jetu luftën dhe je pjekun me përpjekjen për t’i ikur sa ma larg asaj (shto këtu faktin që vazhdoj të kaloj një pjesë të kohës në Mitrovicën e gjymtume) do a s’do, me ose pa dëshirën tande, shkronjat e tua i gjen tuj u bojatisun me detaje të së shkuarës! Për besë edhe tendenca e ekzagjerume e të harruarit, ajo shpërfillja marramendëse që ne kemi kundrejt të kaluarës dhe ky tëhuajsimi i çuditshëm që po na kapërthen, të detyron me kthy kokën mbrapsht.

GER: Kur jemi te kujtesa, duket sikur në shoqërinë tonë ekziston një mani për ta rrënuar me patjetër të vjetrën, murin, shtëpinë, shkollën etj. A do të thotë kjo që në këtë mënyrë manifestojmë kujtesën e shkurtër kolektive?

Spanca: Oh! Sinqerisht, mendoj se ky është mallkim për brezin tonë. Ne harrojmë shpejt. Jo vetëm se harrojmë, por ne as nuk duam me dijtë e as me mbajt mend. Nuk vlersojmë asgjë, nuk masim me karar e as vendojmë prioritete. Nuk kemi emocion a lidhje emotive me traditën dhe trashëgimin. Ne çdo pëllëmbë Toke e përkthejmë në metra katror për pallate që ndërtohen egër, sa për sy e faqe. Shiko rrotull: shtëpitë e vjetra, odat e dikurshme, urat e bukura, antikuaret e pluhunosura, librat e çmueshëm, emnat e intelektualëve dhe veprat e tyne ne o i mohojmë, o i harrojmë; ose nuk i njohim ose i shkatërrojmë. Bëjnë përjashtim familje pinjolle, të cilat edhe mund të kenë akoma dobësi kundrejt objekteve të caktuara, tek – tuk ca të rinj që tashmë e dinë vlerën e qilimave të stërgjyshërve, se ndryshe ne si shoqëri jemi në delir, qyshkur…

Sidoqoftë, kjo tablo është gjysmake nëse nuk përmendim edhe faktin që një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë sonë nëpër vite nuk është shquar për ndonjë vetëdije të dallueshme në raport me vlerën, peshën dhe rolin që mbartë historia e së shkuarës. Madje, shqiptarët druaj se as sot nuk e kanë kuptuar se ajo çfarë mbajmë mend prej të kaluarës, na bën ata që jemi, si individ dhe si shoqëri.

Prandaj, jo rastësisht ne ngjajmë si “shoqëri e betonizuar”, pa identitet dhe bindje politike.

Në jetën e përditshme, si qytetarë ne lejmë qimet e kokës për të (ri)ndërtu pallate mbi rrënojat e kujtimeve të përcjellura ndër breza. Kurse autoritetet politike, duke përdorur kujtimin e luftës legjitimojnë dhe afatizojnë pushtetin e tyre. Kështu, sado moralizojmë kot e bosh, nuk habitemi më, kur qytetarët e këtij vendi, si mbamendës të dobët që janë, (kujtesë peshku, fundja) marrin udhët e Evropës, duke lënë mbas, rroga të mira dhe shtëpi bukur të banueshme. Paralelisht, falë kujtimeve të harruara, një klasë e tërë politike, e ka kthyer Kosovën në vend jonormal dhe të pajetueshëm.

GER: Në këtë frymë e keni shkruar artikullin ‘Tëhuajsimi i Qytetit’. Aty përshkruani gjithë metamorfozën që e ka pësuar Mitrovica për pak dekada… ç’domethënie ka për ty ky qytet? 

Spanca: Ata që kanë jetu në fshat, e dijnë se çfarë do me thënë “tamli i sapo mjelun” … pikat e para që sapo dalin, ashtu paqt e bardh, akoma pa u ngjye me aromën e kovës, madje pa u prekun prej duarve që mjelin lopët. Ai tamli që nuk krahasohet kurrë me asnjë ‘qumësht’ marketi që ka kalu nëpër dhjetëra analiza laboratorike, ndonëse ndonjëherë mundet me qenë më i rrezikshëm se qumështi i rremë, sërish s’ka të krahasuar më kurrë asgjë në botë!

Mitrovica sot është e shëmtut. Provincializëm kahdo. Shumë qofte dhe “Gjithçka nga 1 euro”. Varfni. Boshllëk. Dimna të gjatë e të ftohtë. Verna përvluese. E mbingarkuar me barnatore. Ato më trishtojnë se e kuptoj që njerëzit nuk kanë e as gëzojnë shëndet të mirë. Të rinj pa plane, pa perspektivë, pa të ardhme premtuese. Një soj dhimbje e pakrahasueme dhe e pamatme. Ndërtime të shëmtuara, po aq të shëmtuara sa nuk e çon kokën lart se ta prishin çdo grimcë gëzimi.

AMA, Mitrovica është edhe Dashni e pastër. Shtëpitë vazhdojnë të kundrojnë aromë dëlirësie. Aty rriten fëmijët, të cilët s’kanë kopshte e çerdhe mjaftueshëm, por ama nëpër lagje lozin pa frikë. Mitrovica akoma është qyteti ku çdo ditë hap sytë gjyshja ime! Familja ime jeton aty! Mësuesit, arsimtarët e profesorët e mi tepër të çmueshëm përpiqen pa pushim me dhanë urtni! Mitrovica e shoqnisë së fillores, gjimnazit e punës! Mitrovica është qoshku i andrrave dhe planeve, pa hile. Parajsa dhe Ferri. Frymëzimi dhe shterrimi i fuqive. Sekreti dhe padurimi im.

GER: Si është për Fjollën të jetojë ndërmjet Tiranës, Prishtinës e Mitrovicës?

Spanca: Bukur dhe shëmtuar! Edhe gëzim edhe trishtim. Sa herë iki prej një cepi në cepin tjetër më dhemb zemra. Diku kam dashnitë e para, diku kam andrrat e paçeluna, diku ruaj amanetin, diku harroj veten … Mitrovica është vetja ime e padjallëzume. Një folezë gjithë mjaltë e rehati. Aty marrë frymë lirshëm, kthehem ne kohë, udhëtoj pa fre. Prishtina është me e akullt. Megjithëse prapë, nëpër rrugica gjejë kujtimet e ditëve kur përpjekjet për të marrë viza nëpër ambasada, përfundonin me lotët n’sy prej refuzimeve banale. Prishtina është më e shpërfillshme. Nga jashtë shumë ambicioze dhe tepër liberale. Nga brenda, diçka më ndryshe. Goxha sipërfaqësore. Kurse Tirana, tmerrësisht e rrëmujshme, herë – herë e huaj dhe e pamëshirshme. Por, në Tiranë unë gjej diçka që nuk e nxë dot andej: dashninë për librin dhe gjuhën. Përkthehet e publikohet më shpesh libri. Qyteti është i Bukur. Rojat e institucioneve, akoma pa dal mirë dielli i shoh duke lexuar.  Nejse, prapë, të tre qytetet kanë problematika të theksuara dhe avash – avash po bëhen pothuajse të pabanueshme, por jo për faj qytetarësh, por politikash e liderësh të papërgjegjshëm. Në Kosovë ne flasim shumë për flamurin kuq e zi dhe dashninë e paepun ndaj Shqipnisë. Në Shqipni dijnë pak ose aspak për Kosovën. Në fillim e gjeja veten të shokuar nga ky fakt, por me kalimin e kohës e kuptoj se sa jetë të ndryshme kemi bërë në kohë të njëjtë. Pasojat e komunizmit këndej tunelit, janë të paimagjinueshme. Ndonjëherë, kur dëgjoj për krimet e regjimit s’më zë gjumi. Në Kosovë themi shpesh “e kanë pasë hak Enver Hoxhën” kur zhgënjemi prej shqiptarëve të Shqipërisë. Realisht, ne as e kemi njohur diktatorin dhe diktaturën, ndaj flasim aq përçartë. Fatkeqësisht, ne vazhdojmë të mos njohim njëri-tjetrin dhe të paragjykojmë e gjykojmë shtrembër. Pra, me e balancu jetën mes tre qyteteve të ndryshme, por dhe të njëllojta disi nuk është aspak e lehtë, veçse ta shton vrullin e leximit dhe studimit, pasosun.

GER: Ju jeni preokupuar edhe me çështje gjinore, përkatësisht me pozitën e gruas në shoqërinë shqiptare. Sot, rrjete të fuqishme shtyjnë përpara agjenda të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat e grupeve të caktuara, por edhe me të drejtat e grave. Në këtë mes, zëri i gruas muslimane, nuk është aq qartë i artikuluar, pse?

Spanca: Shpesh sikletosem kur shoh se çështjet gjinore trajtohen njësoj sikurse ca tema të cilat në vete as kanë e as përçojnë ndonjë mesazh të veçuar. Mbase dinamika e jetës është e atillë, sa shoqëria shpejt harron se kush janë sëmundjet kanosëse ose ato prej të cilave vuan, ndër shekuj. Me këtë nuk dua të viktimizohem e as të them se çështja e gruas është kaq dramatike, por sinqerisht çdo gjë që sot shpërfaqet në jetën tonë, duke e shkurtuar dhe helmuar atë, lidhet, në mos drejtpërdrejt atëherë tërthorazi me marrëdhëniet e ndërtuara keq ose të prishura deri në themel, në familjet tona, në komunitetet tona e më pas në shoqërinë tonë, si tërësi.

Para ca kohe kisha shkruar se problemet nuk qëndrojnë tek korrupsioni, papunësia apo kriminaliteti. Mbi të gjitha, familja e epokës sonë, papushim përjeton tranzicione të pakontrulluara e pothuajse të shfrenuara. Po të shohim tjetërsimin e familjes, mënyrën se si ndërtohet ajo dhe më pas vlerat që barten prej një brezi tek tjetri, kollajshëm e kuptojmë se pse liderët – udhëheqësit politikë sot janë “pa taban” – pa moral dhe të paparashikueshëm në plot vendime. Po të shohim se si rriten djemtë, si edukohen ata, lehtë fare e kuptojmë se pse vajzat janë akoma pre e dhunës seksuale. Po të futesh thellë në ca mentalitete dhe  tradita prapanike që kultivohen mes nesh, kupton sheshit se si është e mundur që shoqëria të jetë kaq e ndarë në grupe dhe pse drejtësia mungon, kudo.

Tani, gruaja duam apo s’duam ne, përtej çdo përkufizimi njerëzor është krijim i përsosun dhe bartëse e krijimit. Në te, ngjizen elementet më të veçanta të universit dhe ajo ndër tjerash është sinonim i modestisë, diturisë, dashurisë e urtnisë! E them këtë për t’i paraprirë idesë se një pjesë e konsiderueshme e rëndëses së mos angazhimit dhe mos artikulimit bie mbi supet e grave dhe jo të dikujt tjetër. Dëmi që vjen prej grave tek gratë është po aq i madh, anise ndrron në formë prej dëmeve, abuzimeve e torturave që ushtrohen prej burrave, apo grupeve të caktuara ndaj grave të pambrojtura, pashkolluara e të braktisura në vetmi.

Ditëve tona, nëse plot gra nuk kanë as mundësinë më të vockël për t’ju kundërvënë sistemit, shumë sosh janë zhytur në rehatinë dhe komoditetin e rrejshëm që ofron pasuria e një personi ose paga e një institucioni. Gratë ndonjëherë e anashkalojnë dhimbjen e grave të tjera, madje kontribuojnë me ose pa vetëdije në rrënimin psikologjik të këtyre të fundit. Shpesh e kam thënë se nuk do duhej gjykuar gratë prej rrobave që mbartin apo zonave prej nga vijnë. Ato të gjitha kanë shumë të përbashkëta për të cilat duhet të përpiqen fort. Shqetësimet e një gruaje muslimane nuk dallojnë shumë hë për hë nga ato të një gruaje jo-muslimane. Madje në disa raste, besimtaret muslimane kanë të drejta dhe përparësi më të mëdha, se sa gratë e tjera. Nëse në shoqëri flitet për kanun e traditë, gratë besimtare kanë Librin e Shenjtë si burim Drejtësie, urdhrat e të cilit nuk ka burrë a grua që t’i tjetërsoj. POR, fatkeqësisht dashuria dhe përkushtimi ndaj dijes sa duket se po rritet, po aq rezulton të zbehet. Kam përshtypjen që në Kosovë të paktën, feja është në fazën “Pyetje – Përgjigje” ose thënë ndryshe, gratë mësimet fetare i marrin të mirëqena dhe aspak nuk thellohen në mesazhet dhe nënkuptimet e tjera të mësimeve kuranore.

E di se jo rrallë thuhet që Kurani interpretohet ekskluzivisht prej burrave dhe pak gra e njohim apo e interpretojnë atë. Për fatin tonë të mirë, shoh se ka plot mësues feje që janë të hapur dhe të pakompleksuar, e të cilët besimtarët (pa dallim gjinie) i trajtojnë njësoj në çështje të dijes dhe debatojnë me ta, pa rezerva. Por, sa të gatshme janë gratë të ndërveprojnë në nxënien e dijes?!!

Nejse. Problem tjetër është padyshim një lloj konservatorizmi (për mua, disi i huaj dhe i pakuptueshëm) që po aplikohet në familje besimtarësh e prej të cilit të gjithë përfundojnë brenda mureve të shtëpisë, pa pranu asnjë lloj shkëmbimi idesh me jashtë.

Nga ana tjetër, për mua shqetësimi primar lidhet me pamundësinë e grave për të studiuar. Ato padrejtësisht privohen nga e drejta për t’u thelluar në studimin e fesë, historisë fetare apo traditës profetike. Domosdo, një boshllëk si ky, krijon keqkuptime dhe deformime! Një fe që zbret për ta përsosur moralin njerëzor, me aq sa kuptoj unë, nuk mundet dhe as që ka për ta toleruar injorancën dhe shpërfilljen. Pra, njerëzit as janë të vetëdijshëm se ç’amanet kanë marrë për ta mbajtë në zemër për sa kohë grave, vajzave, motrave, shoqeve ja u pamundësojnë shkollimin. (këtu flas për burrat dhe gratë që bëhen pengesë në edukimin dhe shkollimin e vajzave). Pastaj, as arrij të pajtohem me ligjërime fetare të sojit: gratë nuk kanë përse të përfshihen në jetën publike; ato janë veç për t’i përmbushur disa funksione të caktuara! Tmerr!

Unë deri më sot nuk kam gjetur bashkësi fetare që e çmon, nderon, lartëson, vlerëson dhe respekton gruan ma fortë se Islami; dheeeeee as kam gjetë bashkësi fetare që nuk i njeh, nuk i studion, nuk i praktikon, nuk i lartëson traditat e bukura sikurse bashkësia e muslimanëve (me përjashtime, tek – tuk).

Sami Frashëri ka një libërth të shkëlqyer, ku trajton çështje lidhur me gruan dhe shqetësime që prekin gratë. I kthehem, e lexoj, e rilexoj e nuk mjaftohem. Situate të tilla të bëjnë me kuptu se avancon teknologjia, materialja … kurse njerëzimi, si për inat, noton keqas, aty, ne moçalin para syve tanë.

 

GER: A mendoni që gruaja përgjithësisht, ka një përfaqësim politik tashmë në sferën politike shqiptare?

Spanca: Jo, akoma. Madje lë shumë për të dëshiruar. Përkundrazi, në Kosovë gruan goxha shpesh e gjejmë veç si plotësuese kuotash. Ose ajo për të qenë diku, duhet të jetë e bija ose gruaja e dikujt tjetër. Megjithëse, disa hapa janë bërë, e disa gra e kanë kthyer përmbys perceptimin e përgjithshëm (gati negative) të gruas si “kukull” pa fjalë në jetën politike, realiteti sinjalizon për më shumë punë dhe biles punë serioze e të mirëfilltë.

GER: Fare në fund, meqë ju keni studiuar për marrëdhënie ndërkombëtare, na e lejoni edhe këtë pyetje: Ku e shihni Kosovën pas dhjetë viteve, në kuptimin e integrimit të saj si shtet, në rrafshin ndërkombëtar? 

Ah po, marrëdhënie ndërkombëtare! Deri vonë, njerëzit as i njihnin e as e kuptonin se çka janë. Edhe tash që flasim, me ndodhë të takohem me njerëz e të mos kuptohemi. Në Mitrovicë kur vendosa për një degë të tillë, patë një reagim diqysh të papritun. Degë të tilla janë pa si “ekskluzive” për burrat ose fëmijët e politikanëve!

Prapë, sidoqoftë po i përvidhem pyetjes tënde! Ideja është se mua nuk më pëlqejnë aspak parashikimet. Hiç. Nuk e di se ku do jetë Kosova aso kohe. E di se po patëm jetë dhe frymë deri atëherë, do duhej … PO, ish dashtë me zemër e me shpirt me punu të gjithë bashkë! Ish dashtë papushim me u përpjekë si shoqni … asnjë familje mos me qenë e detyrume me ik prej Kosovës për buke t’gojës! E para e krejt t’parave! Familjet me kultivu kulture e edukatë t’shnoshë nëpër breza! Shkollat me u kthy në fole t’ditunisë! Gjimnazet me u sistemu akoma më tepër, me u hap shkolla profesionale edhe universiteti me qenë fole ku çelin ide të mëdha e jo militantë të bindun! Për 10 vjet duhet me punu për një shtet të konsolidum, me ligje dhe gjyqësor serioz. Mitrovica mos me mbetë “bombë me sahat” e as pazaret e politikanëve mos me na kushtu me jetë, për do vjet.

Patjetër një rifreskim i klasës politike; njerëz të aftë dhe profesionistë (që s’janë pak) nëpër pozitat që ju takojnë. Punë, punë, punë në diplomaci dhe projekte afatgjata që shërbejnë për rimëkëmbjen e vendit dhe jo në varfnimin e tij, ekonomik, politik, social e kulturor./Gazetaere

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit