15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kisha frikë nga babai im!

Më të lexuarat

(Tregim i vërtetë i një nxënësi fillorist boshnjak,
të cilin e shkroi në ushtrimin me shkrim në orën e gjuhës boshnjake)

Pothuajse çdo natë qëndroja zgjuar në shtratin tim duke pritur që babai të kthehet nga puna. Në fakt, ai duhej të kthehej nga puna shumë më herët, por pas punës, ai shkon në kafene dhe qëndron me shokët e tij deri vonë. Rrija zgjuar për një arsye, kisha frikë se do ta vriste nënën kur të kthehej, sepse ai rregullisht e rrihte pasi kthehej nga kafeneja.

Unë e kam vetëm babanë dhe nënën, dhe ata më kanë vetëm mua. Unë shkoj në klasën e katërt të shkollës fillore dhe jam nxënës i shkëlqyeshëm.

Nëna ime është një person i butë, i vyeshëm dhe brenga e saj kryesore është shtëpia dhe edukimi im. Unë kuptova se dëshira e saj e vetme ishte që unë të mos bëhesha si babai im, pijanec dhe abuzues. Isha i mirë edhe në mësimbesim, babai im, i cili në xhami hynte vetëm për bajram, nuk ma ndaloi shkuarjen në mësimbesim.

Babai punonte si roje në një kompani, kishte filluar të pinte alkool rreth pesë vjet para se të lindja unë, të paktën kështu më ka thënë nëna ime. Ai ishte i keq kur pinte, plotësisht bëhej i humbur, shante, rrihte dhe thyente… të gjitha këto ishin të rënda për nënën time, e cila duhej të duronte. Kur kthehej në shtëpi i dehur, unë tërhiqesha në dhomën time, sepse e dija se çka pasonte. Në mëngjes e gjeja nënën duke qarë ose të mavijosur nga goditjet e pësuara.

Fillova ngadalë të humbas gjithçka, e lëshova mësimin në shkollë, isha vazhdimisht i menduar dhe i frikësuar. Të gjitha këto i kishte vërejtur mësuesja ime e mësimbesimit. Pas përfundimit të orës mësimore, më thirri në korridor dhe më pyeti se çka po ndodhte me mua, se a mund të më ndihmonte. Unë e ula kokën dhe më pas i tregova gjithçka, më duhej t’i rrëfehesha dikujt. Ajo vetëm psherëtiu dhe më tha:

“Për fat të keq, ti je ende i ri dhe nuk mund të bësh asgjë në lidhje me këtë, megjithatë, ka një gjë që ti mund ta bësh, por duhet të jesh i sinqertë. Lutja, lutju Allahut që ta udhëzojë babanë tënd në rrugën e drejtë, që ta braktisë alkoolin dhe shoqërinë e keqe. Falë Zotit, ti din të falesh, ngrihu natën vonë dhe lutju Allahut që ta udhëzojë babanë tënd në rrugë të drejtë, përpiqu, ji këmbëngulës!”

Dhe unë vendosa ta bëj këtë, besoja me bindje në Allahun e Dashur dhe e dija se Ai dëgjon dhe di çdo gjë. Mbaj mend, se ishte diku rreth dy orë pas mesnate, kur çdo gjë u qetësua në shtëpi, ngadalë dola nga shtrati, nuk e ndeza dritën që mos të zgjohen. Në heshtje me maja të gishtërinjve shkova deri në banjë dhe mora abdest. U ktheva në dhomën time, e vendosa një peshqir të pastër në dysheme dhe fillova të falem. U fala rreth 15 minuta dhe pastaj qëndrova ulur, i ngrita duart dhe fillove t’i lutem Allahut për babanë tim dhe për udhëzimin e tij, që ta braktisë të ligën e quajtur alkool, që mos ta rrahë nënën time, u luta që TA KEM EDHE UNË NJË BABA SIKUR FËMIJËT TJERË. Kështu kam vepruar plotë 10 ditë, isha këmbëngulës.

Ishte e mërkurë, po përgatitesha për shkollë, sepse isha ndërrimi i dytë. Derisa isha duke ngrënë në kuzhinë, pashë nga dritarja se babai po kthehej nga puna. “Prej nga tash kaq herët, ai kurrë nuk kthehet kaq herët, ndërrimi i tij përfundon në orën 5 pasdite”, thashë në vetvete. Derisa ai e hapi derën, unë ika menjëherë në dhomën time, sepse mendova se është i dehur dhe tash do të fillojë të bërtasë dhe shajë, dhe unë nuk mund ta dëgjoj. Megjithatë, e hapa derën pak që të shohë se pse kishte ardhur më herët.

Nëna ime ishte në tryezën e punës, nuk lëvizi, por as nuk guxonte. Kur ai hyri në kuzhinë, kishte të veshura rroba të reja, kurse në dorë i mbante dy qese të plota. Me sa mund ta shihja, nuk ishte i dehur. Ai më pa duke përgjuar, andaj më thirri me dorë që të shkoja tek ai. Dola nga dhoma dhe si i shtangur qëndrova në mes të dhomës. Atëherë i tha edhe nënës që të ulet.

Pastaj tha: “Nga sot, ne do të fillojmë një jetë të re, nga sot unë më nuk do të pi alkool, që nga sot, unë ju dua juve më së shumti në botë, ju lutem më falni, unë isha budalla.

Natën e kaluar, derisa isha roje në kompani, sikur diçka mu kthye në bark dhe pastaj në kokë, sikur diçka mu kthjellua, … nuk e di, unë tash po ndjehem si i ri.

Ja sot e mora pagën dhe unë erdha më herët, jam rregulluar vetëm për ju, kurse këto dy qese, njëra është për nënën, kurse tjetra për ty, biri im!”

Derisa ai po fliste, unë vrapova dhe e përqafova, ndoshta për herë të parë qe 5 vjet, e përqafova shumë, edhe nëna u afrua dhe na përqafoi të dyve, duke qarë si fëmijë i vogël. Këto ishin lot gëzimi. Unë nuk po mund të besoja, babai im përsëri po na don! Allahu i Dashur i pranoi lutjet e mia, unë e di se vetëm Ai mundet.

Sot, unë jam në klasën e katërt të gjimnazit, jam nxënës i shkëlqyeshëm dhe besimtar, kurse babai im??? Njeri i vërtetë, nuk e lëshon pa falë asnjë namaz, falënderoj Allahun!!!

Saudin Cokoja

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit