9.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Kina do të ndalojë marrjen e organeve nga të ekzekutuarit

Më të lexuarat

Kina do t’i japë fund marrjes së organeve nga të ekzekutuarit dhe të krijojë një sistem për dhurimin e organeve. Tregtia me organe është e ndaluar zyrtarisht, por ekspertët janë skeptikë sa i takon ndalimit.
Për shkak të dënimit me vdekje, Kina prej vitesh është në shënjestër të kritikave ndërkombëtare. Në asnjë vend tjetër të botës nuk ekzekutohen më shumë njerëz se në Kinë. Se sa është numri i saktë i ekzekutimeve nuk dihet. John Kamm, kryetar i organizatës për të drejtat e njeriut “Fondacioni Dui Hua”, thotë se shifrat zyrtare për ekzekutimet në Kinë mbrohen si sekret shtetëror. Megjithatë ekspertët dhe studiuesit ia dalin ta ngrenë pak perden e fshehtësisë. “Sipas specialistëve në vitin 2011 në Kinë janë ekzekutuar rreth 4.000 persona”, thotë Kamm për Deutsche Welle-n.
Grupet për të drejtat e njeriut druhen se shifra e vërtetë mund të jetë edhe më e lartë. Gjithashtu në errësirë zhvillohet edhe marrja e organeve nga të ekzekutuarit, praktikë mjaft e përhapur në Kinë. Roseanne Rise nga Amnesty International, thotë: “Në Kinë organet nga të ekzekutuarit janë madje burimi kryesor për transplantet. Ndërkohë edhe vetë instanca shtetërore si p.sh. zv/ministri i Shëndetësisë kanë deklaruar se në periudhë afatgjatë kjo mund të jetë një zgjidhje e pranueshme.”
Pengesa kulturore për dhurimin e organeve
Në fillim të viteve 1970 në Kinë u kryen transplantet e para të veshkave. Që atëherë pjesa më e madhe e organeve vinin nga të burgosur të ekzekutuar. Ashtu si dikur edhe sot thuajse askush në Kinë nuk është i gatshëm t’i dhurojë organet e veta pas vdekjes. Madje për shumë vetë kjo ide është absurde. Aktivisti për të drejtat e njeriut dhe njohësi i Kinës, John Kamm, e shpjegon këtë qëndrim me një tabu kulturore. “Në Kinë tradicionalisht besohet se pas vdekjes njeriu e lë botën që njohim dhe hyn në një botë të re, dhe për këtë duhen të gjitha organet. Kjo është arsyeja pse numri i dhurimeve është kaq i vogël”. Kështu dikur nisi marrja e organeve nga të ekzekutuarit.
Organizata botërore e shëndetësisë OBSH, e ka kritikuar qysh 25 vjet më parë marrjen e organeve nga të ekzekutuarit. Nga jashtë nuk mund të kuptohet nëse një i burgosur ka qenë dakord që pas vdekjes t’i merren organet, apo nëse mbi të është ushtruar trysni e fortë që të pranojë, thotë Roseanna Rise nga Amnesty International: “Ne jemi të shqetësuar se të burgosurit nuk janë të pavarur dhe të lirë sa duhet shpirtërisht, për ta marrë këtë vendim. Ata ndodhen në burg, ku janë të varur nga shteti, pasi është shteti ai që kujdeset për nevojat e tyre të përditshme.”
Një i dënuar me vdekje duke u dërguar nga stadiumi i Seshuanit për në vendin e ekzekutimit
Ndërthurje e ngushtë mes ekzekutimeve dhe marrjes së organeve
Qeveria kineze pati tërhequr vëmendjen pesë vjet më parë për problemet etike me marrjen e organeve të të ekzekutuarve. Qysh atëherë të burgosurit zyrtarisht mund t’u dhurojnë organe vetëm familjarëve të ngushtë. Në praktikë ky rregull nuk ka thuajse asnjë ndikim. Përkundrazi: sipas informacioneve të medieve ndërkombëtare çdo vit në Kinë kryhen rreth 10.000 transplante. Gati 7.000 organe, sipas informacioneve, vijnë nga të burgosur. Me fjalë të tjera: “Një kufome i merret disa organe njëherësh”, thotë Roseanna Rise nga Amnesty International.
Pjesa më e madhe e ekzekutimeve në Kinë kryhen në të ashtuquajtur autobusë ekzekutimi me injeksione vdekjeprurëse. Pjesërisht këta autobusë qëndrojnë direkt para spitaleve. Kjo garanton disponibilitetin e shpejtë të organeve. Grupet për të drejtat e njeriut dyshojnë se bëhet madje edhe tregti organesh. Sipas shtypit ndërkombëtar rreth 1,5 milionë kinezë presin për dhurim organi. Ndërkohë tregtia me organe është ndaluar zyrtarisht në Kinë. Ekspertë si John Kamm nga “Fondacioni Dui Hua” besojnë megjithatë se biznesi me organe vazhdon. “Një pjesë e madhe e biznesit organizohet nga bashkësitë kineze në Azinë Juglindore”, thotë Kamm. Ata negociojnë me pacientë që presin për transplant. Më pas pacienti dërgohet në një spital në Kinë. Atje merret pastaj organi nga një i ekzekutuar. Në 2007 kjo u ndalua zyrtarisht. “Por nëse kjo praktikë vazhdon ende nuk dihet”, thotë John Kamm.
Brezi i ri i gatshëm për dhurim organesh
Tani qeveria kineze ka njoftuar se organet e të ekzekutuarve nuk duhet të përdoren më për transplante. Deri në 2015 kjo praktikë duhet të marrë plotësish fund. Por kjo do të thotë edhe që shteti duhet t’i motivojë qytetarët të dhurojnë organe, të krijohet një rrjet për transplantet dhe qytetarët të njoftohen për procedurat. Pjesa më e madhe e kinezëve nuk e dinë se ku dhe si mund të rregjistrohen për dhurim organesh. Gatishmëria ekziston megjithatë, veçanërisht tek të rinjtë. Qeveria duhet të bëjë më shumë reklamë për dhurimin e organeve dhe t’i motivojë njerëzit të marrin pjesë./DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit